Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

7.Gjërat që e prishin abdesin

Autor: Imam Muhamed bin Abdil-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Esh-Sherh El-Mumtez
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam dhe imam Muhamed bin Abdil-Uehab -rahimehullah- ka thënë:

Gjërat që e prishin abdesin janë tetë:

1 – Çdo gjë që del nga organet gjenitale dhe nga anusi.

2 – Çdo gjë e papastër që del nga pjesët e tjera të trupit.

3 – Humbja e vetëdijes.

4 – Prekja e gruas me epsh.

5 – Prekja e organit gjenital ose anusit.

6 – Ngrënia e mishit të devesë.

7 – Pastrimi i kufomës.

8 – Dalja nga Islami – Allahu na ruajt nga kjo.

Shpjegimi:

Se gjërat që e prishin abdesin janë tetë është mendim i disa dijetarëve, të tjerë thonë se ato janë më pak se kaq.

1 – Çdo gjë që del nga organi gjenital dhe anusi sikurse urina, jashtëqitja dhe të gjitha gjërat që kanë dispozitat e tyre.

2 – Çdo gjë e papastër që del nga pjesët e tjera të trupit si qelbi, të vjellat në sasi të madhe, ndërsa nëse janë në sasi të vogël anashkalohen.

3 – Humbja e vetëdijes si gjumi, dehja apo sëmundja. Atij që i kthehet vetëdija pasi i ka humbur duhet të marrë abdes.

4 – Prekja e gruas me epsh sipas njërit prej mendimeve të dijetarëve. Dijetarë të tjerë thonë se kjo nuk e prish abdesin. Pra dijetarët për këtë kanë mendime të ndryshme. Mendimi i saktë është se kjo nuk e prish abdesin. I dërguari ﷺ puthte gratë e tij e më pas nuk merrte abdes. Autori -rahimehullah- pason Hanbelitë në këtë çështje.

Lidhur me fjalët e Allahut -te ala-:  

”…ose keni bërë marrëdhënie me gra…” En-Nisa, 4:43

Këtu është për qëllim marrëdhënia intime.

5 – Gjithashtu abdesi prishet nëse preket me dorë organi gjenital ose anusi.

Umm Habibeh -radijAllahu anha- tregon se profeti ﷺ ka thënë:

“Ai që e prek organin e tij le të marrë abdes!” 

Transmeton Ibn Maxheh (481), Ahmedi (19/36), Ibn Hibani (1114) dhe disa tjerë. Autentik sipas Albanit në ”Sahih Sunen Ibn Maxheh” (391).

Në një transmetim tjetër thuhet:

Ai që vë dorën e tij në organin gjenital të tij le të marrë abdes!” 

Transmeton Bejhaki (1/133) dhe Ahmedi (14/130). Autentik sipas Ibn Dakik-il-Id në ”el-Imam bi Ahadith-il-Ahkam, fq. 19″, dhe Albanit në ”Itmam-ul-Minneh, fq. 53″.

Në një formulim të tretë thuhet: Busra bint Safuan -radijAllahu anhu- tregon se profeti ﷺ ka thënë:

“Ai që e prek organin e tij gjenital të mos falet derisa të marrë abdes!”

Transmeton Ahmedi (11/647), Ebu Daudi (181), Nesai (163), Tirmidhi (82) dhe Ibn Maxheh (479). Autentik sipas Albanit në ”Sahih Sunen Ebi Daud (1/329)”.

7 – Gjëja e shtatë është pastrimi i kufomës sepse kjo zakonisht do të thotë se pjesët intime të kufomës preken. Këtë mendim e kanë disa dijetarë. Gjithashtu pastrimi shkakton një formë të dobësisë kështu që është e përshtatshme për të marrë abdes për të rifituar forcë dhe energji.

8 – Gjëja e tetë është dalja nga Islami. Ai që merr abdes, e braktis Islamin dhe pastaj udhëzohet nga Allahu dhe pendohet, duhet të marrë abdes përsëri.

Disa dijetarë duke përfshirë Hanbelitë -rahimehumullah- i konsiderojnë këto tetë gjëra anulues të abdesit. Dijetarë të tjerë mendojnë se ato janë më pak se kaq. Ata thonë se nuk ka argumente të qarta se papastërtitë dhe ato të neveritshmet që dalin nga pjesët e tjera të trupit (përpos organeve gjenitale) e prishin abdesin. Ata besojnë se në raste të tilla duhet marrë abdes për arsye sigurie sikurse thotë hadithi:

“Ai që vjellë duhet të marrë abdes.” 

Transmeton Tirmidhi (87). Autentik sipas Albanit në ”Irua-ul-Ghalil (1/148)”.

E njëjta gjë vlen edhe me prekjen e gruas me epsh dhe pastrimin e kufomës. Nuk ka argumente të qarta për to. Prandaj janë vetëm pesë gjëra. Dhe nëse ne themi se dalja nga Islami nuk e prish abdesin atëherë janë vetëm katër gjëra që e prishin abdesin, të cilat janë të mbështetura nga argumente të qarta. Lidhur me katër të tjerat ka mospajtime lidhur me to:

2 – Çdo gjë e papastër dhe e neveritshme që del nga pjesët e tjera të trupit.

4 – Prekja e gruas me epsh.

7 – Pastrimi i kufomës.

8 – Dalja nga Islami.

Shpërndaje: