Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Allahu -te ala- ka thënë:
“Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim.” El-Isra,17:85
“Kur t’i jap formën dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, ju t’i përuleni atij në sexhde.” El-Hixhr, 15:29
“Edhe Merjemen, të bijën e Imranit, e cila ruajti virgjërinë e saj; Ne frymë brenda saj nga shpirti Ynë (shpirtin e Isait).” Et-Tahrim, 66:12
Profeti ﷺ ka thënë:
“Pastaj dërgohet një engjëll që i frynë një shpirt në të.”
Transmeton Bukhari (6549) dhe Muslimi (2643).
Sa i përket fjalëve të Allahut -te ala-:
“Ne i dërguam shpirtin (melekun) Tonë, i cili iu paraqit asaj si një njeri i plotë.” Merjem, 19:17
dhe:
“Në ditën, kur shpirti (Xhibrili) dhe engjëjt do të jenë të rreshtuar, nuk do të flasë askush përveç atij që do t’i japë leje i Gjithëmëshirshmi e që do të thotë të vërtetën.” En-Nebe’, 78:38
Komentuesit e Kuranit kanë mendime të ndryshme se nëse është për qëllim Xhibrili apo një engjëll tjetër.
Dijetarët kanë shkruar shumë për këtë temë por jo sipas kësaj radhitje. Unë do të përmend shkurtimisht duke përfshirë fjalët nga shumica e dijetarëve në lidhje me vendqëndrimin e shpirtit pas vdekjes së njeriut e deri në ditën e gjykimit. A është shpirti në qiell apo në tokë? A është shpirti në xhenet apo në xhehenem? A përjeton lumturi dhe tortura në trupin e tij të vjetër apo zhvendoset në një trup tjetër? A qëndron shpirti i vetëm (pa trupin) apo zhduket dhe nuk ekziston? Dijetarët kanë përmendur mospajtime të shumta dhe të ndryshme lidhur me këtë çështje. Secili grup ka mendimin e tij që e mbështesin dhe e konsiderojnë të jetë më i fortë se tjetri.
Kjo çështje mund të njihet vetëm përmes shpalljes. Ka dijetarë që thonë se shpirtrat e besimtarëve dhe të shehidëve janë në xhenet me kusht që të mos kenë bërë asnjë mëkat të madh si padrejtësia ndaj robërve që i ndalon ata nga hyrja në xhenet. Në qoftë se ata nuk kanë bërë ndonjë gjë të tillë, Zoti i tyre i pranon ata me falje dhe mëshirë:
“Kurrsesi mos i quani të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut. Jo, janë të gjallë duke u ushqyer te Zoti i tyre.” Ali Imran, 3:169
Prej atyre që e kanë këtë mendim janë Ebu Hurejra, Abdullah bin Umeri dhe të tjerët nga selefët. Abdullah bin Ahmedi tha se imam Ahmedi -rahimehullah- ka thënë:
“Shpirtrat e besimtarëve janë në xhenet dhe shpirtrat e kufarëve janë në xhehenem.”
Dijetarë të tjerë thonë se shpirtrat e besimtarëve janë te portat e xhenetit, atyre u vjen pjesë nga kënaqësia dhe furnizimi i tij.
Ebu Abdilah bin Mende -rahimehullah- ka thënë:
“Një grup i dijetarëve në mesin e sahabëve dhe tebiinëve thanë se shpirtrat e besimtarëve janë tek Allahu -azze ue xhel-, dhe nuk thanë më shumë se kaq.”
Pastaj ai tha: “Është transmetuar nga disa sahabë dhe tebiinë se shpirtrat e besimtarëve janë në Xhabijeh1 ndërsa shpirtrat e kufarëve janë në pusin Barhut në Hadhramaut.”
Ebu Umer bin Abdil-Berr -rahimehullah- ka thënë: “Shpirtrat e shehidëve janë në xhenet, shpirtrat e besimtarëve të tjerë janë në vendet e tyre në varre.”
Ibnul-Mubarak ka thënë se Ibn Shurejxh i lexoi atij se Muxhahidi -rahimehullah- ka thënë: “Shpirtrat e besimtarëve janë në xhenet, ata hanë aty nga frutat e tij dhe ndiejnë aromën e tij.”
Maliku -rahimehullah- ka thënë: “Kam mësuar se shpirti është i lirë, ai shkon kudo që dëshiron.”
Kabul Ahbar -rahimehullah- ka thënë: “Shpirtrat e besimtarëve janë ë Ilijun në qiellin e shtatë, ndërsa shpirtrat e kufarëve janë në Sixhin në tokën e shtatë.”
Është transmetuar se Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- ka thënë: “Shpirtrat e të devotshmëve janë në Ilijun, ndërsa shpirtrat e mëkatarëve janë në Sixhin.”
Diçka e ngjashme transmetohet nga Abdullah bin Umeri -radijAllahu anhu-.
Ka dijetarë që thonë se shpirtrat e besimtarëve janë në burimin Zemzem. Megjithatë, unë nuk kam parë ndonjë argument për këtë mendim. Ata që e kanë këtë mendim thonë se shpirtrat e kufarëve janë në burimin Barhut.
Selman El-Farisi -radijAllahu anhu- ka thënë: “Shpirtrat e besimtarëve shkojnë kudo që dëshirojnë, ndërsa shpirtrat e kufarëve janë në Sixhin.”
Ibn Kutejbeh -rahimehullah- ka thënë: “Disa dijetarë mendojnë se shpirtrat e besimtarëve janë në fushat e tyre të varreve. Ka nga ata nga Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati që thonë se shpirtrat e besimtarëve dhe shpirtrat e kufarëve janë në varre, dhe shpirtrat shpërblehen dhe dënohet në varr deri në ditën e gjykimit siç ka thënë profeti ﷺ, dhe se varri është ose një kopsht prej kopshteve të xhenetit, ose një gropë plotë zjarr. Prandaj ai ﷺ ndaloi të ulurit mbi varre dhe urdhëroi që t’u japim selam atyre.
Ibn Umeri -radijAllahu anhuma- rrëfeu se profeti ﷺ ka thënë:
“Kur ndonjëri prej jush vdes, atij do t’i tregohet vendi i tij në mëngjes dhe mbrëmje. Nëse është nga banorët e xhenetit, i tregohet vendi i tij në xhenet, e nëse është nga banorët e xhehenemit, i tregohet vendi i tij në xhehenem. Do t’i thuhet atij: “Ky është vendi yt të cilin do ta shohësh derisa Allahu të të ringjallë në ditën e kijametit.”
Transmeton Bukhari (1379), Muslimi (2866) dhe Ahmedi në Musnedin e tij.
Ka dijetarë që thonë se shpirtrat qëndrojnë në qiellin e dynjasë. I dërguari ﷺ tregoi sesi gjatë udhëtimit të tij për në qiell e pa Ademin ﷺ në qiellin e dynjasë, në të djathtë të tij pa shpirtrat e banorëve të xhenetit kurse në të majtë pa shpirtrat e banorëve të xhehenemit. Kjo i përket asaj që Bukhari transmeton në Sahihun e tij nga Samureh bin Xhundub i cili rrëfeu se profeti ﷺ tha në lidhje me ëndrrën e tij:
”Burri i gjatë në mes të kopshtit ishte Ibrahimi ﷺ, ndërsa fëmijët që ishin rreth tij janë të gjithë ata fëmijë që vdiqën në natyrshmërinë e shëndoshë.”
I thanë: ”O i dërguar i Allahut, po fëmijët e idhujtarëve?”
Ai ﷺ u përgjigj: ”Edhe fëmijët e idhujtarëve.”
Megjithatë, ky hadith nuk është i përgjithshëm, ky hadith flet vetëm për shpirtrat e fëmijëve.
1 الجابية”>http://ar.wikipedia.org/wiki/%D8%A7%D9%84%D8%AC%D8%A7%D8%A8%D9%8A%D8%A9