Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: et-Ta’likat el-Mukhtasarah alal-Akideh et-Tahauijjeh, fq. 72-73
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Ebu Xha’fer el-Uarrak et-Tahaui (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:
54-Shikimi i Allahut nga ana e besimtarëve është i vërtetë – pa e përfshirë Atë dhe pa e imagjinuar.
SHPJEGIMI
Do të thotë besimtarët do ta shohin Zotin e tyre (subhanehu ue te ala) në ditën e gjykimit. Ata do ta shohin Atë me sytë e tyre sikurse e shohin hënën e plotë dhe diellin që shkëlqen në një qiell pa re dhe për këtë na ka lajmëruar profeti i zgjedhur ﷺ në hadithet e sakta muteuatir, prandaj autori (rahimehullah) tha:
“Shikimi i Allahut nga ana e besimtarëve është i vërtetë.”
Do të thotë se kjo është konfirmuar në Kuran dhe sunnet dhe nga konsensusi i Ehlus-Sunnetit dhe Xhematit prej selefëve dhe atyre që erdhën më pas. Vetëm bidatçinjtë dhe pasuesit e besimeve të devijuara mendojnë ndryshe.
Siç u tha, besimtarët do ta shohin Zotin e tyre.
Allahu (subhaneh) ka thënë:
وُجُوهٌ يَوْمَئِذٍ نَّاضِرَةٌ إِلَى رَبِّهَا نَاظِرَةٌ
“Atë ditë do të ketë fytyra që shkëlqejnë, që Zotin e tyre e shikojnë.” 1
Do të thotë që fytyrat e besimtarëve do të jenë të bukura dhe do të shkëlqejnë siç ka ardhur në ajet:
تَعْرِفُ فِي وُجُوهِهِمْ نَضْرَةَ النَّعِيمِ
“Në fytyrat e tyre që shkëlqejnë mund të kuptosh kënaqësinë e përjetimeve.” (83:24)
Sipas ajetit, ata do ta shohin me sytë e tyre, sepse parafjala (إِلَى) përdoret kur shikimi bëhet me anë të syve. Përndryshe fjala (النظر) mund të ketë disa kuptime por kur përmendet së bashku me parafjalën (إِلَى) i referohet shikimit të syve:
أَفَلَا يَنظُرُونَ إِلَى الْإِبِلِ كَيْفَ خُلِقَتْ
“A nuk i shohin devetë se si janë krijuar?” 2
Me fjalë të tjera, a nuk shikojnë ata me sytë e tyre këto krijime të çuditshme e të mahnitshme që vërtetojnë fuqinë e Allahut (azze ue xhel)? Gjithashtu në ajetin e mëparshëm përmendet shikimi (النظر) me parafjalën (إِلَى).
Ndërsa nëse fjala (النظر) do të ishte e vetme në fjali pa patur parafjalën (إِلَى), kuptimi i saj në këtë rast tregon për qëndrim dhe pritje:
يَوْمَ يَقُولُ الْمُنَافِقُونَ وَالْمُنَافِقَاتُ لِلَّذِينَ آمَنُوا انظُرُونَا نَقْتَبِسْ مِن نُّورِكُمْ
“Ditën kur hipokritët dhe hipokritet do t’u thonë besimtarëve: “Na prisni edhe ne që të ndriçohemi prej dritës suaj!” 3
Ata do të dëshirojnë të marrin pjesë nga drita e besimtarëve sepse drita e tyre tashmë është shuar dhe për këtë i kërkojmë mbrojtje Allahut. Kur mbeten në errësirë ata kërkojnë nga besimtarët që t’i presin në mënyrë që të marrin nga drita e tyre. Një shembull tjetër është Fjala e Allahut (te ala):
هَلْ يَنظُرُونَ إِلاَّ أَن يَأْتِيَهُمُ اللّهُ فِي ظُلَلٍ مِّنَ الْغَمَامِ وَالْمَلآئِكَةُ
“A mos presin atëherë për ndonjë gjë tjetër veçse t’u vijë Allahu në hijen e reve me engjëjt?” 4
Do të thotë e vetmja gjë që ata presin është ardhja e Zotit në ditën e gjykimit në mënyrë që Ai t’i gjykojë robërit e Tij.
Fjala (النظر) mund të përmendet gjithashtu me parafjalën (فی). Në këtë rast, kjo i referohet të menduarit dhe të reflektuarit.
Allahu (te ala) ka thënë:
أَوَلَمْ يَنظُرُواْ فِي مَلَكُوتِ السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضِ وَمَا خَلَقَ اللّهُ مِن شَيْءٍ
“A nuk shohin në sundimin e qiejve dhe të tokës dhe në çdo gjë që ka krijuar Allahu?” 5
A nuk meditojnë ata për ato krijesa që Allahu ka krijuar në qiej dhe në tokë për të kuptuar fuqinë e Tij dhe se e drejta për adhurim i takon vetëm Allahut?!
Pra si përfundim, kur fjala (النظر) përmendet së bashku me parafjalën (إِلَى) ajo i referohet shikimit me sy.
1 75:22-23
2 88:17
3 57:13
4 2:210
5 7:185