Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

6.Urdhëri i Ebu Hanifes për t’iu përmbajtur sunnetit

Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)
Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 41-43
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Është e dobishme për të përmendur thëniet e imamëve për pasimin e sunnetit dhe largimin nga mendimet e tyre nëse janë në kundërshtim me sunnetin. Kjo është një këshillë për ata që i pasojnë ata verbërisht dhe njerëzit që janë shumë më poshtë se ata1 dhe të cilët iu përmbahen medhhebeve të tyre sikurse ato të ishin dërguar nga qielli. Ndërsa Allahu -azze ue xhel- thotë:

“Ndiqni çfarë ju është zbritur juve nga Zoti juaj dhe mos shkoni pas asnjë eulijai (ndihmues a mbrojtës që ju urdhëron të adhuroni të tjerë përveç a përkrah Allahut) tjetër pos Atij (Allahut). Sa pak që përkujtoni!”2

1 – Ebu Hanife -rahimehullah-.

I pari prej tyre ishte imam Ebu Hanife En-Nu’man bin Thabit -rahimehullah-. Pasuesit e tij kanë transmetuar thënie të ndryshme nga ai. Emëruesi i përbashkët i tyre është i njëjtë; është e detyrueshme për të praktikuar hadithet dhe për r’u larguar nga mendimet që i kundërshtojnë hadithet.

Ai tha për shembull:

1 – “Nëse një hadith është autentik, atëherë ai është medhhebi (mendimi) im.”3

2 – “Askujt nuk i lejohet të merr mendimin tonë përderisa ai nuk e di nga ku e kemi marrë atë.”4

Në një tjetër formulim, ai thotë:

“Është e ndaluar për atë që nuk e njeh argumentin tim që të jep fetva sipas mendimit tim.”

Në një formulim të tretë shtojca thotë:

“Sepse ne jemi njerëz; ne themi një gjë sot dhe nesër tërhiqemi prej saj.”

Në një formulim të katërt, ai thotë:

“Mjerë për ty Jakub (Ebu Jusuf)! Mos shkruaj çdo gjë që dëgjon nga unë. Unë mund të kem një mendim sot nga i cili tërhiqem nesër dhe një mendim nesër nga i cili tërhiqem pasnesër.” 5

3 – “Nëse unë them diçka që shkon kundër librit të Allahut -te ala- dhe transmetimit të dërguarit ﷺ atëherë ju duhet të braktisni mendimin tim.”6


1 Për këtë pasim të verbër imam Tahaui tha:

“Vetëm një fanatik ose budalla pason verbërisht.”

Cituar nga Ibn Abidin në “Rasm-ul-Muftiu” në “Mexhmu-ur-Resa’il” (1/32).

2 7:3

3 Ibn Abidin në “El-Hashijeh (1/63)” dhe “Rasm-ul-Mufti” në “Mexhmu-ur-Resa’il (1/4)” dhe Salih Shejkh El-Fulani në “Ikadh-ul-Himam, fq. 62”. Ibn Abidin citoi këtë që vijon nga “Sherh-ul-Hidaje” të Ibn Shahnahit: “Nëse hadithi autentik thotë një gjë kurse medhhebi një gjë tjetër, atëherë hadithi duhet të praktikohet dhe të merret. Kjo nuk do të thotë se ai që e praktikon hadithin ndalon nga të qenurit Hanefi!

Është transmetuar në mënyrë autentike se Ebu Hanife ka thënë:

“Nëse një hadith është autentik atëherë ai është medhhebi (mendimi) im.”

Këtë e citoi Ibn Abdil-Berr nga Ebu Hanife dhe nga imamë të tjerë.”

Kjo dëshmon diturinë dhe devotshmërinë e tyre të plotë sepse ata treguan se nuk kanë dije në lidhje me të gjitha sunnetet. Këtë e tha imam Shafeiu qartë. Mund të ndodhë që ata të bënin diçka që e kundërshtonte sunnetin sepse atyre nuk u kishte arritur ai sunnet akoma. Prandaj ata na urdhëruan që t’i përmbahemi sunnetit dhe ta konsiderojmë sunnetin si pjesë të medhhebeve të tyre. Allahu -te ala- i faltë të gjithë ata!

4 Ibn Abdil-Berr në El-Intika fi Fada’il-il-A’immeh El-Fukaha, fq. 145”, Ibnul Kajimi në “I’lam-ul-Muvaki’in (2/309)”, Ibn Abidin në komentimin e tij të “El-Bahr El-Fa’ik (6/293)” dhe “Rasm-ul-Mufti fq. 29 dhe 32”, dhe Esh-Sha’rani në “El-Mizan (1/55)”, duke përfshirë transmetimin e dytë. Transmetimi i tretë transmetohet nga Abbas Ed-Duri në librin “Et-Tarikh (1/77/6)” nga Ibn Main me një zinxhir të saktë transmetimi nga Zufar. Deklaratë e ngjashme është transmetuar nga shokët e tij si Zufar, Ebu Jusuf dhe Afijeh bin Jezid, siç është përmendur në “El-Ikadh, fq. 65” nëpërmjet ndër të tjerash nga Ibn Abdil-Berri dhe Ibnul Kajimi.

Nëse ata thanë kështu në lidhje me personin i cili nuk e njeh argumentin e tyre, unë pyes veten se çfarë ata mendonin në lidhje me personin i cili i di argumentet dhe megjithatë zgjedh mendimin e tyre para argumentit. Mendoni për këtë. Vetëm kjo vetvetiu shkatërron pasimin e tyre të verbër. Kur unë një herë e qortova për një fetva njërin nga këta pasuesit e verbër me mendimin e Ebu Hanifës, argumentet e të cilit ai nuk i dinte, ai mohoi se Ebu Hanife ka thënë kështu!

5 Kjo ishte për shkak se imami shpesh i ndërtonte mendimet e tij në analogji. Pastaj ai mund të gjente një analogji më të fortë ose të mësonte një hadith të profetit ﷺ për të cilin ai e braktiste mendimin e tij të mëparshëm.

Esh-Sha’rani ka thënë:

“Si unë dhe të gjithë njerëzit e tjerë të paanshëm mendojmë se po të ishte gjallë Ebu Hanife -radijAllahu anhu- sot, kur sheriati është shkruar dhe mbledhur në libra, ai do ta kishte pranuar atë dhe do të braktiste të gjitha analogjitë e tij. Ashtu sikurse analogjitë e medhhebeve të tjera do të ishin më të pakta. Por pasi që argumentet e sheriatit në kohën e tij ishin të shpërndara së bashku me tebiinët dhe tebitebiinët në qytete, fshatra dhe kufij ku kishte luftë, analogjia domosdoshmërisht u aplikua në medhhebin e tij dukshëm më shumë se sa në medhhebet e tjera sepse medhhebi i tij nuk kishte qasje në tekstet mbi çështjet mbi të cilat ata aplikuan analogjinë për dallim nga imamët e tjerë të cilët udhëtuan nëpër qytete dhe fshatra për të kërkuar, përpiluar dhe për të shkruar hadithe. Kështu u plotësuan hadithet e shkruara radhazi. Pra, kjo është arsyeja e analogjisë së shumtë në medhhebin e tij kurse ishte e pakët në medhhebet e tjera.” (El-Mizan (1/62)).

Pjesa më e madhe u citua nga Ebul-Hasanat në “En-Nafi El-Kebir, fq. 135”, të cilit ai i shkroi edhe komentet mbështetëse dhe sqaroi. Ai që dëshiron gjithmonë mund t’i referohet atij. Nëse ky është justifikimi i Ebu Hanifes për të pasur disa mendime që kanë kundërshtuar hadithet autentike pa qëllim, atëherë nuk është e lejueshme për ta fyer atë gjë të cilën e bëjnë disa injorantë. Është e detyrueshme për ta respektuar atë. Megjithatë, ai është një prej imamëve musliman me anë të cilit Allahu e ka ruajtur këtë fe dhe janë përhapur degëzimet e fikhut të tij tek ne. Ai shpërblehet në çdo rast pavarësisht nëse ai ia qëlloi apo gaboi. Por as nuk është e lejuar për ata që e nderojnë atë që t’i përmbahen mendimeve të tij që kundërshtojnë hadithet sepse ato mendime nuk janë medhhebi i tij, të cilën ti e ke parë se ai e ka thënë. Këto dy qëndrime janë të kundërta me njëra-tjetrën. E vërteta qëndron në mes të dyjave: 

“Dhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “Zoti ynë! Na fal ne dhe vëllezërit tanë të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë grimcë urrejtje ndaj besimtarëve; Zoti ynë! Vërtet Ti je i Butë, Mëshirues!” 59:10

6 El-Fulani në “El-Ikadh fq. 50”, i cili i dedikoi imam Muhamedit deklarata të ngjashme.

Pastaj ai tha:

“Kjo dhe të ngjashme nuk vlejnë për një muxhtehid për shkak se ai nuk ka nevojë për atë – kjo vlen për personin i cili pason verbërisht.”

Bazuar në këtë Esh-Sha’rani tha:

“Nëse pyet veten se çfarë duhet të bësh me hadithet të cilat u vërtetuan pas vdekjes së imamit tënd dhe të cilat ai nuk i miratoi, ti duhet ta dish se duhet t’i praktikosh ato. Nëse imami yt do t’i kishte njohur ato dhe t’i kishte konsideruar ato të jenë autentike, ai me siguri do të kishte urdhëruar ty që t’i praktikosh ato. Të gjithë imamët janë peng përballë sheriatit. Ai që e bën këtë ka kapur tërë mirësinë me duart e tij. Ai që praktikon vetëm hadithet të cilat imami i tij praktikoi humbet një sasi të madhe të mirësisë. I tillë është rasti me shumë njerëz të cilët pasojnë medhhebet e imamëve verbërisht. Do të kishte qenë më mirë për ta që të kenë njohuri lidhur me të gjitha hadithet që janë vërtetuar nga imami i tyre dhe në këtë mënyrë të aplikojnë thirrjen e imamit të tyre. Ne besojmë se në qoftë se imamët kishin jetuar më gjatë dhe t’i kishin lexuar hadithet që janë vërtetuar pas tyre, ata me siguri do t’i kishin pranuar ato, do t’i kishin praktikuar ato dhe do të kishin braktisur të gjitha analogjitë dhe mendimet e mëparshme.” (El-Mizan (1/26)).

Shpërndaje: