Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

7.Besimi në ditën e fundit në formë të përgjithshme

Autor: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdilah bin Baz (v. 1420)
Sherh El-Akide El-Uasitije
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Ehl-us-Sunneti gjithashtu besojnë në shtyllën e pestë, që është dita e fundit, e quajtur gjithashtu ringjallja pas vdekjes. Ehl-us-Sunneti besojnë se xhinët dhe njerëzit vdesin dhe pastaj ringjallën. Ringjallja është quajtur edhe ringjallja e fundit dhe dita e fundit. Të gjitha këto emra janë përmendur në Kuran dhe sunnet. Dita e fundit është përmendur në Kuran, ndërsa ringjallja pas vdekjes është përmendur në hadithe.

Ehl-us-Sunneti besojnë se xhinët dhe njerëzit do të vdesin dhe pastaj do të ringjallen për të dalë në gjykim për të gjitha të mirat dhe të këqijat që kanë bërë.

Allahu (xhela ue ala) ka thënë:

“Ata që nuk besuan menduan se kurrsesi nuk do të ringjallen. Thuaj: “Po, pasha Zotin tim, patjetër do të ringjalleni dhe do të njiheni me atë që keni punuar, e ajo për Allahun është lehtë!” Et-Tagabun 64:7

Njerëzit patjetër se do të ringjallen dhe do të gjykohen.

Dita e fundit është pra dita e ringjalljes pas vdekjes. Aty, njerëzit do të shpërblehen për veprat e tyre; në qoftë se ata vepruan mirë ata shpërblehen me të mira, dhe në qoftë se ata vepruan keq dënohen.

Allahu (te ala) ka thënë:

“Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në tokë, për t’i dënuar ata që bëjnë keq, sipas veprave të veta e për t’i shpërblyer ata që bëjnë mirë me shpërblimin më të mirë.” En-Nexhm, 53:31

Krijesat pra kanë vendtakim dhe ky është në ditën e gjykimit. Edhe pse atyre iu shty dënimi në këtë botë dhe vdiqën pa u dënuar ata i pret një takim i veçantë.

Allahu (subhanehu ue te ala) ka thënë:

E ti kurrsesi mos e mendo Allahun i shkujdesur ndaj asaj që veprojnë zullumqarët; Ai vetëm është duke i lënë ata përderisa një ditë në të cilën sytë shtangen (mbesin të hapur).” Ibrahim, 14:42

Do të thotë në ditën e gjykimit.

Shpërndaje: