Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

88.Çfarë ke përgatitur për varrin tënd?

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Kur Uthmani -radijAllahu anhu- qëndronte pranë një varri, qante sa që i lagej edhe mjekra. I thanë atij: ”Kur po e kujton xhenetin dhe xhehnemin nuk po qan, ndërsa po qan nga ky varr.”

Ai tha: “Varri është stacioni i parë i botës tjetër. Kush shpëton prej tij, çdo gjë që vijon do ta ketë më lehtë. Kush nuk shpëton prej tij, çdo gjë që vijon do ta ketë akoma më vështirë.”

Pastaj tha: “I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Kurrë nuk kam parë diçka më të tmerrshme se varri.”

Transmeton Ibn Maxheh (4267), hadithi është autentik sipas Albanit në Sahih Sunen Ibn Maxheh (3461).

Muxhahidi -rahimehullah- ka thënë: “I pari që do t’i flasë njeriut është varri i tij. Ai i thotë: “Unë jam vendbanimi i krimbave, jam vendbanimi i vetmisë, jam vendbanimi i errësirës, jam vendbanimi i panjohur për ty. O njeri! Kjo është ajo që unë kam përgatitur për ty. Çfarë ke përgatitur ti për mua?”

Ebu Derda -radijAllahu anhu- ka thënë: “A të mos iu tregojë në lidhje me ditën e varfërisë time? Ajo është kur unë të vendosem në varrin tim.”

Xhafer Es-Sadik -radijAllahu anhu- e kishte zakon që t’i vizitonte varrezat gjatë natës dhe thoshte: “O banorë të varreve! Pse nuk përgjigjeni kur iu thërras? Betohem në Allahun se ata nuk mund të përgjigjen. Është sikurse unë të jem si ta ose si një prej tyre.”

Pastaj kthehej kah Kibla dhe i lutej Allahut deri në agim.

Umer bin Abdil-Aziz -rahimehullah- i tha njërit prej shokëve të tij: “Natën e kaluar kam menduar për varrin dhe të vdekurin. Sikurse ta kishe parë të vdekurin pas tre ditësh, do të bezdiseshe prej tij pasi ke qenë i kënaqur me të një kohë të gjatë. Do të kishe parë një vendbanim të mbushur plotë insekte, do të kishe parë sesi qelbi lëviz nga i vdekuri, sesi krimbat e han atë. Era i ka ndryshuar dhe qefinet i janë prishur. E gjithë kjo pasi ka qenë i bukur, me aromë të këndshme dhe i pastër.”

Pastaj bërtiti dhe ra pa ndjenja.

Disa njerëz të urtë kanë thënë: “Janë katër dete për katër gjëra; Vdekja është deti i jetës, shpirti është deti i epsheve, varri është deti i pendimit, falja e Allahut është deti i mëkatarit. E lusim Allahun e Plotfuqishëm që t’i bëj varret tona të jenë vendi më i mirë.”

Shpërndaje: