Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
I godituri me fatkeqësi duhet ta di se Ai që e ka sprovuar atë me fatkeqësi është më i Urti i të urtëve dhe më i Mëshirshmi i mëshiruesve. Ai duhet ta di se Allahu -subhaneh- nuk e sprovon për ta shkatërruar atë, as për ta dënuar dhe as për ta asgjësuar atë. Ai e bën këtë vetëm për të provuar durimin e tij, kënaqësinë ndaj Allahut dhe besimin e tij. Ai e bën këtë vetëm për ta dëgjuar atë duke u përulur para Tij dhe për ta shikuar atë duke hedhur veten para portës së Tij me lutje për ndihmën e Tij. Në këtë gjendje ai i ngrit duart e tij dhe rrëfen ankesat para Tij.
Imam Abdul-Kadir El-Kejlani -rahimahullah- i tha birit të tij:
“O biri im, fatkeqësia nuk të ka ardhur për të shkatërruar. Ajo të ka ardhur për të provuar durimin dhe besimin tënd. O biri im, kaderi është kafshë grabitqare dhe kafsha grabitqare nuk ha nga kafsha e ngordhur.”
Qëllimi është se fatkeqësia është zjarri i robit që filtron metalin; dhe ai ose nxjerr ari prej tij ose e djeg të tërin. Në qoftë se robi nuk përfiton nga zjarri në këtë jetë, atëherë e pret zjarri më i madh në botën tjetër. Nëse robi e di se është më mirë për të që të futet në zjarrin e kësaj jete sesa në zjarrin e ardhshëm, dhe se ai duhet të përjetojë njërin prej tyre, duhet ta njohë begatinë e madhe që Allahu ia jep atij kur Ai e bën atë të hyjë në zjarrin e kësaj jete. Kur Allahu vendos që robin ta godas një fatkeqësi në këtë jetë, ai duhet të durojë që nga goditja e parë.