Enes bin En-Nedhr -radijAllahu anhu- kaloi pranë një grupi muslimanësh të pikëlluar dhe u tha: “Çfarë prisni?”
Ata thanë: “I dërguari i Allahut ﷺ ka vdekur.”
“Po si do të jetoni pas tij? Ngrihuni dhe vdisni për të njëjtën kauzë për të cilën ai jetoi!”
Pastaj u drejtua kah sahabët dhe kur pa Sad bin Mu’adhin, i tha:
“O Sad! Pasha Allahun, unë po e ndiej aromën e xhenetit që vjen nga ana e Uhudit!”
Pastaj u hodh në betejë dhe luftoi deri në frymën e fundit, i plagosur me mbi shtatëdhjetë goditje. Allahu qoftë i kënaqur me të.
Atë ditë Abdurr-Rrahman bin Auf u plagos në më shumë se njëzet vende në trup. Disa nga plagët ishin në këmbët e tij dhe si pasojë ai çaloi gjithë jetën. Allahu qoftë i kënaqur me të.
I dërguari i Allahut ﷺ u kthye drejt muslimanëve. I pari që e njohu pas helmetës ishte Kab bin Malik -radijAllahu anhu-, i cili thirri me zë të lartë:
“O muslimanë! Gëzohuni! Këtu është i dërguari i Allahut ﷺ!”
Ai ﷺ i bëri atij me gjest që të heshtte. Muslimanët u mblodhën rreth tij. Së bashku me të, ata u ngjitën në malin ku kishin ngritur kampin e tyre. Në mesin e tyre ishte Ebu Bekri, Umeri, Ali dhe El-Harith bin Es-Simmah El-Ensari.