Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

A do ta shohin besimtarët Allahun në ahiret?

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Fatauah Nur ’ala Darb Vol 1: 157-158
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Pyetje: Ka një debat mbi çështjen e shikimit në Allahun -subhanehu ue teala- në ditën e gjykimit. Ka shumë argumente për këtë. Disa njerëz thonë se Allahu nuk do të shihet, ndërsa të tjerë pretendojnë të kundërtën. Secila palë citon ajete dhe hadithe me të cilat dëshirojnë të hedhin poshtë mendimet e njëri-tjetrit. Na jep një përgjigje për këtë pyetje, Allahu ju shpërbleftë me të mira.

Përgjigje: Mendimi i Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit, gjithashtu Ixhma’i (konsensusi) i sahabëve -radijAllahu anhum- dhe pasardhësve të tyre, është se ata do ta shohin Allahun -subhanehu ue te ala- në ditën e ringjalljes.

Besimtarët do ta shohin Atë, madje edhe në xhenet, dhe për këtë janë dakord sahabët dhe të gjithë Eh-us-Sunneti dhe Xhemati. Kjo vërtetohet nga ajetet e Kuranit dhe nga sunneti i pastër autentik.

Allahu -azze ue xhel- thotë:

“Atë ditë do të ketë fytyra që shkëlqejnë; që Zotin e tyre e shikojnë.” El-Kijameh, 75: 22-23

Do të thotë shikojnë në fytyrën e Tij -tebareke ue te ala-:

“Ata që bëjnë vepra të mira do të kenë shpërblimin më të mirë, madje edhe më tepër.” Junus, 10:26

Është transmetuar në formë autentike se profeti ﷺ ka thënë: “shpërblimin më të mirë” d.m.th. xhennetin. Ndërsa “madje edhe më tepër” nënkupton shikimin në Allahun.” [Es-Sunneh nga Abdullah bin Ahmedi, vol 1 nr. 443].

Thotë Allahu në një ajet tjetër:

“Jo kurrë! Vërtet, atë ditë ata do të jenë të penguar nga Zoti i tyre.” El-Mutaffifin, 83:15

Nëse kufarët do të jenë të penguar, duhet ta dini se besimtarët nuk do të jenë të penguar nga shikimi në Allahun. Përkundrazi, ata do ta shohin Zotin e tyre në ditën e ringjalljes dhe në xhenet. Shumë hadithe janë transmetuar nga profeti ﷺ, të cilat argumentojnë se besimtarët do ta shohin Zotin e tyre në ditën e ringjalljes dhe në xhenet.

I dërguari i Allahut ka thënë:

“Ju do ta shihni Zotin tuaj në ditën e kiametit, ashtu siç shihni hënën e plotë.” 

Transmeton Bukhari dhe Muslimi.

Në një tjetër transmetim të këtij hadithi thuhet:

Xherir bin Abdullah -radijAllahu anhu- rrëfeu:

“Një natë ishim duke ndenjur tek profeti ﷺ, ai shikoi hënën e plotë dhe tha: Vërtet, ju do ta shihni Zotin tuaj ashtu siç po e shihni hënën, pa asnjë vështirësi.”

Transmeton Bukhari (554) dhe Muslimi (633).

Kurse në një transmetim tjetër thuhet: 

“Ashtu siç e shihni diellin në një ditë pa re.” 

Transmeton Bukhari (7437) dhe Muslimi.

Këto janë fjalë të qarta dhe të kuptueshme. Profeti ﷺ e qartësoi se besimtarët do ta shohin Zotin e tyre në mënyrë të qartë ashtu siç shihet dielli pa re që e mbulojnë atë, apo edhe si hëna e plotë kur qielli është i pastër. Pas këtij sqarimi, a ka ndonjë sqarim më shumë? Ky shpjegim është shumë i qartë dhe i kuptueshëm.

Përveç kësaj profeti ﷺ shtoi se besimtarët do ta shohin Atë edhe në xhenet. Kështu që nëse një person e mohon këtë shikim—domethënë që besimtarët do ta shohin Allahun në ditën e gjykimit dhe në xhenet—ai është një bidatçi i humbur.

Shpërndaje: