Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

7.Numri i rekateve të namazit të natës

Imam Muhamed Nasirudin el-Albani (v. 1420)
Kijamu Ramadan
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Numri Namazi i natës përbëhet nga njëmbëdhjetë rekate. Për ta pasuar të dërguarin e Allahut ﷺ, nuk mendoj se duhet tejkaluar këtë numër. Ai kurrë nuk ka falur më shumë se njëmbëdhjetë rekate. Aishah u pyet në lidhje me namazin e tij gjatë Ramazanit. Ajo tha:

“Profeti ﷺ si në muajin e Ramazanit ashtu dhe në muajt e tjerë, nuk falte më shumë se njëmbëdhjetë rekate. I falte katër rekate dhe mos pyet sesa bukur dhe sa gjatë i falte ato, pastaj falte katër rekate dhe mos pyet sesa bukur dhe sa gjatë i falte ato, pastaj falte tre rekate.”

Transmeton Bukhari dhe Muslimi. Kjo përmendet në Salat-ut-Tarauih, fq. 20-21 dhe Sahih Ebi Daud (1212).

Ndërsa lejohet të falësh një numër më të vogël se kaq, edhe nëse bëhet fjalë për një rekat vitër. Argument për këtë është veprimi dhe fjala e profetit . Sa i përket veprimit të tij, Aishah -radijAllahu anha- është pyetur se sa rekate e falte i dërguari i Allahut vitrin. Ajo u përgjigj:

“Ai falte vitrin katër1 dhe tre rekate, gjashtë dhe tre rekate, dhjetë dhe tre rekate dhe kurrë nuk e falte vitrin më pak se shtatë ose më shumë se trembëdhjetë rekate.”

Transmeton Ebu Daudi, Ahmedi dhe të tjerët. Hadithi ka një zinxhir të mirë të transmetimit që konsiderohet autentik nga El-Iraki. Kjo përmendet në Salat-ut-Tarauih, fq. 98-99 dhe Sahih Ebi Daud (1233).

Ndërsa ai  tha:

“Namazi i vitrit është e drejtë e Allahut. Kush dëshiron ta falë me pesë rekate, le ta bëjë këtë, kush dëshiron ta falë me tre rekate, le ta bëjë këtë, dhe kush dëshiron ta falë me një rekat, le ta bëjë këtë.”

Transmeton Tahaui, Hakimi, Nesai (1712), Ibn Maxheh (1190), Ebu Daudi (1422) dhe të tjerët. Hadithi ka një zinxhir autentik të transmetimit të cilin disa imamë e kanë thënë. Ai pasohet nga një hadith i ngjashëm me një shtesë të kundërt të cilën e kam sqaruar në Salat-ut-Tarauih, fq. 99-100.


1 Unë them ato janë ose dy rekatet nafile që falen pas jacisë ose dy rekate të shkurtëra me të cilat profeti e kishte zakon të fillonte namazin e natës. Ky është mendimi i Hafidhit. Shih Salat-ut-Tarauih, fq. 19-20.

Shpërndaje: