Autor: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdil-Lah bin Baz (v. 1420)
Burimi: Sherh El-Akidah El-Uasitijeh, fq. 106-108
Përktheu: Valdet Gashi
Shejkh-ul-Islam Ahmed Ibnu Tejmijeh (rahimehullah) ka thënë:
Nga besimi i Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit është se feja dhe besimi përbëhen nga fjala dhe vepra: fjala e zemrës dhe e gjuhës, gjithashtu me veprat e zemrës, të gjuhës dhe pjesëve të trupit. Shtohet me ibadete dhe mangësohet me gjynahe.
Shpjegimi
Kjo është një çështje shumë madhështore rreth besimit të Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit. Besimi pra përbëhet nga fjala dhe vepra: fjala e zemrës dhe e gjuhës, gjithashtu vepra e zemrës dhe trupit. Ky është besimi i Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit, për dallim nga besimi i Murxhiave, Mutezilive dhe Khauarixhëve. Vërtetë, Khauarixhët pajtohen me këtë definicion por ata mendojnë se besimi nuk shtohet as nuk mangësohet edhe Mutezilitë mohojnë se ai shtohet dhe mangësohet. Ose ekziston i gjithi ose asgjë, kështu besojnë ata. Prandaj ata bëjnë tekfir mbi mëkatarët dhe i gjykojnë ata me qëndrim të përjetshëm në xhehenem. Mutezilitë kanë mospajtime në lidhje me gjendjen e mëkatarëve në ahiret.
Murxhiat e përjashtojnë veprën nga besimi dhe thonë se besimi përbëhet vetëm nga fjala ose nga besimi me zemër, ose fjala dhe besimi me zemër. Të gjitha sektet e përmendura janë gabim dhe janë të devijuara. E vërteta është qëndrimi i Ehl-us-Sunnetit: se besimi përbëhet nga fjala dhe vepra; besimi me zemër dhe gjuhë, gjithashtu veprat e pjesëve të zemrës dhe trupit.
Dashuria ndaj Allahut, frika nga Ai, sinqeriteti ndaj Tij dhe pranimi janë shembuj të veprave të zemrës. Dhikri, namazi, zekati, agjërimi, haxhi dhe lufta (xhihadi) janë shembuj të veprave të pjesëve të trupit. Sipas Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit besimi përbëhet nga fjala dhe vepra, shtohet me ibadete dhe mangësohet me gjynahe.
Khauarixhët dhe Mutezilitë pajtohen se besimi përbëhet nga fjala dhe vepra. Megjithatë, ata nuk pajtohen se besimi shtohet dhe mangësohet. Kjo shprehje e definicionit të Ehli-Sunnetit i përjashton ata. Murxhiat përjashtohen nga shprehja e definicionit se “besimi përbëhet nga fjala dhe vepra”. Besimtari është i detyruar ta pranojë këtë besim dhe të përmbush kërkesat e tij.