Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

79.Sqarimi i Ibnu Tejmijes lidhur me shpërblimin e të goditurit me fatkeqësi

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam Ibnu Tejmijeh (rahimahullah) thotë:

“Në lidhje me fatkeqësitë që Allahu i bën të ndodhin, nganjëherë ndodhin pa veprimin e krijesave, si sëmundjet, dhe nganjëherë ndodhin me veprimin e krijesave. Si përmbledhje, robi shpërblehet për të gjitha fatkeqësitë që janë fryt i veprave të mira si xhihadi, urdhërimi në të mirë, ndalimi nga e keqja dhe të ngjashme. Allahu e shpërblen robin për veprën e tij të mirë dhe rezultatet që rrjedhin prej saj, nëse ai duron me to. Një muxhahid që shkon në xhihad e di se ai do të lëndohet për hir të Allahut (Azze ue Xhel) dhe se ai do të dëmtohet, kali i tij do të vritet, ose pasuria e tij do të rrëmbehet, ose do ta rrahin, fyejnë dhe kështu me radhë.

Allahu (Te ala) ka thënë:

ذَلِكَ بِأَنَّهُمْ لاَ يُصِيبُهُمْ ظَمَأٌ وَلاَ نَصَبٌ وَلاَ مَخْمَصَةٌ فِي سَبِيلِ اللّهِ وَلاَ يَطَؤُونَ مَوْطِئًا يَغِيظُ الْكُفَّارَ وَلاَ يَنَالُونَ مِنْ عَدُوٍّ نَّيْلاً إِلاَّ كُتِبَ لَهُم بِهِ عَمَلٌ صَالِحٌ إِنَّ اللّهَ لاَ يُضِيعُ أَجْرَ الْمُحْسِنِينَ

”Kjo është kështu, sepse ata që janë në rrugën e Allahut, sa herë që t’i godasë etja, lodhja e uria dhe sa herë që të shkelin në ndonjë vend ku do t’i zemërojnë mohuesit (jobesimtarët) apo t’i gjejë gjë nga ana e armikut, atyre do t’iu shkruhet si vepër e mirë. Me të vërtetë, Allahu nuk do t’ua humbë shpërblimin punëmirëve.”1

.Allahu (Te ala) tregoi se ata shpërblehen për etje, lodhje, uri, dhe për çdo  gjë tjetër që ata përjetojnë kur shkojnë në xhihad në rrugën e Allahut. Në këtë rast, Allahu i fal mëkatet dhe shpërblen për fatkeqësitë, për shkak se ato ndodhin për shkak të xhihadit. Këto fatkeqësi janë rezultat i këtij veprimi. Fatkeqësitë që janë rezultat një vepre të mirë shpërblehen.

Sa i përket urisë, etjes dhe lodhjes, jo për shkak të kësaj, robi shpërblehet vetëm për durimin me to. Këto vështirësi të përmendura nuk burojnë nga robi, e as nuk janë frytet e një vepre të mirë. Në këtë rast, robit vetëm i shlyen mëkatet.

Sa i përket humbjes së fëmijës, prindi shpërblehet për fëmijën e humbur, kurse i falen mëkatet e tij nëse fëmija lindi nga kontakti ligjor bashkëshortor, që u bë për tu mbrojtur nga zinaja, për të shtuar umetin Islam dhe për të ulur shikimin nga ndalesat, atëherë kjo ndodhi si fryt i veprimeve të tij.

Lidhur me sëmundjet, ato vetëm shlyejnë mëkatet. Është transmetuar se njerëzit i thanë Ebu Ubejdeh bin el-Xherrahs kur ata e vizituan atë për shkak të sëmundjes së tij: “Ti shpërblehesh.” Ai tha: “Unë nuk shpërblehem për këtë. Kjo është një sëmundje për të cilën Allahu i shlyen mëkatet. “

Këtë që e kam përmendur është dallimi në mes personit që goditet me fatkeqësi, i cili shpërblehet për fatkeqësinë e tij dhe atij që nuk shpërblehet. Disa dijetarë thonë se personi që goditet me fatkeqësi shpërblehet në të gjitha rastet, ndërsa të tjerë thonë se ai shpërblehet vetëm për durimin me fatkeqësinë.”


1 9:120

Shpërndaje: