“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Edh-Dharijat 51:56]

7.Çka do të thotë iman i plotë dhe a shtohet dhe mangësohet?

Autor: Imam Abdurr-Rrahman es-Sa’di (v. 1376)
Shpjegues i librit: Alameh Ahmed bin Jahja en Nexhmi (v. 1429)
Burimi: Fet’h Rabb-il-Berijjat ala Kitab Ahamm-il-Muhimmat, fq. 40
Përktheu: Valdet Gashi 

www.perlatmuslimane.com

Imam Abdurr-Rrahman es-Sa’di ka thënë:

Pyetja e shtatë: Çka do të thotë imani (besimi) i plotë dhe a ngritët dhe bie imani?

Përgjigje: Iman është emër që përmbledhë besimin e zemrës, veprat dhe fjalët. Tërë religjioni, bazat dhe degët e tij përfshihen nga imani.

Kjo do të thotë se imani shtohet me fuqinë e bindjes dhe veprat e mira dhe fjalë të mira të shumta, e gjithashtu ai pakësohet me të kundërtën e kësaj.

Shpjegimi

Tashmë është përmendur se termat “iman” dhe “Islam” janë të ndërlidhura dhe zbatohen me njëra-tjetrën. Kur përmendet vetëm “imani”, ai gjithashtu përfshin “Islamin”. Kur përmendet vetëm “Islami”, ai gjithashtu përfshin “imanin”. Përndryshe, “iman” përdoret në lidhje me besimet në gajbin (të fshehurën), siç përmendet në Hadithin e Xhibrilit:

”Imani është të besosh në: Allahun. Engjëjt e Tij. Librat e Tij. Të dërguarit e Tij. Ditën e ringjalljes. El-Kader (përcaktimin) në të mirën dhe të keqen e tij.”1

Ai ﷺ ka thënë se “Islami” qëndron për veprimet e dukshme. Shahadeti i theksuar me besimin e zemrës është themeli i “imanit” dhe “Islamit”. Pastaj vjen namazi, zekati, agjërimi dhe haxhi. Këto pesë veprime të dukshme janë “Islami”.

A ngritët dhe bie “imani”?

Shejkh es-Sa’di (rahimehull) ka thënë:

“Iman është emër që përmbledhë besimin e zemrës, veprat dhe fjalët”.

Pra tërë feja, bazat dhe degët e saj përfshihen nga imani.

Kjo do të thotë se imani shtohet me fuqinë e bindjes dhe veprat e mira dhe fjalë të mira të shumta, e gjithashtu ai pakësohet me të kundërtën e kësaj.”

“Iman është emër që përmbledh besimin e zemrës, veprat dhe fjalët.”

Besimi i zemrës janë gjashtë shtyllat e  “imanit” të përmendura në hadithin e Xhibrilit. Besimi i zemrës janë besimi në Allahun, i përbërë nga besimi në ekzistencën e Tij, dominimin, emrat dhe cilësitë, e drejta sovrane për adhurim dhe se Ai është Zoti i vërtetë i Cili duhet të adhurohet me bindje, të mos kundërshtohet, të kujtohet dhe të mos harrohet, dhe të falënderohet, dhe jo të trajtohet me mos falënderim.

Besimi në engjëjt do të thotë se ata janë robër fisnik që kryejnë detyrat që Allahu i ka dhënë secilit prej tyre.

Besimi në librat e Allahut prej të cilave më të famshmit janë Teurati, Zeburi, Inxhili, libri i Ibrahimit, libri i Musait dhe Kurani që i është shpallur Muhamedit ﷺ. Detyra e Kuranit është të mbikëqyr librat e shenjta të mëparshme.

Besimi në të dërguarit nga Nuhi i cili ishte i dërguari i parë, deri tek  Muhamedi ﷺ i cili ishte i dërguari i fundit. Duhet të besohet se Allahu i dërgoi ata dhe i zgjodhi ata që të kumtojnë mesazhet e Tij dhe t’i ligjësojnë gjykime robërve dhe të jenë ndërmjetës midis Tij dhe krijimit të Tij.

Allahu (subhaneh) na ka treguar se Ai e ka njoftuar profetin e Tij Muhamedin ﷺ në lidhje med disa të dërguar të caktuar ndryshe nga të tjerët. Si do qoftë i dërguari i fundit është Muhamedi ﷺ.

Besimi në El-Kader (përcaktimin) në të mirën dhe të keqen e tij. Kjo do të thotë se kaderi është nga Allahu dhe se Ai ka shkruar cdo gjë që do të ndodh. Allahu ka përcaktuar se ku dhe kur duhet të jetë krijimi dhe nëse do të jenë besimtarë apo kufarë, të devotshëm apo mëkatar. Të gjithë njerëzit marrin atë që është vendosur për ta.

Besimi në ditën e ringjalljes në të cilën Allahu do t’i shpërblejë të gjithë robërit për atë që kanë bërë.

Ky është besimi absolut që përbëhet nga besimet e zemrës.

Besimi gjithashtu përbëhet nga veprimet e pjesëve të trupit. Pozita në këmbë në namaz, rukuja, sexhdja, leximi, teshehhudi dhe bërja tesbih i takojnë veprimeve të besimit. Gjithashtu i përket besimit bamirësia vullnetare dhe e detyrueshme. Gjithashtu i përket besimit që robi të agjeron duke braktisur epshin e tij për hir të Allahut (te ala). Nga besimi është që robi të largohet nga pasuritë e të tjerëve dhe të shkon në xhami për tu falur pesë herë në ditë. Është nga besimi po ashtu që robi t’i frikësohet Allahut (azze ue xhel) pasi të ketë bërë mëkat, të largohet nga mëkatet e kështu me radhë.

Shejkh es-Sa’di (rahimehullah) ka thënë:

 “Tërë religjioni, bazat dhe degët e tij përfshihen nga imani.”

Ashtu siç kemi dhënë shembuj për këtë. Allahu e shpërbleu dhe e fali laviren izraelite që pa një qen të etur dhe i dha ujë duke e lagur shamin e saj me ujë2.

Allahu e shpërbleu dhe e fali njeriun që e preu degën e cila i shqetësonte njerëzit kalimtarë3.

Shumë lutje dhe veprime të mira bëjnë që besimi të ngritët e të rritet.

Nga ana tjetër, neglizhimi dhe indiferenca ndaj veprimeve fetare shkakton që feja e robit të dobësohet në mënyrë që ai të shkatërrohet gradualisht dhe të mbetet vetëm një sasi e vogël e fesë. Prandaj dijetarët thanë se besimi ngritët me vepra të mira dhe bie me mëkate. Të gjitha veprimet e mira e rrisin besimin. Namazi në mënyrë korrekte e rritë besimin. Studimet e rrisin besim. Mbrojtja e dëgjimit nga fjalët e shëmtuara e rritë besimin. Mbrojtja e shikimit nga gjërat e ndaluara e rritë besimin. Mbrojtja e duarve nga gjithçka që Allahu ka ndaluar e rritë besimin. Besimtari nuk duhet të vjedhë nga të tjerët. Ai nuk duhet t’i grabitë të tjerët. Ai nuk duhet të mashtrojë të tjerët dhe kështu me radhë. Kockat e besimtarit nuk duhet të shkojnë në mëkate. Ai duhet t’i përmbahet besimit në Allahun. Të gjitha këto veprime e rrisin besimin. E njëjta vlen edhe për të gjitha veprimet e tjera.

Ai që beson se besimi përbëhet prej fjalës, besimit me zemër dhe veprimit, dhe se ai ngritët me veprime të mira dhe bie me mëkate nuk e ka besimin e Murxhiave. Si dëshmi për këtë është e mjaftueshme me hadhithin rreth ndërmjetësimit. Profeti ﷺ tregoi se Allahu do të thotë:

“Shikoni kush ka sa pesha e një monedhe ari besim në zemër dhe nxirreni atë nga xhehenemi.” 4

”Nxirre nga zjarri atë që ka besim në zemër sa pesha e një monedhe e imtë e arit, pastaj atë që ka besim sa gjysmë monedhe e arit, pastaj atë që ka besim sa bërthama e hurmës, pastaj atë që ka besim sa pesha e një milingone dhe pastaj ata që ka më pak, më pak dhe më pak se sa pesha e një milingone.”5

Allahu (subhanehu ue te ala) ka thënë:

إِنَّ اللّهَ لاَ يَظْلِمُ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ وَإِن تَكُ حَسَنَةً يُضَاعِفْهَا وَيُؤْتِ مِن لَّدُنْهُ أَجْرًا عَظِيمًا

 “S’ka dyshim, se Allahu nuk bën padrejtësi, as sa grimca, e nëse ajo vepër është e mirë, Ai e shumëfishon atë dhe vetë Ai i jep shpërblim të madh.” 6


1 Muslimi (8).

2 Bukhari (3467) dhe Muslimi (2245).

3 Bukhari (2472) dhe Muslimi (1914).

4 Ahmedi (3/16) dhe Bukhari (7439).

5 Bukhari (7439) dhe Muslimi (183).

6 4:40.

Shpërndaje: