Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

6.E hidhura e kësaj botë është e ëmbël në ahiret

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Ajo që ngushëllon të goditurin me fatkeqësi është që robi të shikojë me mençuri dhe të kuptojë se hidhësin e kësaj jetë, Allahu do t’ia shndërrojë në ëmbëlsi në botën tjetër. Ndërsa ëmbëlsia që njeriu përjeton në këtë botë (kënaqësitë e ndryshme që bien ndesh me sheriatin Islam), në fakt janë vetëm shkak i hidhërimit në botën tjetër. Prandaj themi se më mirë është të përjetosh vështirësi e hidhërim të përkohshëm në mënyrë që të përfitosh ëmbëlsi dhe kënaqësi të përhershme sesa anasjelltas. Nëse kjo nuk të është qartësuar tani, shiko se çfarë ka thënë ai që flet vetëm të vërtetën ﷺ: 

“Xheneti është i rrethuar me vështirësi, ndërsa xhehenemi është i rrethuar me epshe.”

Transmeton Muslimi (2822).

Në këtë çështje të kuptuarit e njerëzve ndryshon dhe këtu del në pah se kush janë burra të vërtetë. Në kohët e sotme shumica e njerëzve i japin përparësi ëmbëlsisë së përkohshme para asaj të përjetshme. Ata nuk janë në gjendje të durojnë një moment të hidhur për një kënaqësi të përjetshme. Nuk janë në gjendje të durojnë që të poshtërohen një moment për një lavdi të përjetshme. Nuk janë në gjendje që të durojnë e të sprovohen për një moment për një rehati të përjetshme. Kjo është për shkak se personi e sheh të tashmen ndërsa ajo që pritet në botën tjetër është e fshehtë tani, dhe se e ka besimin e dobët dhe udhëhiqet nga epshet. Ndërsa epshi e bën njeriun t’i jap përparësi jetës së kësaj bote dhe të mos mendoj shumë në lidhje me jetën e botës tjetër. Të tillë janë shumica e njerëzve të sotëm pa marrë parasysh se a kanë të bëjnë problemet e tyre me çështjet themelore apo të ndonjë rangu tjetër. Kjo nuk vjen nga asgjë tjetër përveçse si rezultat i dashurisë ndaj kësaj jete.

Uehb bin Munebih -rahimehullah- ka thënë se Isa bin Merjem ﷺ ka thënë: 

“Ata prej jush që e duan jetën e kësaj bote më së shumti, janë ata që vajtojnë më së shumti gjatë fatkeqësive.”

Sa për personin i cili shikon me sy të mprehtë që shpon perdet e kësaj jete dhe ka parasysh pasojat e mundshme, rasti i tij është një çështje krejtësisht tjetër. Shko në drejt të mirave, drejt begative, drejt shpëtimit dhe fitores së madhe që Allahu ka përgatitur për njerëzit e devotshëm, për të afërmit e Tij. Kurse qëndro larg poshtërimit, shkatërrimit dhe dënimit të përjetshëm që Allahu ka përgatitur për njerëzit e këqij, për ata të cilët e meritojnë këtë. Prandaj zgjidh kategorinë që të përshtatet më së miri. Secili bën atë që është e përshtatshme për të. Secili shkon drejt asaj që është më mirë për të. Kjo është këshilla e vëllait tënd në lidhje me atë që është më mirë për ty dhe që të ngushëllon.

Shpërndaje: