Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
1 – I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
”Përkujtojeni shpesh shkatërruesin e kënaqësive (vdekjen).”
Transmeton Tirmidhi (2307). Autentik sipas imam Albanit në ”Sahih Sunen et-Tirmidhi (2307)”.
2 – Përveç çdo urtësie të cilën e kemi përmendur në këtë libër, i mençuri është i obliguar që të përkujtojë vdekjen gjithmonë dhe të mos mashtrohet nga kjo jetë. Vdekja është një mulli krahët e të cilit sillen në mesin e të gjitha krijesave. Vdekja është një kupë nga e cili të gjithë të gjallë duhet të pinë dhe ta shijojnë.
3 – Vdekja shkatërron kënaqësitë, përmbytë epshet, trazon kohët, largon mangësitë.
4 – Ebul-Atahijeh ka thënë:
”Hyra tek udhëheqësi i besimtarëve Harun [er-Rashid], kur më pa tha:
”Ebul-Atahijeh?”
I thashë: ”Ebul-Atahijeh.”
Ai tha: ”Poeti?”
I thashë: ”Poeti.”
Ai tha: ”Më qorto me disa poezi të shkurtra.”
Atëherë lexova:
Kurrë mos u ndjejë i sigurt ndaj vdekjes
Edhe nëse do të mbrohesh me roje
Duhet ta dish se shigjetat e vdekjes hidhen kundër
Çdo njëri i cili e mbron veten me armë dhe mburoja
A po shpreson shpëtimin pa ecur rrugës së tij?
Anija nuk lundron në tokë
Haruni ra pa vetëdije.”
5 – I mençuri nuk e harron atë çfarë e pret. Sa umete i ka shfarosur vdekja? Sa shumë qytete i ka lënë shkret? Sa shumë gra i ka lënë veja? Sa shumë fëmijë i ka lënë jetimë? Sa shumë vëllezër i ka lënë të vetëm?
6 – Sikurse e kemi përmendur, i mençuri nuk lejon që të mashtrohet nga një gjendje të cilës po i afrohet fundi. Ai nuk mbështetet në një jetë që përfundon në mënyrën e përmendur. Nuk e harron gjendjen e cila në mënyrë të pashmangshme është duke e pritur atë. Vdekja është një gjahtar të cilit nuk mundet t’i shpëtojë personi i ambientuar dhe nuk mundet t’i shpëtojë refugjati.
7 – Ibn-us-Simak ka thënë:
”Një peshkatar nga popujt e lashtë doli për peshkim. E hodhi rrjetën në det, pastaj e tërhoqi atë dhe gjeti një kafkë të njeriut në të. Shikoi në të, filloi të qajë dhe tha: ”Ishe i fuqishëm por nuk u le në fuqinë tënde. Ishe i pasur por nuk u le në pasurinë tënde. Ishe i varfër por nuk u le në varfërinë tënde. Ishe bujar por nuk u le në bujarinë tënde. Ishe i ashpër por nuk u le në ashpërsinë tënde. Ishe i ditur por nuk u le në dijeninë tënde.” Përsëriste fjalët e tij dhe qante.”
8 – Abdul-Mun’im er-Rajjahi ka thënë:
”Malik bin Dinar u zhduk një ditë. Kur u kthye, e pyetën se ku kishte qenë. Ai tha: ”Në el-Ubullah.” E pyetën për gjënë më të bukur që kishte pa aty. Ai tha: ”Një grua që rrinte në këmbë dhe lutej.” E pyetën për gjënë më të çuditshme që kishte pa aty. Ai tha: ”Një Kala në Bahrejn. Mbi derën e saj shkruante:
Dëshirova një jetë sikurse jeta e më të lumturve
Dhe jetova në mënyrë magjepsëse dhe të lumtur
Betohem në Zotin e njerëzve, nuk zgjati shumë kohë
Derisa u largova nga miqtë dhe njerëzit e dashur
9 – Salih el-Murri ka thënë:
”Një ditë shumë të nxehtë hyra tek varrezat ku pashë se si varret ishin të qeta. Sikurse të ishin njerëz të heshtur.
Thashë: ”I pa të meta është Allahu! Kush do të sjellë së bashku shpirtrat dhe trupat tuaj pasi kanë qenë të ndara? Kush do t’u ringjallë pas një kohe të gjatë në kalbje?”
Atëherë një zë u dëgjua nga një varr: ”O Salih!
وَمِنْ آيَاتِهِ أَن تَقُومَ السَّمَاء وَالْأَرْضُ بِأَمْرِهِ ثُمَّ إِذَا دَعَاكُمْ دَعْوَةً مِّنَ الْأَرْضِ إِذَا أَنتُمْ تَخْرُجُونَ
”Dhe një prej shenjave të Tij është që qiejt dhe toka qëndrojnë sipas urdhrit të Tij, pastaj kur t’ju thërrasë Ai, me një të thirrur, ju përnjëherë do të dilni nga toka (të ringjallur).” Er-Rum, 30:25
Betohem në Allahun se rashë pa ndjenja.”
10 – Kemi përmendur vetëm disa, përndryshe ka jashtëzakonisht transmetime të shumta në këtë libër. Shpresoj se kjo është e mjaftueshme për atë që dëshiron të udhëtojë në rrugën e të mençurve, vetëm sikurse të meditojë në lidhje me këtë dhe të veprojë sipas lësaj.
Hamdi dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi profetin e fundit Muhammedin, mbi familjen e tij të pastër. Hamdi dhe lavdërimi i takon Allahut, Zotit të krijesave.