Autor: Imam Muhamed bin Abdil-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Shejkh-ul-Islam Muhamed bin Abdul-Uehab -rahimehullah- ka thënë:
1 – Allahu -te ala- ka thënë:
”A e keni parë el-Lat dhe el-Uzza? Dhe Menat, të tretin, të fundit (te cilët ju i adhuroni)? Vallë, për ju janë djemtë, ndërsa për Atë (Allahun) vajzat?!” En-Nexhm, 53:19-21
2 – Ebu Uakid el-Lejthi ka thënë:
”Ne u nisëm për në Hunejn së bashku me profetin ﷺ, ndërsa ne sapo kishim braktisur mosbesimin. Idhujtarët kishin një pemë sidri me emrin ”Dhat Enuat” të cilën e kishin zakon ta madhëronin dhe varnin armët e tyre në të. Ne kaluam pranë një peme sidri dhe thamë: “O i dërguari i Allahut! “Na cakto edhe neve një pemë të tillë që t’i varim armët sikurse ata.”
I dërguari i Allahut ﷺ tha: ”Allahu është më i Madhi! Këto janë traditat (e injorancës). Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, ju thatë saktësisht atë që bijtë e Izraelit i thanë Musait :
“Ata i thanë Musait: “Na bëj edhe neve një të adhuruar, ashtu si kanë ata të adhuruar”. Musai tha: “Ju qenkeni vërtet një popull i paditur!” El-A’raf, 7:138
Ju do të pasoni traditat e popujve të mëparshëm.”
Ahmedi (21947), Tirmidhi (2180), Ibn Hibani (6702) dhe Tabarani (3291). Autentik sipas Albanit në ”Mishkat-ul-Masabih (5408)”. Tirmidhi e konsideroi hadithin autentik.
Shpjegimi
Kjo ka për qëllim gjërat e tilla si varret, statujat dhe gjëra të tjera.
Teberruk do të thotë të kërkosh bekim prej tyre. Kjo bëhet p.sh. nga njerëzit që adhurojnë varre, gurë dhe statuja. Ai nuk e përmendi gjykimin e këtij veprimi në mënyrë që studenti ta arrijë këtë përmes teksteve të mëparshme. Gjykimi është se kjo vepër është shirk, të cilën autori do ta deklarojë. Ky teberruk i përket praktikës së periudhës pagane dhe u anulua nga Islami. Disa iu përgjigjën Islamit, e ata ishin pak, ndërsa shumica e injoruan atë:
”Po ti edhe pse dëshiron, shumica e njerëzve nuk do të besojnë.” Jusuf, 12:103
Lidhur me Gadishullin Arabik, shumica e tyre u konvertuan në Islam pas çlirimit të Mekës.
1 – Allahu -te ala- ka thënë:
”A e keni parë el-Lat dhe el-Uzza? Dhe Menat, të tretin, të fundit (te cilët ju i adhuroni)? Vallë, për ju janë djemtë, ndërsa për Atë (Allahun) vajzat?!” En-Nexhm, 53:19-21
Do të thotë këto statuja a kanë sjellë dobi apo dëm? Kjo do të thotë se ato as nuk sjellin dobi e as dëm. Ata e kishin zakon që t’i luteshin atyre, kërkonin bekimin përmes tyre dhe kërkonin ndihmë prej tyre. Këto vepra janë anuluar nga Islami. El-Uzza i përkiste banorëve të Mekës dhe aleatëve të tyre. Menat i përkiste Medinës. El-Lat i përkiste Taifit dhe ata që i pasuan ata. Këto statuja u hoqën ditën kur u çlirua Meka. Megjithëkëtë, profeti ﷺ tha:
”Netët dhe ditët nuk do të pushojnë derisa të mos adhurohen el-Lat dhe el-Uzza.” Muslimi (2907).
2 – Ebu Uakid el-Lejthi ka thënë:
”Ne u nisëm për në Hunejn së bashku me profetin ﷺ, ndërsa ne sapo kishim braktisur mosbesimin. Idhujtarët kishin një pemë sidri me emrin ”Dhat Enuat” të cilën e kishin zakon ta madhëronin dhe varnin armët e tyre në të. Ne kaluam pranë një peme sidri dhe thamë: “O i dërguari i Allahut! ”Na cakto edhe neve një pemë të tillë që t’i varim armët sikurse ata.”
I dërguari i Allahut ﷺ tha: ”Allahu është më i Madhi! Këto janë traditat (e injorancës). Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, ju thatë saktësisht atë që bijtë e Izraelit i thanë Musait:
“Ata i thanë Musait: “Na bëj edhe neve një të adhuruar, ashtu si kanë ata të adhuruar”. Musai tha: “Ju qenkeni vërtet një popull i paditur!” El-A’raf, 7:138
“Ju do të pasoni traditat e popujve të mëparshëm.”
Ahmedi (21947), Tirmidhi (2180), Ibn Hibani (6702) dhe Tabarani (3291). Autentik sipas Albanit në ”Mishkat-ul-Masabih (5408)”.
Transmeton Tirmidhi dhe hadithi është autentik sipas tij.
Fjalët e tij ”ndërsa ne sapo kishim braktisur mosbesimin”, është një formë justifikimi. Është sikurse ai donte të thotë se kjo ishte arsyeja e veprimit.
Fjalët e tij ”dhe varnin armët e tyre në të”, do të thotë se ata vepruan kështu duke shpresuar bekimin. Ata pohonin se kjo do ta forconte shpatën dhe goditjen.
Fjalët e tij: ”Na cakto edhe neve një pemë të tillë që t’i varim armët sikurse ata”, që do të thotë se ata do të vepronin këtë për të arritur bekimin.
Profeti ﷺ tha: ”Allahu është më i Madhi!” Ai e kishte zakon të thoshte kështu kur ai shihte ndonjë gabim. Ai tha: ”Allahu është më i Madhi” ose ”I pa të meta është Allahu”. Është sunnet të thuhet kështu kur qorton ndonjë gabim ose kur të pëlqen diçka. Kur profeti ﷺ ka thënë: ”Ju përbëni një të katërtën e banorëve të xhenetit.” Sahabët thanë: ”Allahu është më i Madhi!” Bukhari (3348) dhe Muslimi (222).
Fjalët e profetit ﷺ: ”Këto janë traditat (e injorancës)”, ka për qëllim adhurimin e pemëve, shkëmbinjve dhe bërja teberruk (kërkimi i bereqetit) nëpërmjet tyre. Kjo i përket metodologjisë së njohur të popujve të mëparshëm. Njerëzit e lashtë vërtetë kanë bërë gjithmonë kështu.
Profeti ﷺ ka thënë: ”bijtë e Izraelit”, Izrael, Izrail është Jakubi biri i Is’hakut biri i Ibrahimit. Izraelitët janë jehudët dhe ata që e asociojnë veten me Izraelin, Izrailin. Pra jehudët i thanë Musait:
“O Musa! Na e bëj edhe neve një të adhuruar si të adhuruarit që i kanë ata (ai popull).”
Musai i refuzoi ata dhe ua kujtoi atyre teuhidin. Në të njëjtën mënyrë këta sahabë i pasuan ata nga injoranca. Ata nuk e dinin gjykimin e këtij veprimi për shkak se ata sapo e kishin braktisur kufrin. Kjo dëshmon se pika është në realitetin dhe jo në fjalë sepse ata kërkuan diçka për ta nderuar atë dhe për t’u bekuar përmes saj sikurse vepruan bijtë e Izraelit edhe pse shprehjet e tyre janë të ndryshme. E kota është e kotë edhe nëse shprehjet ndryshojnë.
Profeti ﷺ tha: ”Ju do të pasoni traditat e popujve të mëparshëm”, kjo është metodologjia e tyre. Kjo do të thotë se ky umet do të sprovohet si njerëzit në kohën pagane, në adhurimin e varreve dhe gurëve dhe teberrukut nëpërmjet tyre. Kjo ka ndodhur tashmë. Profeti ﷺ tha kështu për të treguar se çfarë do të ndodhë. Ai paralajmëroi kundër kësaj dhe pohoi se është është obligim qe të adhurojmë vetëm Allahun ashtu sikurse vepruan profetët. Ndërsa teberruku i takon praktikës së jehudëve, të nasarave dhe paganëve.