Autor: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdil-lah bin Baz (v. 1420)
Burimi: Sherh el-Akidah el-Uasitijeh, fq. 81-82
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Shejkh-ul-Islam Ahmed Ibnu Tejmijeh (rahimehullah) ka thënë:
Nga besimi në ditën e gjykimit është besimi në çdo gjë që profeti ﷺ ka thënë se do të ndodhë pas vdekjes. Ata besojnë në mes tjerash në sprovën, ndëshkimin dhe shpërblimin në varr. Njerëzit sprovohen në varret e tyre. Secili prej tyre do të pyetet se kush është Zoti i tij, çfarë feje ka dhe kush është profeti i tij1:
يُثَبِّتُ اللّهُ الَّذِينَ آمَنُواْ بِالْقَوْلِ الثَّابِتِ فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَفِي الآخِرَةِ
”Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër.” 2
“Besimtari do të thotë: “Allahu është Zoti im, Islami është feja ime dhe Muhammedi ﷺ është i dërguari im. Dyshuesi do të thotë: Ah, ah nuk e di. Kam dëgjuar njerëz të thonë diçka dhe unë thashë po ashtu. Pastaj goditet me një çekan hekuri. Ai do të bërtasë me zë aq të lartë sa që të gjithë përveç njerëzve do ta dëgjojnë atë. Nëse një njeri e kishte dëgjuar atë, ai do të vdiste.” 3
Shpjegimi
Prej besimit të Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit është besimi në çdo gjë Allahu dhe i dërguari i Tij ﷺ kanë thënë, besimi në jetën tjetër, në xhenetin, në zjarrin, në llogaridhënien dhe në shpërblimin/dënimin. Të gjitha këto i besojnë Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati.
Prej saj është besimi në ndëshkimin dhe shpërblimin në varr. Ehl-us-Sunneti beson në të për dallim nga pasuesit e bidateve. Ata besojnë në ndëshkimin dhe shpërblimin në varr dhe se njerëzit sprovohen në varret e tyre. Secili do të pyetet se kush është Zoti i tij, çfarë feje ka dhe kush është profeti i tij:
يُثَبِّتُ اللّهُ الَّذِينَ آمَنُواْ بِالْقَوْلِ الثَّابِتِ فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَفِي الآخِرَةِ وَيُضِلُّ اللّهُ الظَّالِمِينَ وَيَفْعَلُ اللّهُ مَا يَشَاء
”Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, ndërsa të padrejtit Allahu i devijon. Allahu vepron çka të dojë.”
“Besimtari thotë se Zoti i tij është Allahu, se Islami është feja e tij dhe se Muhammedi ﷺ është profeti i Tij. Kafiri dyshues do të thotë se ai nuk e di. Hipokriti dhe kafiri do të thonë: Ah, ah nuk e di. Kam dëgjuar njerëz të thonë diçka dhe unë thashë po ashtu. Pastaj goditet me një çekan hekuri. Ai do të bërtasë me zë aq të lartë sa që të gjithë përveç njerëzve do ta dëgjojnë atë. Nëse një njeri e kishte dëgjuar atë, ai do të vdiste.”
1 Ebu Davudi (4753) dhe Tirmidhi (3120).
2 Ibrahim 14:27.
3 Abdurr-Rrezaku (6737), Ebu Davudi (4751), Bukhari (1338) dhe Muslimi (2870).