Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

80.Argumentet që tregojnë se veprat e mira u arrijnë të vdekurve

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Tashmë është përmendur se Allahu -te ala- thotë:

”Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “O Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” El-Hashr, 59:10

 “Atëherë, dije se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut. Kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret!” Muhamed, 47:19

“Ata (engjëj), që e mbajnë fronin dhe ata që janë rreth tij, e madhërojnë Zotin e tyre me falënderim dhe i besojnë Atij. Ata lypin falje për besimtarët, duke thënë: “O Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde, prandaj fali ata që janë penduar e që ndjekin rrugën Tënde dhe ruaji ata prej dënimit të zjarrit flakërues!” Gafir, 40:7

Nëse kjo nuk do t’u bënte dobi të vdekurve atëherë Allahu nuk do të kishte nxitur që ta themi këtë lutje.

Lidhur me dëshmitë nga hadithet, transmetohet nga Hasan bin Sad bin El-Ubadeh se kur i vdiq nëna atij, ai shkoi te profeti ﷺ dhe i tha:

“O i dërguari i Allahut, nëna ime vdiq. A të jap sadaka për të?”

Profeti ﷺ tha: “Po.”

Ai i tha: “Cila sadaka është më e mira?”

Profeti ﷺ i tha: “T’u japësh njerëzve ujë (të lësh sadaka një burim uji).”

Transmeton Nesai (3666), i mirë sipas Albanit në Sahih Sunen En-Nesai (3666-3668).

Imam Ahmedi ka transmetuar nga Abdullah bin Umeri -radijAllahu anhuma- se El-‘As bin Ue’il u betua gjatë kohës para Islame se do të therte njëqind deve, ndërsa Hisham bin El-‘Asi theri pesëdhjetë prej tyre. Ai e pyeti profetin ﷺ në lidhje me këtë.

Ai ﷺ i tha: “Në nëse babai yt e pranoi teuhidin, dhe ti agjëron dhe jep sadakë për të, ai përfiton nga kjo.”

Transmeton Ahmedi (4/257) dhe Ebu Daudi (3121), i dobët sipas Albanit në Ed-Daif Sunen Ebi Duad (3121).

Kjo dëshmon se veprat e mira i arrijnë të vdekurit.

Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- rrëfeu se një njeri i tha profetit ﷺ: “Babai im vdiq, ai la pasuri por nuk la testament. A të jap sadaka për të?”

Ai ﷺ tha: “Po.”

Transmeton Muslimi (1630), imam Ahmedi, Nesai (3654) dhe Ibn Maxheh.

Aishah -radijAllahu anha- rrëfeu se një burrë i tha profetit ﷺ: “Nëna ime vdiq papritur dhe nuk la testament. Unë mendoj se sikur të fliste, ajo do të na porosiste që të japim sadaka për të. A shpërblehet ajo nëse jap sadaka për të?”

Ai ﷺ tha: “Po.”

Transmeton Bukhari (2670), Muslimi (1004) dhe imam Ahmedi.

Ibnul-Mundhir transmetoi me zinxhirin e tij të transmetimit nga Aishah -radijAllahu anha- se ajo e liroi një rob për vëllain e saj Abdurr-Rrahmanin pas vdekjes së tij.

Darakutni transmetoi se Hasani dhe Husejni e kishin zakon të lironin robër për babain e tyre Ali ibn Ebi Talibin -radijAllahu anhum- pas vdekjes së tij.

Shpërndaje: