Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Kënaqësia me Allahun është prej veprave të zemrës dhe pjesa e saj më e përsosur është lavdërimi. Disa dijetarë e interpretuan madje lavdërimin si kënaqësi. Prandaj është përmendur në Kuran dhe sunnet se Allahu lavdërohet në të gjitha rastet. Kjo përfshinë kënaqësinë me caktimin e Tij. Në hadith thuhet:
“Të parët që thirren për në xhenet janë ata që lavdëruan Allahun shumë në kohë të lehta dhe të vështira.”
Hadithi është i dobët sipas Albanit në Daif-ul-Xhami (2147).
Enesi -radijAllahu anhu- rrëfeu se profeti ﷺ e kishte zakon të thoshte kur shihte diçka që i pëlqente:
اَلْحَمْدُ لِلَّهِ الَّذيِ بِنِعْمَتِهِ تَتِمُّ الصَّالِحاَت
“Falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut me begatitë e të Cilit plotësohen mirësitë.”
Kur shihte diçka që nuk i pëlqente, ai thoshte:
اَلْحَمْدُ لِلَّهِ عَلَى كُلِّ حاَل
“Falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut për çdo gjendje.”
Hadithi është i saktë sipas Albanit në Sahih-ul-Kelim Et-Tajib (113), ai tha: hadithin e transmeton Ibn Maxheh dhe Ibn-us-Sunni, hadithi u vërtetua nga Hakimi dhe të tjerët.
Tashmë është përmendur hadithi nga Ebu Musa El-Esharij -radijAllahu anhu- i cili rrëfeu se profeti ﷺ ka thënë:
“Kur një robit i vdes fëmija, Allahu u thotë engjëjve: “A e morët fëmijën e robit Tim?”
Engjëjt thonë: “Po.”
Allahu u thotë: “A ia morët frytin e zemrës?”
Engjëjt thonë: “Po.”
Allahu u thotë: “Çfarë tha robi im?”
Engjëjt thonë: “Të lavdëroi dhe tha: “Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!”
Allahu i Madhëruar u thotë: “Ndërtojini robit Tim një shtëpi në xhenet dhe emërtojeni ‘Shtëpia e falënderimit’.”
Profeti ynë Muhamed ﷺ do të bartë flamurin e lavdërimit. Umeti i tij e lavdërojnë Allahun shumë gjatë kohëve të lehta dhe të vështira. Lavdërimi përtej kënaqësisë përfshinë dy pika:
1 – Që robi ta di se Allahu -subhaneh- ka të drejtë për këtë sepse Ai krijoi çdo gjë në mënyrën më të mirë dhe zotëroi çdo gjë dhe se Ai është më i Dijshmi dhe më i Urti.
2 – Që robi ta di se Allahu ka zgjedhur për robin e Tij besimtar atë që është më e mirë për të sesa zgjedhja e tij (robit).
Suhejb bin Sinan -radijAllahu anhu- rrëfeu se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Është për tu çuditur gjendja e besimtarit dhe në të vërtetë e gjithë çështja e tij është vetëm se mirësi. Dhe kjo nuk ndodh vetëm se me besimtarin. Nëse ai përjeton diçka të mirë, ai falënderon Allahun dhe kjo është mirë për të. Dhe nëse ai përjeton diçka të keqe, ai duron dhe kjo është mirë për të.“
Transmeton Muslimi (2999) dhe Ahmedi (4/332).
Profeti ﷺ tregoi se çdo gjë që Allahu cakton për robin e Tij besimtarë është e mirë për të nëse ai duron me sprovat dhe falënderon për begatitë.
Allahu -te ala- ka thënë:
“Këto janë vërtet tregues për çdo njeri të duruar dhe mirënjohës.” Lukman, 31:31
Megjithatë, nuk do të thotë se caktimi është i mirë për atë që nuk bën durim në vështirësi dhe nuk falënderon në mirëqenie.