Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

49.Kështu Umeri e njohu robëreshën

Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)

Burimi: Xhilbab el-Mar’ah el-Muslimeh, fq. 99-100

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

7-Nga Enesi:

Një robëreshë që njihej në mesin e Muhaxhirëve dhe Ensarëve, hyri tek Umar bin el-Khatabi. Ajo ishte e mbuluar mirë me veshjen e jashtme (xhilbabin), dhe ai e pyeti: “A je liruar?” Ajo u përgjigj: “Jo”. Ai tha: “Pse ke veshur xhilbabin atëherë? Hiqe nga koka. Vetëm gratë e lira besimtare duhet të vishen me veshje të jashtme (me xhilbab).” Ai u ngrit dhe e goditi në kokë derisa e hoqi nga koka e saj.” 1


1 Transmetuar nga Ibn Ebi Shejbeh në “el-Musannef”: Na ka transmetuar Ali bin Mes’har, nga el-Mukhtar bin Fulfel, nga Enes bin Malik.

Zinxhiri i transmetimit është i mirë dhe sipas kushteve të Muslimit. Hafidh Ibn Haxheri e saktësoi këtë transmetim në “ed-Dirajeh fi Takhrixh Ahadîth-il-Hidajeh”. Po ashtu, Ibn Ebi Shejbeh dhe Abdurr-Rrezaku në “el-Musannef” , të dy këta e transmetuan nga një rrugë tjetër përmes Katades, nga Enesi i cili tha:

Umeri e pa robëreshën tonë të mbuluar mirë me rroba të jashtme (me xhilbab), pas së cilës ai e goditi atë dhe i tha: “Mos u duk si gratë e lira.”

Hafidh Ibn Haxheri tha:

“Zinxhiri i transmetimit është autentik.”

Zinxhiri i transmetimit është sipas kushteve të Bukharit dhe Muslimit.

Ibn Ebi Shejbeh gjithashtu e transmetoi atë përmes ez-Zuhrit, nga Enesi. Edhe ky zinxhir i transmetimit është gjithashtu autentik. Imam Muhammed transmetoi përmes Ibrahimit se:

“Umer bin el-Khatabi i rrihte gratë robëresha të veshura me rroba të jashtme (me xhilbab) dhe u thoshte atyre: “Mos u dukni si gra të lira.” (el-Athar, fq. 39).

Zinxhirit të transmetimit i mungojnë dy transmetues me radhë (transmetimi është muadal), por të dy zinxhirët e transmetimit që janë të pandërprerë deri tek Enesi janë të mjaftueshëm. Më vonë gjeta një zinxhir të katërt transmetimi në “es-Sunen” të Sa’id bin Mensurit.

Çështja është se Umeri (radijAllahu anhu) e njohu robëreshën edhe pse ajo ishte e mbuluar mirë me rroba të jashtme (me xhilbab). Kjo natyrisht do të thotë që fytyra e saj ishte e zbuluar, përndryshe ai nuk do ta kishte njohur atë. Me këtë që u tha, fjalët e tij:

“Vetëm gratë e lira besimtare duhet të vishen me veshje të jashtme (me xhilbab)”, janë tregues shumë i fortë që sipas Umerit, nuk është kusht që xhilbabi të mbulojë fytyrën dhe nëse të gjitha gratë në kohën e parë (në kohën e të dërguarit të Allahut ﷺ), nëse ato do ta kishin obligim mbulimin e fytyrës, Umeri nuk do të thoshte ashtu. Prandaj ky transmetim mund t’i bashkohet transmetimit të djalit të tij Abdullahit, si dhe transmetimit të Ibn Abbasit dhe Aishes (radijAllahu anhum) që tregojnë se fytyra e gruas nuk është auret.

Shpërndaje: