Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

9.I mençuri dhe heshtja

Imam Muhammed bin Hiban el-Busti 
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

1 – I dërguari i Allahut ka thënë:

“Kush e beson Allahun dhe ditën e fundit, le te flasë mirë ose le të heshtë.”

2 – Njeriu i mençur është i detyruar të luftojë me vetveten derisa gjuha e tij të flasë vetëm atë që është e mirë. Gjuha e shpie personin në shkatërrim ndërsa heshtja e shpie në dashuri dhe respekt. Ai që e ruan gjuhën do të jetë i qetë. Më mirë është të pendohesh përse ke heshtur sesa të pendohesh përse ke folur. Heshtja është pushim për trurin ndërsa të folurit është shqetësim për të.

3 – Imam Malik bin Enesi ka thënë:

“Çdo gjë që bëhet më tepër se sa që duhet është e mirë (pozitive) me përjashtim të të folurit i cili është i dëmshëm.”

4 – Ebu-Derda -radijAllahu anhu- ka thënë:

“Nuk ka asgjë të mirë nga jeta e njeriut përveçse nga jeta e dy personave: nga i heshturi që kupton dhe dijetari që flet.”

5 – Njeriu i mençur nuk duhet të ngre zërin mbi njerëzit kur ata flasin dhe nuk duhet të kundërshtojë. Edhe pse të folurit në kohën e duhur është paraqitja më e mirë, heshtja në kohën e duhur është një shkallë e lartë.

6 – Allahu -azze ue xhel- e ka ngritur gjuhën mbi të gjitha pjesët tjera të trupit. Nuk ka asnjë gjymtyrë e trupit që sjell më shumë shpërblim sesa ajo nëse i bindet Allahut. Dhe nuk ka ndonjë gjymtyrë tjetër të trupit që bën mëkat më të madh sesa ajo nëse nuk i bindet Allahut.

7 – Fudejl bin Ijad ka thënë:

“Dy gjëra e ngurtësojnë zemrën e njeriut: “Të folurit e shumtë dhe ushqimi i tepërt.”

8 – Sufjan eth-Theuri ka thënë:

“Adhurimi fillon me heshtje, pastaj me kërkim të dijes, pastaj duke vepruar sipas asaj që mëson, pastaj me nxënien përmendësh, e pastaj duke e përhapur dijen.”

9 – El-Ahnef bin Kajs ka thënë:

“Heshtja e mbron njeriun nga fjalimi i shtrembër, fjalët e rreme dhe të folurit e tepërt. Përveç kësaj heshtja është shkak që të tjerët të respektojnë.”

10 – Njeriu i mençur është i detyruar të heshtë derisa të detyrohet të flasë. Sa shumë njerëz pendohen pse flasin dhe sa pak njerëz pendohen pse nuk kanë folur! Njeriu më i pafat dhe më i sprovuar është ai i cili është sprovuar me të folurit e shumtë dhe me ngurtësimin e zemrës.

11 – El-Ahnef bin Kajs tregon se Umer bin Khatabi -radijAllahu anhu- i tha: “O Ahnef! Ai që flet shumë bën gabime shumë. Ai që bën gabime shumë e humb turpin. Ai që humb turpin, e humb frikën ndaj Allahut. Ai që humb frikën ndaj Allahut, i vdes zemra.”

12 – Ali bin Bekkar ka thënë:

“Çdo gjëje Allahu i ka bërë dy dyer përveç gjuhës të cilës ia ka bërë katër dyer: dy buzët që luftojnë mes vete dhe dy palë dhëmbë që luftojnë mes vete.”

13 – Njeriu i mençur ka një bilanc mes të dëgjuarit dhe të folurit, bilanc i cili bazohet në atë se i janë dhënë dy vesh në mënyrë që të dëgjojë më shumë ndërsa vetëm një gojë që të flasë më pak. Nëse thotë diçka ekziston rreziku që të nesërmen të pendohet e nëse qëndron i heshtur nuk do të pendohet. Të thuash atë që nuk e ke folur është më lehtë sesa të kthehesh prapa nga ajo që ke thënë. Nëse njeriu flet diçka, atëherë ai është peng i fjalës së tij, e nëse nuk e flet asgjë, atëherë ajo fjalë është peng i tij.

Është e çuditshme se si dikush mund të thotë diçka që mund të jetë e dëmshme për ata që e dëgjojnë. Përse njeriu nuk hesht? Atëherë pse nuk hesht e të mos e thotë fare?! Ka mundësi që një fjalë e vetme të jetë shkak që të pengojë fitimin e ndonjë mirësie apo që t’i largohet ndonjë mirësi.

14 – Ebu Derda -radijAllahu anhu- ka thënë:

“Mjafton të përpiqesh të bësh padrejtësi për të qenë zullumqarë. Mjafton të diskutosh pa nevojë për të qenë mëkatar. Mjafton të flasësh shumë për të qenë gënjeshtar, përveç atëherë kur flet për Allahun -tabarake ue te ala-.”

15 – Ka’bul-ahbar ka thënë:

“Mirëqenia e njeriut përbëhet prej dhjetë pjesëve, nëntë prej tyre janë tek heshtja.”

16 – El-Euzai ka thënë:

“Askush nuk është vënë në sprovë më të madhe në fe sesa personi që flet shumë.”

17 – Khalid bin el-Harith ka thënë:

“Heshtja është zbukurimi i të mençurit dhe shëmtimi i injorantit.”

18 – Nëse në heshtjen nuk do të kishte asnjë veçori të mirë përveçse ajo e zbukuron të mençurit dhe e shëmton injorantin, do të ishte e detyrueshme për njeriun që të heshtë sa më shumë. Kushdo që dëshiron të shpëtojë, le të flasë vetëm atë që pranohet prej tij, të bëhet kjo me masë të reduktuar sepse nuk ka guxim të flasë shumë përveç budallait dhe ai që është më i miri në një lëmi.

19 – Shumë prej dijetarëve nuk kanë transmetuar hadithe nga njerëzit të cilët flisnin shumë. Një shembull i tillë është fjala e Se’idit ku thotë:

“E kam pyetur el-Hakam se pse ai nuk ka shkruar nga Zadhani. Ai u përgjigj: “Sepse ai flet shumë.”

20 – Gjuha e të mençurit fshihet pas zemrës së tij. Kur dëshiron të flasë, i kthehet zemrës, nëse është në dobi të tij, ai flet, përndryshe hesht. Zemra e injorantit është në majë të gjuhës së tij, çfarë i vjen në gjuhë ai e thotë. Ai që nuk e ruan gjuhën e tij, nuk e kupton fenë e Allahut.

21 – Si do që të jetë gjuha e njeriut e mirë apo e keqe kjo shfaqet në të gjitha gjymtyrët e tij.

22 – Jahja bin Ebi Kethir ka thënë:

“Nuk ka mundësi që të folurit e njeriut të jetë i mirë e të mos shfaqet kjo edhe në veprimet e tij.”

23 – I mençuri nuk flet përderisa nuk pyetet, ai flet vetëm me ata që ia pranojnë fjalën. Nëse dikush e shpif apo e fyen ai nuk i kundërpërgjigjet në asnjë formë. Edhe pse heshtja që nga fillimi është gjë e mirë, padyshim se heshtja është e mirë edhe atëherë kur flitet (për të) diçka e keqe.

24 – Ibn Mesudi -radijAllahu anhu- ka thënë:

“Betohem në Allahun, se asgjë nuk meriton të burgoset aq gjatë sesa gjuha.”

25 –  I mençuri e ruan veten e tij në mënyrë që të mos bie në mangësi. Prej mangësive që më së shumti e shkatërron shëndetin e brendshëm dhe shpirtin e tij të mirë është të folurit e tepërt. Kjo vlen edhe pse lejohet të folurit e shumtë. Njeriu nuk mund t’i kushtojë rëndësi heshtjes nëse nuk largohet nga të folurit e lejuar.

26 – Ibrahim et-Tejmi ka thënë:

“Një person i cili shoqërohej me er-Rabi bin Hejthem për njëzet vite më tregoi se kurrë nuk e kishte dëgjuar atë të thoshte diçka që është e qortueshme.”

27 – I mençuri nuk duhet të flasë shumë fjalë që janë të lejuara në mënyrë që të mos bie në ndalesa dhe me këtë ta shkatërrojë vetveten.

28 – Nëse njeriu flet shumë ai fillon të pëlqejë mosbindjen. Nëse robi nuk e flet atë që i sjell dobi në jetën tjetër për të është më mirë që të mos flasë asgjë.

29 – Muarrik el-Ixhli ka thënë:

“Ka një gjë që po e kërkoj që njëzet vite dhe që do vazhdoj ta kërkoj ende.” E pyetën: “Çfarë po kërkon?” Ai tha: “Që të heshti në lidhje me atë që nuk më përket mua.”

30 – Kharixheh ka thënë:

“Jam shoqëruar me Abdullah bin ‘Aun për pesëmbëdhjetë vite dhe nuk mendoj se engjëjt shkruan diçka të keqe prej tij.”

Shpërndaje: