Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

71. Kurani dhe sunneti duhet të gjykojnë arsyen e jo e kundërta

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: et-Ta’likat el-Mukhtasarah alal-Akideh et-Tahauijjeh, fq. 80-81
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com 

Ebu Xha’fer el-Uarrak et-Tahaui (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

57 – Të gjitha hadithet e sakta të transmetuara nga i dërguari ﷺ në lidhje me këtë çështje janë saktësisht ashtu siç ai ka thënë.

58 – Ky shikim do të jetë sipas asaj që ai ﷺ kishte për qëllim.

59 – Ne nuk duhet të spekulojmë për këtë çështje as me mendimet tona dhe as me dëshirat tona.

SHPJEGIMI

Gjithçka që i dërguari ﷺ ka thënë në lidhje me shikimin e Allahut është shikim që do të ndodh realisht, me të vërtetë dhe kjo çështje është sikurse çdo gjë tjetër që ka ardhur në Kuran. Është obligim besimi në të sepse fjala e të dërguarit ﷺ është shpallje nga Allahu:

وَمَا يَنطِقُ عَنِ الْهَوَى إِنْ هُوَ إِلَّا وَحْيٌ يُوحَى

“Ai nuk flet sipas dëshirës së tij, por ajo që thotë është vetëm shpallje hyjnore që i vjen atij.” 1

Sunneti quhet shpallja e dytë. Në shumë hadithe të sakta muteuatir, profeti ﷺ ka thënë që besimtarët do ta shohin Zotin e tyre në ditën e gjykimit. Prandaj është obligim besimi në të, pa i deformuar kuptimin, pa e mohuar si dhe duke mos e përngjasuar dhe duke mos e përshkruar se si do të jetë ky shikim.

Autori (rahimehullah) tha:

”Ky shikim do të jetë sipas asaj që ai ﷺ kishte për qëllim.”

D.m.th atë që i dërguari ﷺ kishte për qëllim e jo atë që kanë për qëllim bidatçinjtë dhe të devijuarit.

Autori tha: Ne nuk duhet të spekulojmë rreth kësaj çështje as me mendimet tona dhe as me dëshirat tona.

Kjo është pikërisht ajo që bëjnë Xhehmitë, Mutezilitë dhe nxënësit e tyre si dhe ata të cilët kanë përvetësuar interpretimin e tyre të kotë. Është detyrë për ne të pasojmë Kuranin dhe sunnetin dhe të mos gjykojmë për to me anë të logjikës dhe mendimit tonë por përkundrazi është detyrë që Kurani dhe sunneti të gjykojnë mbi logjikën dhe mendimin tonë.


1 53:3-4

Shpërndaje: