Imam Muhammed Nasir-ud-Din el-Albani (v. 1420)
Burimi: Adab-uz-Zifaf, fq. 118-119
Përktheu: Valdet Gashi
Në hadithin e transmetuar nga Ebu Talha thuhet:
“Engjëjt nuk hyjnë në një shtëpi ku ka piktura (imazhe) të krijesave përveçse atyre që janë në rroba.”
Kuptimi i kësaj është: ”përveç atyre pikturave (imazheve) të krijesave që janë në rroba që përdoren për gjëra të rëndomta dhe jo piktura të krijesave që gjenden të varura nëpër mure”, gjë për të cilën tregon hadithi i transmetuar nga Aisha. Hadithi i transmetuar prej saj tregon qartë se engjëjt nuk hyjnë në një shtëpi ku ka piktura të krijesave kur ato janë të varura nëpër mure ndryshe nga rasti kur këto piktura gjenden në rroba që përdoren për gjëra të rëndomta siç tregohet në fjalët e saj:”…e pashë (të dërguarin e Allahut ﷺ) të mbështetur në një prej jastëkëve dhe në to ishin ato pikturat.” Pra në këtë rast engjëjt nuk pengohen nga hyrja në një shtëpi.
Hadithi i transmetuar nga Aishah sqaron dhe specifikon hadithin e transmetuar nga Ebu Talha, prandaj nuk lejohet të pasosh gjykimin sipas hadithit të transmetuar nga Ebu Talha siç ka bërë autori i librit në fjalë. Përveç kësaj, ai gaboi për herë të dytë kur u argumentua me këtë hadith (të transmetuar nga Ebu Talha) se lejohet të bësh piktura të krijesave në rroba dhe po ashtu bazuar mbi këtë, ai tha se lejohen dhe vizatimet në letra. Ky është gabim i rëndë. Hadithi lejon vetëm atë që sapo kemi sqaruar. Ky hadith (i transmetuar nga Ebu Talha) nuk tregon fare lejueshmërinë e bërjes së pikturave të krijesave pasi hadithi i transmetuar nga Aishah ndalon në mënyrë të qartë imazhet e krijesave nëpër rroba pasi profeti ﷺ ka thënë:
“Njerëzit që i bëjnë këto piktura do të ndëshkohen.”
Nuk lejohet ta braktisim dispozitën e këtij teksti të qartë në favor të hadithit të transmetuar nga Ebu Talha, kjo është dicka e qartë për çdo njeri të mençur, in shaa Allah.
Me këtë që u tha nuk lejohet blerja e rrobave në të cilat ka imazhe të tilla edhe nëse qëllimi është që ato të përdoren për gjëra të rëndomta sepse blerje të tilla përfshijnë bashkëpunimin në mëkat. Ai që blen rroba ku gjenden të tilla imazhe, nëse nuk ka dituri për ndalesën që ekziston për to, mund të mendojë se rroba të tilla lejohen për gjëra të rëndomta siç tregohet dhe në hadithin e transmetuar nga Aishah ku thuhet:
”…e pashë (të dërguarin e Allahut ﷺ) të mbështetur në një prej jastëkëve dhe në to ishin ato pikturat.”
Dhe ndoshta ajo që kihet për qëllim me pjesën e mësipërme të hadithit, është se pikturat e krijesave u prenë në mesin e tyre saqë ato nuk kishin më pamjen e mëparshme, atë të krijesave (të kuajve) dhe në këtë mënyrë, el-Hafidh Ibn Haxheri bëri bashkimin e haditheve siç e kemi përmendur në çështjen me nr 33.
Pastaj kam gjetur një transmetim që e përforcon këtë mënyrë argumentimi e që është transmetimi nga Ebu Hurejra në hadithin ku Xhibrili i thotë të dërguarit të Allahut ﷺ:
”Në murin e shtëpisë ka një perde ku ka piktura të krijesave, prejani kokën e pikturës dhe perden bëjeni qilima ose jastëk për t’u mbështetur pasi ne (engjëjt) nuk hyjmë në një shtëpi ku ka piktura të tilla.”
Transmetuesit e këtij hadithi janë prej transmetuesve të sahihut siç e kam sqaruar një gjë të tillë në “ Es- Sahiha”.