Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

62.Ndërmjetësimi madhështorë

Autor: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)

Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdil-lah bin Baz (v. 1420)

Burimi: Sherh El-Akidah El-Uasitijeh, fq. 95-97

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam Ahmed Ibnu Tejmijeh (rahimehullah) ka thënë:

Profeti ﷺ ka tre ndërmjetësime të posaçme në ditën e gjykimit:

1 – Ai do të ndërmjetësojë për njerëzit në vendin e tubimit. Njerëzit do të shkojnë tek Ademi, tek Nuhu, tek Ibrahimi, tek Musai, tek Isa bin Merjem (alejhimus-selam) dhe do t’u kërkojnë atyre të ndërmjetësojnë por ata do të kërkojnë ndjesë, derisa ata të shkojnë tek Muhammedi ﷺ.

Shpjegimi

Sikurse u tha, profeti ﷺ ka tre ndërmjetësime të posaçme në ditën e gjykimit:

1 – Ndërmjetësimi i madh për njerëzit në vendin e tubimit në mënyrë që ata të gjykohen. Kjo ndodhë pasi që profetët Adem, Nuh, Ibrahim, Musa dhe Isa bin Merjem (alejhimus-selam) të arsyetojnë vetveten. Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) ka transmetuar se profeti ﷺ ka thënë:

Unë do të jem prijësi i njerëzimit në ditën e gjykimit. Po, a dëshironi të dini përse? Në ditën e gjykimit Allahu do t’i grumbulloj të gjithë njerëzit të parët dhe të fundit në një vend. Ata do të dëgjojnë një thirrës, shikimi i tyre do të jetë vëzhgues dhe dielli do t’u afrohet atyre. Njerëzit do të ndiejnë një ankth dhe vështirësi të padurueshëm. Ata do t’i thonë njëri tjetrit: “A nuk po e shihni se në çfarë gjendje jemi, a nuk po kërkoni ndonjërin që të ndërmjetësoj për ju tek Zoti juaj?” Ata do t’i thonë njëri tjetrit: “Shkoni tek Ademi ﷺ.”

Kështu, ata do të shkojnë tek Ademi ﷺ dhe do t’i thonë:

“O Adem! Ti je babai i njerëzimit. Allahu të krijoi ty me dorën e Tij, të fryu shpirtin në ty, i urdhëroi melekët që të bëjnë sexhde. Ndërmjetëso për ne tek Zoti yt! A nuk po e sheh se në çfarë gjendje jemi?”

Atëherë Ademi ﷺ do t’u thotë: “Zoti im kurrë nuk ka qenë aq i hidhëruar dhe kurrë nuk do të jetë aq i hidhëruar sikurse Ai është sot. Ai më ndaloi të haja nga pema por unë nuk iu binda. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni tek dikush tjetër, shkoni tek Nuhu ﷺ.”

Ata do të shkojnë tek Nuhu ﷺ dhe do t’i thonë:

“O Nuh! Ti je i dërguari i parë i Allahut te banorët e tokës dhe Allahu të ka quajtur rob falënderues. Ndërmjetëso për ne tek Zoti yt. A nuk po e sheh se në çfarë gjendje jemi?”

Ai ﷺ do t’u thotë: “Zoti im kurrë nuk ka qenë aq i hidhëruar dhe kurrë nuk do të jetë aq i hidhëruar sikurse Ai është sot. Në dynja unë pata një lutje (që mu përgjigj) dhe atë e bëra kundër popullit tim. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni tek dikush tjetër, shkoni tek Ibrahimi ﷺ!”

Kështu, ata do të shkojnë tek Ibrahimi ﷺ dhe do t’i thonë:

“O Ibrahim! Ti je miku i ngushtë i Allahut dhe profeti i Tij në tokë. Ndërmjetëso për ne tek Zoti yt. A nuk po e sheh se në çfarë gjendje jemi?”

Ai ﷺ do t’u thotë: “Zoti im kurrë nuk ka qenë aq i hidhëruar dhe kurrë nuk do të jetë aq i hidhëruar sikurse Ai është sot. Ai përmendi tre “gënjeshtrat” e tij dhe thotë: Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te dikush tjetër, shkoni tek Musai ﷺ!”

Pastaj njerëzit do të shkojnë te Musaiﷺ dhe do t’i thonë:

“O Musa! Ti je i dërguari i Allahut. Allahu të veçoi mbi njerëzit e tjerë me shpalljen e Tij dhe të folurit e drejtpërdrejtë me ty. Ndërmjetëso për ne tek Zoti yt. A nuk po e sheh se në çfarë gjendje jemi?”

Ai ﷺ do t’u thotë: “Zoti im kurrë nuk ka qenë aq i hidhëruar dhe kurrë nuk do të jetë aq i hidhëruar sikurse Ai është sot. Dhe unë kam vrarë një njeri të cilin nuk isha urdhëruar ta vras. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni tek dikush tjetër, shkoni tek Isai ﷺ!”

Kështu ata do të shkojnë tek Isai dhe do t’i thonë:

“O Isa! Ti je i dërguari i Allahut. Ti je fjala e Allahut (bëhu) që Ai ia dërgoi Merjemes. Ti u fole njerëzve kur ishe foshnje në djep. Ndërmjetëso për ne tek Zoti yt. A nuk po e sheh se në çfarë gjendje jemi?”

Ai ﷺ do t’u thotë: “Zoti im kurrë nuk ka qenë aq i hidhëruar dhe kurrë nuk do të jetë aq i hidhëruar sikurse Ai është sot.  Ai nuk do të përmendë ndonjë mëkat, por do të thotë: “Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni tek ndokush tjetër, shkoni tek Muhammedi ﷺ.”

Atëherë ata do të vijnë tek unë dhe do të më thonë:

“O Muhammed! Ti je i dërguari i Allahut dhe je vula e profetëve. Allahu t’i ka falur të gjitha gjynahet (e mëhershme dhe të mëvonshme). Ndërmjetëso për ne tek Zoti yt. A nuk po e sheh se në çfarë gjendje jemi?”

Atëherë unë shkoj deri sa të arrijë nën arshin e Allahut dhe do t’i bie në sexhde Zotit tim. Pastaj Allahu do të më frymëzojë që t’i bëj Atij hamde dhe falënderime në një mënyrë që nuk e ka lejuar askë tjetër të bëj. Pastaj do të thuhet: “O Muhammed! Ngrije kokën! Kërko, se ajo që kërkon do të jepet! Ndërmjetëso dhe do të pranohet ndërmjetësimi!” Unë do të ngre kokën dhe do të them: “O Zot! Umeti im! Umeti im! Do të thuhet: “O Muhammed! Ata nga pasuesit e t’u që nuk do të japin llogari futi nga dera e djathtë e xhenetit e cila do të jetë vetëm për ta ndonëse ata do të hyjnë edhe nga dyert e tjera bashkë me njerëzit e tjerë. “Betohem në Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im! Se gjerësia mes dy dyerve të xhenetit do të jetë sa largësia midis Mekës dhe Haxhar, ose sa largësia midis Mekës dhe Busra.” 1


1 Bukhari (7510) dhe Muslimi (194).

Shpërndaje: