Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

89.Mos u mashtro nga heshtja e varreve

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Nëse një person hyn në varrezat e dekoruara dhe të stolisura, ai nuk do të ishte në gjendje të bëjë dallimin mes banorit të xhenetit dhe banorit të xhehnemit. Është vetëm Allahu që e di se kush janë ata. Mund të ketë një varr gjurmët e të cilit janë zhdukur dhe shkelet nga kafshët ndërsa i varrosuri aty është në xhenetin më të lartë. Mund të ketë një varr i zbukuruar me një kupolë të lartë dhe perde mëndafshi ndërsa i varrosuri është në xhehnem. Kur të hysh në varreza nuk mund të bësh dallimin mes burrit dhe gruas, të riut dhe të moshuarit, të lirit dhe skllavit. E si të kemi mundësi të dallojmë xhenetliun nga xhehnemliu kur nuk mund t’i dallojmë ata qe përmendëm, diferenca e të cilëve është e qartë në këtë jetë?

Sapo të binte nata ‘Ata Es-Sulejmi -rahimehullah- e kishte zakon të shkonte në varreza dhe thoshte: “O banorë të varreve! Ju keni vdekur, ju tani i keni parë veprat tuaja.

Pastaj thoshte: Nesër ‘Ata është në varr.”

Ai mbetej në këtë gjendje deri në agim.

Sufjan Eth-Theuri -rahimehullah- ka thënë: “Ai që e përkujton varrin shumë do ta gjejë atë si një kopsht prej kopshteve të xhenetit. Ai që është neglizhent në përkujtimin e tij do ta gjejë atë si një grop prej gropave të xhehenemit.”

Ali bin Ebi Talibi -radijAllahu anhu- kaloi pranë varrezave, u ndal për një çast dhe tha: “Paqja qoftë mbi ju o banorë të vetmisë dhe zbrazëtisë! Ju jeni paraardhësit tanë dhe ne jemi pasardhësit tuaj. Së shpejti ne do t’u bashkohemi juve. O Allah! Falna neve dhe ata! Allahu ia dhëntë xhenetin atij që kujton jetën tjetër dhe vepron para dhënies llogari, kënaqet me atë që mjafton, dhe kënaqet me Allahun në të gjitha rastet! O banorët të varreve! Gratë tuaja janë rimartuar. Në shtëpitë tuaja banojnë të tjerët. Pasuria juaj është shpërndarë. Këtë e kemi për t’u thënë. Çfarë keni ju për të na thënë neve?” Pastaj u kthye kah shokët e tij dhe tha: “Në qoftë se ata do të ishin në gjendje që të flasin do të thoshin: “Ne e kemi kuptuar se frika ndaj Allahut është furnizimi më i mirë.”

Është transmetuar se një burrë erdhi tek Umer bin Abdil-Azizi -rahimehullah- dhe u çudit sesi pamja e tij kishte ndryshuar nga adhurimi i shumtë.

Umeri i tha atij: “Nipi im i dashur! A po çuditesh me mua? Çfarë do të kishe thënë nëse më kishte parë pas tre ditëve të varrimit tim? Bebëzat e syve kanë rrjedhur poshtë mollëzave të mia, buzët janë plasaritur dhe rrotulluar larg dhëmbëve, qelbi ka rrjedhur, krimbat kanë dalë nga hunda dhe goja ime, stomaku im është fryrë mbi gjoksin tim. Nëse më kishe parë atëherë do të ishe çuditur më shumë me mua sesa tani.”

Ai që e di këtë, ai e di se do të përfundojë në një gropë të errët dhe të zbrazët që nuk kujdeset për të zbukuruar pamjen e saj. Ai e di se çfarë e pret një trup të bukur, një pamje të bukur dhe një lëkurë të butë. Ai së shpejti do të hidhet në një gropë ku të gjitha lidhjet e tij shkëputen dhe gjendja do të ndryshojë. Pastaj ai fillon të kalbet dhe t’i vijë erë e keqe, madje edhe të afërmit e tij më të dashur ikin prej tij.

Në qoftë se robi mendon siç duhet në lidhje me varret magjepse të njerëzve, e kupton se është sikurse ata kurrë nuk kanë qenë në tokë dhe nuk kanë përjetuar asnjë kënaqësi dhe magjepsje. Betohem në Allahun se ata tani torturohen, sprovohen dhe kanë krimba në trupat e tyre. Më i miri dhe më i lumturi prej tyre është ai i cili i shpëton dënimit të Allahut -azze ue xhel-.

Tebit El-Bunani -rahimehullah- ka thënë: “Hyra në një varrezë, dhe kur isha duke dalë nga aty dëgjova një zë duke thënë: “O Thebit! Mos lejo që të mashtrohesh nga heshtja e varreve, janë të shumtë ata që ndëshkohen në to.”

Shpërndaje: