“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

6.Daveti dhe debati gjatë haxhit

Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)

Burimi: Manasik-ul-Haxh uel-Umrah, fq. 9-10

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane. com

5 – Dijetarët dhe njerëzit meritorë janë të obliguar t’ua mësojnë haxhive ritualet dhe dispozitat e haxhit sipas Kuranit dhe Sunnetit. Megjithatë, kjo nuk duhet t’i largojë ata nga thirrja në Teuhid që është baza e Islamit dhe arsyeja përse u dërguan të dërguarit dhe u shpallën librat e shenjta. Shumica që i kemi takuar – disa prej tyre madje i atribuohen dijes – kanë qenë jashtëzakonisht injorantë ndaj Teuhidit dhe cilësive të Allahut. Përveç kësaj, ata janë të shkujdesur se besimi, fikhu, të drejtat ligjore e civile, sjellja, politika, ekonomia dhe gjëra të tjera të muslimanëve duhet të bashkohen nga Kurani dhe Sunneti.

Ata duhet të dinë se të gjitha zërat e ngritur dhe reformat e ngritura që nuk janë bazuar në këtë rrugë të drejtë, vetëm se u shkaktojnë muslimanëve përçarje dhe dobësim, nënçmim dhe poshtërim. Kjo dëshmohet më së miri nga gjendja e sotme e përditshme.

Nëse është e nevojshme, lejohet të bëhen debate të mira. Ky lloji i ndaluar i debatit gjatë haxhit është ai që zhvillohet në emër të gënjeshtrave dhe të kotës. Sigurisht që është i ndaluar në çdo rast, ashtu si të gjitha mëkatet e tjera. Kështu, ndalimi nuk vlen për debatin e urdhëruar që për shembull përmendet në fjalët e Allahut (te’ala):

ادْعُ إِلِى سَبِيلِ رَبِّكَ بِالْحِكْمَةِ وَالْمَوْعِظَةِ الْحَسَنَةِ وَجَادِلْهُم بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ

”Thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) në mënyrën më të mirë.”1

Megjithatë është obligim për thirrësin që nëse vëren se nuk ka kurrfarë dobie për shkak të fanatizmit për medhhebin apo mendimin e tij, duhet të largohet nga kjo bisedë sepse nëse vazhdon, ka mundësi të ndodhë diçka që nuk lejohet, ndaj më mirë është ta braktis polemikën.

Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Unë jam garantues i një shtëpie në skaj të xhenetit për atë që e braktis një polemikë edhe nëse ai ka të drejtë.”2


1 En-Nahl 16:125

2 Hadithi është i mirë. Teksti i tij i plotë është në ”Sahih el-Xhami es-Saghir” (1477).

Shpërndaje: