“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

5.Çka mendoni për mëshirën, zbritjen e Allahut në qiellin më të ulët dhe të ngjashme?

Autor: Imam Abdurr-Rrahman es-Sa’di (v. 1376)

Shpjegues i librit: Alameh Ahmed bin Jahja en Nexhmi (v. 1429)

Burimi: Fet’h Rabb-il-Berijjat ala Kitab Ahamm-il-Muhimmat, fq. 33

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Imam Abdurr-Rrahman es-Sa’di ka thënë:

Pyetja e pestë: Çka mendoni për mëshirën, zbritjen e Allahut në qiellin më të ulët dhe të ngjashme?

Përgjigje: Ne besojmë dhe pranojmë çdo gjë me të cilën Allahu e ka përshkruar veten e Tij sikurse mëshirën, kënaqësinë, zbritjen dhe ardhjen. E njëjta gjë vlen edhe për çdo gjë me të cilën e ka përshkruar Atë i dërguari . Kjo duhet të bëhet në një mënyrë që nuk i përngjason ndonjë prej krijesave sepse asgjë nuk është si Ai.

Në të njëjtën mënyrë sikurse Allahu ka një esencë që është ndryshe nga esencat e të tjerëve, Ai gjithashtu ka cilësi që nuk janë të ngjashme në cilësitë e të tjerëve.

Kjo dëshmohet nga sqarimet madhështore në Kuran dhe sunnet të cilat vërtetojnë ato cilësi, dhe me të cilat lavdërohet Allahu. Aty shpjegohet se Allahu gjithashtu është i pastër nga të qenurit i barabartë me Të, apo që dikush të jetë i njëjtë me Të, apo që Ai të ketë ndonjë ndihmës.

Shpjegimi

Allahu e ka përshkruar veten me mëshirë dhe e ka emëruar veten me emrat e Er-Rrahman (Mëshiruesi) dhe Er-Rrahim (Mëshirbërësi). Ai na ka njoftuar se Ai ka njëqind mëshira njëra prej të cilave është dërguar në tokë për njerëzit që ta përdorin me njëri-tjetrin. Me atë mëshirë kafsha kujdeset që të mos e shkel fëmijën e saj. Nëntëdhjetë e nëntë mëshirat e tjera janë tek Ai; Ai i fal robërit e Tij besimtarë me të në ditën e gjykimit.

Nuk lejohet të shtrembërohet mëshira, të cilën e bëjnë Esharitë. Ne besojmë se cilësitë e Allahut nuk janë të ngjashme me cilësitë e krijimit.

Përveç kësaj, ne besojmë se Allahu (azze ue xhel) zbret çdo natë deri në qiellin e fundit kur një e treta e fundit e natës mbetet dhe thotë:

”Kush më lutet që Unë t’i përgjigjem? Kush kërkon nga Unë që t’i jap atij? Kush kërkon nga Unë falje që ta fal atë?” 1

Ne gjithashtu besojmë se Allahu zbret në qiellin më të ulët në pasditen në ditën e Arafatit.

Nëse themi se Allahu zbret në qiellin më të ulët, kemi për qëllim se zbritja e Tij i përshtatet vetëm madhështisë së Tij. Nuk lejohet të pyetet nëse Ai e braktis arshin apo jo. Kjo është diçka që i përshtatet cilësive të krijimit. Allahu e përshkruan veten e Tij kur thotë:

لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ البَصِيرُ

 “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.”2

Ashtu sikurse esenca e Allahut nuk i ngjan esencës së krijimit, as cilësitë e Tij nuk i ngjajnë cilësive të krijimit.

Autori (rahimehullah) ka thënë: Kjo dëshmohet nga sqarimet madhështore në Kuran dhe sunnet të cilat vërtetojnë ato cilësi, dhe me të cilat lavdërohet Allahu. Aty shpjegohet se Allahu gjithashtu është i pastër nga të qenurit i barabartë me Të, apo që dikush të jetë i njëjtë me Të, apo që Ai të ketë ndonjë ndihmës.”

Kjo do të thotë që Allahu (azze ue xhel) e ka pastruar veten nga të qenurit i barabartë dhe ka thënë:

لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ البَصِيرُ

 “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.”

Ai (subhaneh) gjithashtu nuk ka të barabartë me Të. Nuk ka asnjë që mund t’i ngjajë Atij:

وَلَمْ يَكُن لَّهُ كُفُوًا أَحَدٌ

Dhe askush nuk është i barabartë (as i krahasueshëm) me Atë!”3

Allahu (subhanehu ue te ala) gjithashtu ka thënë se Ai nuk ka ndihmës në sovranitetin e Tij:

ذَلِكُمُ اللَّهُ رَبُّكُمْ لَهُ الْمُلْكُ وَالَّذِينَ تَدْعُونَ مِن دُونِهِ مَا يَمْلِكُونَ مِن قِطْمِيرٍ

 “I tillë është Allahu, Zoti juaj. I Tij është mbizotërimi. E ata të cilët ju i lutni e u thërrisni në vend të Tij, nuk kanë asnjë grimë fuqi (kitmir – lëvozhgë e hollë që mbështjell farën e hurmës).”4

Ai ka thënë se ata madje kanë mungesë të pushtetit mbi lëvozhgën e hurmës

E gjithë kjo konfirmon cilësitë e Allahut (azze ue xhel), e pastron Atë nga cilësitë e krijimit dhe e veçon Atë me cilësitë hyjnore të veçanta për Të.


1 Muslimi (758).

2 42:11.

3 112:4.

4 35:13.

Shpërndaje: