Autor: Imam Muhammed bin Abdul-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Sherh Kitab-it-Teuhid, fq. 171-174
Përktheu: Valdet Gashi
Shejkh-ul-Muhammed bin Abdul-Uehab -rahimehullah- ka thënë:
1 – Allahu -te ala- ka thënë:
وَاحْفَظُواْ أَيْمَانَكُمْ
“Mbani betimet tuaja!” El-Maideh, 5:89
2 – Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- tregoi se e ka dëgjuar të dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë:
”Betimi nxit shitjen e mallit, por e humb bereqetin.”
Transmeton Bukhari (2087) dhe Muslimi (1606).
3 – Selmani -radijAllahu anhu- transmeton se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Janë tre lloje njerëzish të cilëve Allahu nuk do t’i flasë dhe as që do t’i pastrojë dhe për ta do të ketë dënim të ashpër. Ata janë: “Zinaqari i thinjur, i varfëri mendjemadh dhe ai i cili e ka bërë betimin në Allahun si mall tregu duke bërë shitblerje vetëm duke u betuar.”
Transmeton Tabarani në ”el-Mu’xhem el-Kebir (6111)” me një zinxhir të saktë transmetimi. Autentik sipas Albanit në ”Sahih-ul-Xhami (3072)”.
4 – Është transmetuar në mënyrë autentike nga Imran bin Husejn -radijAllahu anhu- i cili tregoi se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Më të mirët e umetit tim janë brezi im, pastaj ata që vijnë pas tyre. (Imrani tha: nuk e di, a përmendi pas brezit të tij dy apo tre breza). Pastaj do të vijnë njerëz që dëshmojnë pa u kërkuar të dëshmojnë, që tradhtojnë dhe prandaj njerëzit nuk ua besojnë amanetin, betohen dhe nuk i përmbushin betimet, dhe tek ta do të mbizotërojë mbipesha.”
Transmeton Bukhari (2651) dhe Muslimi (2535).
5 – Është transmetuar në mënyrë autentike nga Ibn Mesudi -radijAllahu anhu- se profeti ﷺ ka thënë:
“Më të mirët e njerëzimit janë brezi im pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre. Pas kësaj do të vijnë njerëz dëshmia e të cilëve do t’i paraprijë betimit të tyre dhe betimi i tyre do t’i paraprijë dëshmisë së tyre.”
Transmeton Bukhari (2652) dhe Muslimi (2533).
6 – Ibrahim en-Nakhai tha:
“Kur ishim të vegjël na rrihnin për dëshminë dhe besën.”
Transmeton Bukhari (6608) dhe Muslimi (1639).
Shpjegimi:
Në këtë kapitull autori dëshiron të sqaroj se betimi i shpeshtë e mangëson besimin dhe teuhidin sepse kjo shkakton gjërat vijuese:
1 – Shpërfilljen dhe që të merret me lehtësi kjo çështje.
2 – Gënjeshtrën.
3 – Dyshimet lidhur me betimet.
Ai që betohet shpesh bie në gënjeshtër. Prandaj nuk duhet betuar shumë dhe shpesh.
1 – Allahu -te ala- ka thënë:
وَاحْفَظُواْ أَيْمَانَكُمْ
“Mbani betimet tuaja!” El-Maideh, 5:89
Urdhri do të thotë obligim. Prandaj është obligim që të kujdesemi për betimin përderisa nuk është e nevojshme që të betohemi. Besimtarët kujdesen dhe ruhen nga betimet përveç kur është e nevojshme apo kur arrihet një dobi sheriatike, kur zgjidhet një mosmarrëveshje dhe të ngjashme.
Megjithatë, nuk duhet betuar shpesh. Sikurse u tha ekziston rreziku që të ketë dyshime në betimin e personit.
2 – Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- tregoi se e ka dëgjuar të dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë:
”Betimi nxit shitjen e mallit, por e humb bereqetin.”
Transmeton Bukhari (2087) dhe Muslimi (1606).
Kjo dëshmon se betimet e shumta shpien në gabime. Ky person betohet sepse dëshiron të shesë mallin e tij por bie në një rrezik kur e humb fitimin privohet nga bereqeti. Sigurisht e shet mallin kur betohet në Allahun se është mall i mirë dhe e thotë këtë e atë në mënyrë që njerëzit t’i besojnë dhe e blejnë mallim por nuk ka fitim në këtë për shkak se e merr me lehtësi çështjen e betimit.
Malli mund të shitet me betim të rremë dhe betim të besueshëm por betimet e shpeshta shpien në gabime. Lakmia mund ta bëjë shitësin që të fillojë të gënjej. Prandaj është obligim për t’iu shmangur gjërave të tilla. Këto betime rezultojnë humbjen e bereqetit dhe sjellin mëkate.
3 – Selmani -radijAllahu anhu- transmeton se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Janë tre lloje njerëzish të cilëve Allahu nuk do t’i flasë dhe as që do t’i pastrojë dhe për ta do të ketë dënim të ashpër. Ata janë: “Zinaqari i thinjur, i varfëri mendjemadh dhe ai i cili e ka bërë betimin në Allahun si mall tregu duke bërë shitblerje vetëm duke u betuar.”
Transmeton Tabarani në ”el-Mu’xhem el-Kebir (6111)” me një zinxhir të saktë transmetimi. Autentik sipas Albanit në ”Sahih-ul-Xhami (3072)”.
Pavarësisht nga fakti se personi është i varfër, ai është mendjemadh. I pasuri mund të jetë mendjemadh për shkak se posedon pasuri, ndërsa i varfëri nuk ka arsye të jetë mendjemadh. Ai është mendjemadh vetëm për shkak se e ka këtë natyrshmëri dhe këtë cilësi në zemrën e tij.
Në këtë hadith ka një paralajmërim ndaj këtyre cilësive duke përfshirë zinanë (imoralitetin) e të moshuarit. Kjo është shumë e rëndë sepse i riu mund të pendohet dhe të ndalet. E vetmja gjë që e shtyn të moshuarin të bjerë në këtë mëkat është se e ka të ngulitur këtë vepër të shëmtuar thellë në brendësin e tij. Dijetarët thonë se hadithi është dëshmi se aq më i dobët të jetë epshi aq më e rëndë është kryerja e zinasë.
4 – Është transmetuar në mënyrë autentike nga Imran bin Husejn -radijAllahu anhu- i cili tregoi se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Më të mirët e umetit tim janë brezi im, pastaj ata që vijnë pas tyre. (Imrani tha: nuk e di, a përmendi pas brezit të tij dy apo tre breza). Pastaj do të vijnë njerëz që dëshmojnë pa u kërkuar të dëshmojnë, që tradhtojnë dhe prandaj njerëzit nuk ua besojnë amanetin, betohen dhe nuk i përmbushin betimet, dhe tek ta do të mbizotërojë mbipesha.”
Transmeton Bukhari (2651) dhe Muslimi (2535).
Imrani tha: ”nuk e di, a përmendi pas brezit të tij dy apo tre breza”.
Megjithatë, është transmetuar në të vërtetë nga Umeri në ”el-Musned” dhe nga Ibn Mesudi -radijAllahu anhuma- se ai ﷺ përmendi dy breza pas brezit të tij:
“Pastaj do të vijnë njerëz që dëshmojnë pa u kërkuar të dëshmojnë, që tradhtojnë dhe prandaj njerëzit nuk ua besojnë amanetin, betohen dhe nuk i përmbushin betimet.”
Kjo do të thotë se gjendjet do të ndryshojnë pas tre brezave më të mirë. Pas tyre shfaqet mashtrimi, thyerja e betimeve dhe dëshmitë e rreme për shkak të besimit të dobët, të injorancës mbizotëruese dhe gabimeve të shumta dhe të mëdha.
Është e detyrueshme përmbushja e betimeve dhe ky është tipik i besimtarëve. Por nuk duhen betuar shpesh sepse hadithi thotë:
Profeti ﷺ e ndaloi betimin dhe tha: “Betimi nuk sjell të mira, dhe nuk del veçse nga ai që është koprrac‘”
Transmeton Bukhari (6608) dhe Muslimi (1639).
Por ai i cili bën një betim të lejuar duhet ta plotësojë atë. Ndërsa betimi i gabuar nuk duhet të plotësohet edhe pse obligohet të bëjë kefara (shpagim) për të:
”dhe tek ta do të mbizotërojë mbipesha.”
Kjo është për shkak të neglizhencës së tyre, bollëkut, begative dhe epsheve. Kjo nuk do të thotë se personi me mbipeshë përfshihet në mënyrë të pashmangshme nga hadithi apo se ai është i keq sepse mund të ketë njerëz të trashë dhe të drejtë. Hadithi i referohet neglizhencës dhe shpërfilljes së përgatitjeve për jetën e ardhshme.
5 – Është transmetuar në mënyrë autentike nga Ibn Mesudi -radijAllahu anhu- se profeti ﷺ ka thënë:
“Më të mirët e njerëzimit janë brezi im pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre. Pas kësaj do të vijnë njerëz dëshmia e të cilëve do t’i paraprijë betimit të tyre dhe betimi i tyre do t’i paraprijë dëshmisë së tyre.”
Transmeton Bukhari (2652) dhe Muslimi (2533).
Hadithi përfshin të gjithë njerëzit e atij brezi të cilët janë brezi i sahabëve -radijAllahu anhum-. Ata janë njerëzit më të mirë pas profetëve. Pas tyre vijnë tebiinët, dhe pas tyre vijnë etba tebiinët:
”Pas kësaj do të vijnë njerëz dëshmia e të cilëve do t’i paraprijë betimit të tyre dhe betimi i tyre do t’i paraprijë dëshmisë së tyre.”
Kjo është për shkak se ata e marrin shumë lehtë çështjen e betimit dhe nga besimi i tyre i dobët. Besimtari flet vetëm të vërtetën kur dëshmon, dhe dëshmon vetëm kur është e nevojshme.
6 – Ibrahim en-Nakhai tha:
“Kur ishim të vegjël na rrihnin për dëshminë dhe besën.”
Transmeton Bukhari (6608) dhe Muslimi (1639).
Selefët i rrihnin fëmijët e tyre kur ata dëshmonin dhe betoheshin në mënyrë që të mos adaptoheshin me këtë dhe kështu të dëshmojnë rrejshëm dhe të pajtohen me betimet e padrejta. Fëmija që mësohet me një sjellje të tillë do ta marrë të lehtë këtë çështje kur të rritet. Kjo dëshmon se selefët kujdeseshin për edukimin e fëmijëve të tyre përgjatë cilësive të bukura dhe edukimit të duhur. Ky është obligim i çdo muslimani.