Autor: Imam Ahmed bin Hanbel
Komentues i librit: Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali
Burimi: Komentimi i librit të imam Ahmedit ”Sherh Usul-is-Sunneh” fq. 437-438
Përktheu: Valdet Gashi
Imam Ahmedi (rahimehullah) ka thënë:
”Hipokrizia (nifaku) është kufër dhe do të thotë që të mohosh Allahun dhe të adhurosh dikë tjetër pos Tij, kurse njëkohësisht e shfaq Islamin publikisht. Kështu vepruan hipokritët në kohën e të të dërguarit të Allahut ﷺ.”
Shpjegimi
Nifaku është të shfaqesh si musliman dhe të fshehësh mosbesimin, pavarësisht nëse personi adhuron dikë tjetër pos Allahut apo jo. Ndoshta ai mund të jetë heretik si komunistët të cilët as nuk e adhurojnë Allahun e as dikë tjetër. Ai që shfaqë Islamin dhe e fsheh mosbesimin është hipokrit (munafik), pavarësisht nëse ai e adhuron dikë tjetër pos Allahut apo jo. Përkufizimi i hipokrizisë është siç kam thënë pra, që të shfaqë Islamin nga hipokrizia, gënjeshtra dhe ruajtja nga të tjerët, ndërsa e fshehë mosbesimin.
Shumë njerëz thonë se ata i përkasin Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit kurse në fakt ata janë bidatçi. Në brendësinë e tij, ai pranon risitë, ndërsa nga ana e jashtme ai shfaqet dhe thotë se i përket Ehl-us-Sunnetit. Kjo është hipokrizi. Ata mbështesin pasuesit e bidateve dhe pranojnë bidatet dhe thonë se ata janë Ehl-us-Sunneh. Megjithatë karakteristikat e tyre veçuese alarmojnë se ata janë në anën e pasuesve të bidateve dhe miratojnë metodologji për t’i mbrojtur ata.
Ne duam që të kemi rini të zgjuar dhe mendjemprehtë që kanë dashuri ndaj Allahut, ndaj të dërguarit të Tij ﷺ dhe i duan besimtarët dhe në veçanti sahabët e Muhammedit ﷺ. Nëse ne shohim një mangësi në këtë dashuri, ne e kuptojmë se ka një mungesë në besim. Një mangësi e tillë është shumë e rrezikshme dhe një humbje e madhe.
Hipokriti e shfaq Islamin dhe e fsheh mosbesimin. Ai e shfaq Islamin haptas. Kështu vepruan hipokritët në kohën e të dërguarit të Allahut ﷺ. Shejkh-ul-Islam Ibnu Tejmijeh (rahimehullah) thotë se disa besojnë se hipokrizia ekzistoi vetëm në kohën e të dërguarit ﷺ, e cila më vonë u zhduk. Kjo është gabim. Hudhejfe (radijAllahu anhu) ka thënë:
”Hipokrizia e sotme është më e keqe se ajo që ishte në kohën e të dërguarit të Allahut ﷺ.” Kur ai u pyet në lidhje me arsyen, ai tha: ”Në kohën e të dërguarit të Allahut ﷺ hipokriët e fshihnin hipokrizinë. Sot ata e shfaqin atë haptas.”
Sot, hipokrizia është e zakonshme dhe veçanërisht në mesin e rrymave të orientuara politikisht. Ka disa prej tyre të cilët vetë e kanë pranuar. Të tjerë kanë thënë:
”Unë nuk njohë ndonjë politikan i cili nuk gënjen.”
Disa njerëz kanë thënë:
”Politika është hipokrizi.”
Shumë politikanë në rrymat politike kanë një hipokrizi praktike. Një nga karakteristikat e tyre është se ata janë në anën e pasuesve të bidateve dhe miratojnë metodologji të rrezikshme për të luftuar dhe për të shkatërruar Ehl-us-Sunnetin. Disa prej këtyre metodologjive është metodologjia e bilancimit mes kritikës dhe lavdatës, flitet për metodologjinë e gjërë që përfshin tërë umetin dhe parime të tjera që kanë për qëllim që të luftojnë Ehl-us-Sunentin dhe për të mbrojtur pasuesit e bidateve dhe të devijimeve.