Autor: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdil-lah bin Baz (v. 1420)
Burimi: Sherh el-Akidah el-Uasitijeh, fq. 70-72
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Ehl-us-Sunneti janë gjithashtu mesatarë në lidhje me veprat e Allahut, ndërmjet sektit Ua’idijeh dhe Kaderive. Ehl-us-Sunneti pohojnë se veprat e Allahut (te ala) janë të vërteta. Çdo natë Allahu (xhele ue ala) zbret në qiellin e dunjasë. Ai do t’u shfaqet robërve të Tij në ditën e gjykimit në mënyrë që ata të mund të shohin fytyrën e Tij bujare. Ata do ta shohin Atë (subhanehu ue te ala) sikurse e shohin diellin në një ditë pa re. Ai kënaqet dhe hidhërohet, urdhëron dhe ndalon, krijon dhe furnizon. Veprat e Tij (subhanehu ue te ala) janë konfirmuar. Mohuesit Xhehmitë dhe Mu’tezilitë mendojnë ndryshe. Mu’tezilitë thonë se Allahu ka emra por nuk ka cilësi. Përveç kësaj ata pohojnë se emrat e Tij janë të pakuptimtë.
Ehl-us-Sunneti gjithashtu janë mesatarë mes sektit Ua’idijjeh dhe Murxhiave. Ua’idijjeh (të cilët marrin vetëm anën kërcënuese të teksteve) thonë se kërcënimi i Allahut zbatohet gjithsesi. Murxhitë përjashtojnë veprat nga besimi dhe thonë se besimi përbëhet vetëm nga besimi dhe fjala (besimi me zemër). Ua’idijjeh, të cilët janë Mutezilitë thonë se Allahu duhet të ekzekutojë kërcënimin e Tij dhe të pohojnë se mëkatari i madh mbetet në xhehenem përgjithmonë nëse vdes pa u penduar. Murxhiatë thonë se besimi nuk ndikohet nga mëkatet sepse ata i përjashtojnë veprat nga besimi dhe besojnë se fjalimi dhe besimi me zemër janë të mjaftueshme.
Ehl-us-Sunneti beson se besimi përbëhet nga fjalët, veprat dhe besimi me zemër dhe se ai vërtetë ndikohet nga mëkatet (pakësohet). Megjithatë, kjo nuk obligon që mëkatari të mbetet në xhehenem përgjithmonë siç besojnë Mutezilitë. As se ai del nga feja siç besojnë Khauarixhët. Natyrisht, mëkatet ndikojnë dhe dobësojnë besimin, por besimi plotësohet kur mëkatari ndalet duke mëkatuar dhe pendohet.
Ehl-us-Sunnneti gjendet në mes sektit Ua’idijjeh (Mu’tezilive dhe Khauarixhëve) dhe Murxhiave. Khauarixhët besojnë se besimi përbëhet nga fjala, vepra dhe besimi me zemër, por besimi nuk shtohet as nuk mangësohet. E njëjta gjë vlen edhe për Mutezilitë. Sipas tyre mëkatari hynë në xhehenem përgjithmonë. Khauarixhët pohojnë gjithashtu se mëkatari del nga feja në këtë jetë. Ehl-us-Sunneti është midis tyre. Ata thonë se mëkatet e pakësojnë dhe dobësojnë besimin por mëkatari nuk del nga feja përderisa ai nuk e konsideron mëkatin të jetë i lejuar. Ata as nuk besojnë se mëkatari mbetet në xhehenem (përgjithmonë) ndryshe nga Khauarixhët dhe Mutezilitë.