Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

68.Allahu krijon veprat e robit

Autor: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)

Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdil-Lah bin Baz (v. 1420)

Burimi: Sherh El-Akidah El-Uasitijeh, fq. 102-103

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam Ahmed Ibnu Tejmijeh (rahimehullah) ka thënë:

Allahu na ka urdhëruar që edhe Atij edhe të dërguarit të Tij ﷺ duhet t’i bindemi dhe ka ndaluar që ta kundërshtojmë Atë. Allahu (subhaneh) i do të devotshmit dhe të mirët. Ai është i kënaqur me ata që besojnë dhe veprojnë vepra të mira. Ai nuk i do kufarët. Ai nuk i do kundërshtuesit. Ai nuk urdhëron për vepra të këqija dhe nuk është i kënaqur që robërit e Tij të jenë mosfalënderues. Ai nuk e do shkatërrimin.

Robërit në të vërtetë i veprojnë veprat e tyre dhe Allahu i krijon veprat e tyre. Robi përfshinë si besimtarin ashtu edhe kafirin, të devtoshmin dhe mëkatarin, namazfalësin si dhe agjëruesin. Allahu i ka krijuar ata, aftësinë dhe vullnetin e tyre.

Ai (te ala) ka thënë:

وَمَا تَشَاؤُونَ إِلَّا أَن يَشَاء اللَّهُ رَبُّ الْعَالَمِينَ

“E ju nuk do të dëshironi, po të mos jetë se dëshiron Allahu – Zoti i aleminit (Zoti i gjithë botëve, i gjithësisë dhe i gjithë ç’është në të, Zoti i njerëzve dhe i xhinëve).” 1

Shpjegimi:

Robërit bëjnë veprat e tyre. Veprat e tyre janë me të vërtetë të tyre dhe u atribuohen atyre. Robi falet, agjëron, e bën haxhin, bën zina, vjedh, blen, shet, martohet dhe ndahet. Veprat janë të tyre por është Allahu (subhaneh) i Cili i ka krijuar ata dhe veprat e tyre.

Ai (te ala) ka thënë:

وَاللَّهُ خَلَقَكُمْ وَمَا تَعْمَلُونَ

 “Ndërsa Allahu ju ka krijuar ju dhe çfarë ju bëni e veproni!” 2

Ai (subhanah) i do të devotshmit që veprojnë punë të drejta. Ai është i kënaqur me ata që besojnë dhe veprojnë vepra të mira. Ai nuk i do kufarët. Ai nuk i do kundërshtuesit. Ai nuk e do shkatërrimin. Ai e do vetëm të mirën dhe të mirët. Ai e urren të keqen dhe të këqijtë. Ai e do besimin dhe devotshmërinë dhe urren shkatërrimin, mosbesimin dhe devijimin. Gjithçka për të cilën është krijuar robi i lehtësohet ajo. Ai nuk urdhëron në vepra të këqija dhe nuk është i kënaqur që robërit e Tij të jenë mosfalënderues.

Sahabët (radijAllahu anhum) thanë:

“O i dërguari i Allahut! A nuk shtë caktuar se çfarë do të bëjmë apo është caktuar tashmë?” Profeti ﷺ tha: “Është e caktuar tashmë.” Sahabët thanë: “Atëherë a nuk duhet të braktisim veprat dhe në vend të kësaj të mbështetemi në kaderin tonë?” Profeti ﷺ tha: ”Veproni! Çdonjërit i është lehtësuar ajo për të cilën është krijuar.” 3


1 Et-Tekuir 81:29.

2 Es-Saffat 37:96.

3 Bukhari (4949) dhe Muslimi (2647).

Shpërndaje: