Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

76.Mes teprimit dhe mangësimit

Autor: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)

Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdil-Lah bin Baz (v. 1420)

Burimi: Sherh El-Akidah El-Uasitijeh, fq. 117-118

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam Ahmed bin Tejmijeh (rahimehullah) ka thënë:

Ehl-us-Sunneti e duan familjen e të dërguarit të Allahut ﷺ, ata janë besnikë ndaj saj dhe e ruajnë porosinë e të dërguarit të Allahut ﷺ për ta:

“Lidhur me familjen time. Betohem në Allahun unë iu kujtojë juve lidhur me familjen time. Betohem në Allahun unë iu kujtojë juve lidhur me familjen time. Betohem në Allahun unë iu kujtojë juve lidhur me familjen time.”1

Ai i tha xhaxhait të tij El-Abbasit i cili u ankua se disa nga Kurejshët ishin sjellë me mos respekt ndaj fisit Benu Hashim:

“Betohem në Atë i Cili e ka shpirtin tim në dorën e Tij! Ata nuk besojnë derisa ata t’iu duan ju për hir të Allahut dhe sepse ju jeni të afërmit e mi.” 2

Profeti ﷺ gjithashtu ka thënë:

“Allahu zgjodhi pasardhësit e Ismailit. Pastaj zgjodhi Kinanen nga pasardhësit e Ismailit. Pastaj zgjodhi Kurejshët nga Kinaneh. Pastaj zgjodhi Benu Hashim nga Kurejshët. Pastaj Allahu më zgjodhi mua nga Benu Hashim.” 3

Ata i duan gratë e profetitﷺ, nënat e besimtarëve dhe besojnë se ato janë gratë e tij në jetën tjetër. Kjo vlen në veçanti për Khadixhen (radijAllahu anha), nëna e shumicës së fëmijëve të tij dhe personi i parë që e besoi atë dhe e ndihmoi atë në detyrën e tij. Ajo ka një pozitë të lartë. E njëjta gjë vlen edhe për gruan besnike, bija e njeriut të besueshëm (Aishah) për të cilën profeti ﷺ ka thënë:

“Dallimi mes Aishes dhe të gjitha grave të tjera është si dallimi në mes Theridit (ushqim i preferuar i të dërguarit, që përbehej nga buka mishi dhe uji) dhe të gjitha ushqimeve të tjera.” 4

Ehl-us-Sunneti distancohen nga Rafidat të cilët i urrejnë dhe i fyen sahabët. Ata gjithashtu distancohen nga Nasibah që e fyejnë familjen e profetit ﷺ me fjalë apo veprime.

Ata nuk futen në atë që ka ndodhur ndërmjet sahabëve. Ata thonë se ajo që është transmetuar në lidhje me anët e tyre të këqija ose është gënjeshtër, ose e ekzagjeruar, ose e mangësuar, ose e shtrembëruar apo autentike, ku sahabët ose pasuan mendimet e tyre dhe kishin të drejtë, ose ata pasuan mendimet e tyre dhe gabuan.

Ata nuk e konsiderojnë asnjë sahabi se ishte i mbrojtur nga mëkatet e mëdha ose nga mëkatet e vogla. Në tërësi ishte e mundur që ata të mëkatonin. Meritat e tyre bëjnë që mëkatet e tyre të mundshme të fshihen. Ata madje edhe mund të falen për mëkate që të tjerëve nuk u falen pasi që ata kanë kaq shumë vepra të mira që fshijnë mëkatet, një përparësi që pasardhësve të tyre u mungon. Është konfirmuar se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë se ata janë brezi5 më i mirë dhe se në qoftë se njëri prej tyre dhuron ar dy grushta kjo peshon më shumë se pasardhësit e tyre të japin ar sa mali i Uhudit. Në qoftë se ndonjë prej tyre ka bërë mëkat, kështu që ata ose janë penduar për mëkatin, ose kanë bërë vepra që ia ka fshirë mëkatin, ose falen për shkak se ata prinë në besim, apo falen me ndërmjetësimin e Muhammedit ﷺ, ndërmjetësimin për të cilin ata kanë më së shumti të drejtë, ose kanë hasur sprova në dynja në mënyrë që mëkatet e tyre të fshihen. Nëse kjo vlen për mëkatet reale, atëherë çfarë ndodh me çështjet që ata i bënë në bazë të ixhtihadit (konkluzionit) të tyre? Nëse kishin të drejtë, morën dy shpërblime dhe nëse ata ishin gabim ata morën një shpërblim dhe gabimi iu falë. Përveç kësaj mëkatet e tyre të mundshme i janë falur duke pasur parasysh meritat e tyre dhe veprat e mira sikurse besimi në Allahun dhe në të dërguarin e Tij, xhihadin që bën për hir të Tij, hixhretin, ndihmën, dijen e dobishme dhe veprat e mira.

Ata që me dituri dhe largpamësi  e vështrojnë biografinë e tyre dhe kuptojnë begatitë të cilat Allahu ua ka dhuruar, me bindje e kuptojnë se ata janë krijesat më të mira pas profetëve. Nuk ka pasur asnjëherë si ata dhe nuk do të ketë asnjëherë si ata. Ata janë elita në këtë umet, që janë umeti më i mirë dhe më fisnik tek Allahu.

Shpjegimi:

Besimtarët e më vonshëm e kanë obligim të ecin sipas metodologjisë së sahabëve dhe t’i konsiderojnë se ata janë njerëzit më të mirë dhe më kryesor të umetit, dhe se çdo gjë negative që është rreth tyre është e parëndësishme në krahasim me të mirat, meritat dhe veprat e tyre madhështore. Ata ose janë penduar për atë që ata kanë bërë, kanë bërë vepra të mira të mjaftueshme për të fshirë mëkatet, janë falur për përparësinë e tyre, ose për shkak të ndërmjetësimit të Muhammedit ﷺ, ose nga sëmundjet në këtë jetë dhe gjëra të tjera që ua kanë fshirë mëkatet e tyre.

Ky është qëndrimi i Ehl-us-Sunnetit lidhur me këto çështje që autori (rahimehullah) e përmendi. Besimtari duhet ta mësojë përmendësh këtë kapitull mirë, të praktikojë atë dhe të sigurohet që besimi i tij të jetë i rrënjosur thellë në mënyrë që ai mund të jetë i ndryshëm nga të gjithë pasuesit e bidateve si Rafidat, Nasibah dhe të tjerët. Rafidat e teprojnë në lidhje me familjen e profetit ﷺ ndërsa Khauarixhët, Mutezilitë dhe të tillët janë të pasjellshëm ndaj sahabëve dhe familjes së të dërguarit të Allahut ﷺ. E lusim Allahun që të jetë i kënaqur me të gjithë ata dhe të bëjë që ne të korrigjohemi duke i pasuar ata në vepra të mira.


1 Muslimi (2408).

2 Ahmedi (1/207).

3 Muslimi (2276).

4 Bukhari (3411) dhe Muslimi (2431).

5 Bukhari (2652) dhe Muslimi (2535).

Shpërndaje: