Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

5.Metoda e ndjekur në libër

Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)
Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 39-41
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Pasi që tema e librit flet për formën e namazit të profetit ﷺ, atëherë është e qartë se unë nuk i përmbahem ndonjë medhhebi të caktuar. Unë përmendi vetëm atë që është saktësuar prej profetit ﷺ, i cili ka qenë gjithmonë medhhebi2 i muhadithëve1. Poeti kishte të drejtë kur tha:

Ehl-ul-Hadithi janë njerëzit e profetit

Edhe pse ata nuk e kanë shoqëruar atë

Ata e kanë shoqëruar frymëmarrjen e tij3

Prandaj ky libër do të mbledhë gjërat që janë të shpërndara në librat e hadithit dhe fikhut. Asnjë libër dhe asnjë medhheb nuk ia qëllon gjithmonë. Ai që vepron me këtë libër – nëse Allahu dëshiron – do të jetë në mesin e besimtarëve për të cilët Allahu ka thënë:

Allahu me mëshirën e Tij i udhëzoi ata që besuan tek e vërteta e asaj për çka ishin kundërshtuar. Allahu e vë në rrugë të drejtë atë që dëshiron.”4

Kur kam vendosur për të ndjekur këtë metodologji përkatësisht që t’i përmbahem sunnetit autentik kur të shkruaj këtë libër dhe të tjerat, unë e dija se nuk do të kënaqë të gjitha grupet dhe medhhebet. Unë e dija se ata ose të paktën shumica do të më kundërshtojnë. Kjo është në rregull për mua. Unë e di se nuk mund t’i kënaqësh të gjithë njerëzit, ky është një qëllim që nuk arrihet kurrë sepse:

“Ai që i kënaq njerëzit me diçka që pëson zemërimin e Allahut, Allahu do ta lë atë në mbështetjen e njerëzve.”

Gjë të cilën i dërguari i Allahut e tha5. Për mua është e mjaftueshme që ta di se kjo është rruga e drejtë që Allahu i ka urdhëruar besimtarët që t’i përmbahen dhe që është qartësuar nga profeti ynë dhe zotëria i të dërguarve Muhamedi ﷺ. Kjo rrugë u pasua nga selefët në mesin e sahabëve, tebiinëve dhe atyre që erdhën pas tyre duke përfshirë edhe katër imamët, ku shumica e muslimanëve i përkasin medhhebeve të tyre. Të gjithë janë të bashkuar se është e detyrueshme për të ndjekur sunnetin dhe t’i referohemi atij dhe të braktisim çdo gjë që devijon nga ai sado qoftë i madh personi që e thotë atë. Megjithatë, profeti ﷺ është më i madh dhe rruga e tij është më e mira. Prandaj unë kam zgjedhur që t’i përmbahem atyre dhe urdhrave të tyre për pasimin e sunnetit edhe nëse ai kundërshton mendimet e tyre. Urdhrat e tyre kishin ndikimin më të madh mbi mua për të pasuar rrugën e drejtë dhe për të injoruar pasimin e verbër. Allahu -te ala- i shpërbleftë ata me shumë mirësi për atë që ata kanë bërë për mua.


1 Ebul-Hasanat El-Liknaui ka thënë:

“Personi i paanshëm i cili e shikon fikhun dhe parimet e fikhut është i bindur se muhadithunët gjithmonë kanë një mendim më të fortë se të tjerët në çështjet kur ka mospajtime. Çdo herë që unë hy në një çështje në të cilën ka mospajtime e kuptoj se muhadithunët janë më afër drejtësisë. Sa të mirë janë ata! Ata me të vërtetë meritojnë lëvdata. Si të mos i meritojnë ato kur ata janë trashëgimtarët e vërtetë dhe zëvendësit e profetit ﷺ? Allahu na bashkoftë me ta dhe na bëftë që t’i duam ata dhe t’i pasojmë ata kur të vdesim.” (Imam-ul-kelam fime jete al-lak bil-kira’ati khalfel imam, fq. 156).

2 Es-Subki ka thënë:

“Namazi është çështja më e rëndësishme e muslimanëve (pas teuhidit). Çdo musliman duhet të kujdeset për të, të interesohet dhe të përmbushë format e tij. Disa veprime në namaz janë të detyrueshme sipas konsensusit. Ato thjesht duhet të kryhen. Ka edhe obligime për të cilat dijetarët kanë mospajtime. Rruga e drejtë në këtë çështje përbëhet nga dy gjëra:

1 – Të bësh një të mirë për të shmangur të gjitha mosmarrëveshjet.

2 – Syno atë që është autentike nga i dërguari ﷺ dhe praktikoje atë. Ai që e bën këtë, fal një namaz të qëlluar, të saktë dhe të vlefshëm dhe përfshihet nga  fjalët e Allahut -te ala-:

“Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!.” 18:110

(El-Fataua (1/148)).

Gjëja e dytë, jo që është vetëm më mirë por edhe e detyrueshme. Gjëja e parë është pothuajse e pamundur jo vetëm në shumë çështje, ajo as nuk e realizon urdhrin e profetit ﷺ:

“Faluni ashtu siç më keni parë duke u falur.”

Në këtë rast namazi i tij padyshim do të jetë i ndryshëm nga i profetit ﷺ. Mendoje këtë.

3 Prozë nga El-Hasan bin Muhamed El-Nasaui. Transmetuar nga Hafidh Dhija-ud-Din el-Makdisi në “Fadl-ul-Hadith ue Ehlih”.

4 2: 213

5 Tirmidhi, El-Kadha’i, Ibn Bishran dhe të tjerët. Unë e kam marrë këtë hadith dhe rrugët e tij në “Sherh El-Akidah Et-Tahauijjeh” dhe më vonë në “Es-Sahihah” (2311). Në të e kam bërë të qartë se hadithi nuk dëmtohet nga ata që besojnë se hadithi janë fjalë të një sahabiu dhe se Ibn Hibani e vërtetoi atë.

Shpërndaje: