Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

8.Leximi në namazin e natës

Imam Muhamed Nasirudin el-Albani (v. 1420)
Kijamu Ramadan
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Lidhur me leximin në namazin e natës gjatë Ramazanit dhe në muajt e tjerë, i dërguari i Allahut ﷺ nuk kishte lexim të kufizuar. Gjatësia e leximit të tij ﷺ ndryshonin. Nganjëherë lexonte në çdo rekat aq sa merr kohë leximi i sures El-Muzemil, kjo sure i ka njëzet ajete, dhe nganjëherë lexonte pesëdhjetë ajete.

Ai ﷺ thoshte:

“Kush e fal namazin e natës me dhjetë ajete nuk do të regjistrohet në grupin e te pakujdesshmëve.”

Transmeton Ebu Daudi (1398).

Në një hadith tjetër thuhet:

“Kush e fal namazin e natës me njëqind ajete do të regjistrohet në grupin e të devotshmëve dhe të sinqertëve.”

Një natë kur ai ﷺ ishte i sëmurë, lexoi shtatë suret e gjata, që do të thotë El-Bekaren, Ali Imran, En-Nisa, El-Maideh, El-En’am, El-A’raf dhe Et-Teubeh.

Kur Hudhejfeh bin El-Jemeni u fal prapa profetit , ai lexoi ngadalë, El-Bekaren, En-Nisa dhe Ali Imran në një rekat1.

Është konfirmuar me zinxhirin më autentik se kur Umeri -radijAllahu anhu- e urdhëroi Ubej bin Ka’bin që t’i udhëheq njerëzit në namazin e natës në Ramazan me njëmbëdhjetë rekate, Ubeji -radijAllahu anhu- lexoi suret që përmbanin nga dyqind ajete deri sa ata që qëndronin pas tij mbështetshin në shkopinj për shkak të qëndrimit të gjatë. Ata mbetën në këtë gjendje deri në agim të hershëm2.

Gjithashtu është transmetuar në mënyrë autentike nga Umeri se i mblodhi lexuesit e Kuranit në Ramazan dhe i urdhëroi atë që lexonin më së shpejti që të lexonin tridhjetë ajete, ata që lexonin në mënyrë mesatare të lexonin njëzet e pesë ajete dhe ata që lexonin ngadalë të lexonin njëzet ajete3.

Bazuar në këtë, ai që falet vetëm mund të falet sa të dëshiroj. E njëjta gjë vlen edhe nëse ai është me persona që pajtohen me të. Sa më gjatë të jetë namaz aq më mirë. Ndërsa nuk duhet të teprojë saqë që të falet gjatë tërë natës, diçka që duhet të bëhet rrallë. Në vend të kësaj duhet pasuar profetin i cili tha:

“Udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit.”4

Por ai që udhëheq njerëzit në namaz duhet të falet gjatë aq sa nuk ua vështirëson atyre.

Profeti ka thënë:

“Ata që u prijnë njerëzve në namaz, atëherë le t’ua lehtësojë atyre sepse në mesin e tyre ka të sëmurë, të dobët dhe të atillë që kanë nevoja. E, kur të faleni vetëm, zgjateni sa të doni.”

Transmeton Bukhari (90) dhe Muslimi (466).


1 Këto hadithe të gjitha janë autentike dhe përmenden në Sifah Salat-in-Nebij, fq. 117-122.

2 Transmeton Maliku dhe të tjerët. Shih Salat-ut-Tarauih, fq. 52.

3 Shih referencën e mëparshme, fq. 71. Po ashtu transmetohet nga Abdurr-Razaku në El-Musenef (4/621/7731) dhe nga El-Bejhaki (2/498).

4 Një pjesë e një hadithi që është transmetuar nga Muslimi, Nesai dhe të tjerët. Është përmendur në Ahkam-ul-Xhenaiz, fq. 18 dhe në El-Irua (608).

Shpërndaje: