Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Aq afër megjithatë mbi fronin dhe mbi qiell

Imam Uthman bin Sa’id ed-Darimi (v. 280)

Burimi: Nakdhu Uthman bin Said ala el-Marisi el-Xhehmi el-Anid, fq. 241-242

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Ti pohon se Allahu nuk ka thënë se Ai është në një vend të caktuar, dhe e ke për qëllim se Ai është kudo. Ti interpreton ashtu sikurse e kishte zakon Xhehm bin Safuani të interpretojë dhe të argumentojë me ajetin:

مَا يَكُونُ مِن نَّجْوَى ثَلَاثَةٍ إِلَّا هُوَ رَابِعُهُمْ وَلَا خَمْسَةٍ إِلَّا هُوَ سَادِسُهُمْ وَلَا أَدْنَى مِن ذَلِكَ وَلَا أَكْثَرَ إِلَّا هُوَ مَعَهُمْ أَيْنَ مَا كَانُوا

”Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave veçse Ai është i katërti; e as mes pesë vetave veçse Ai është i gjashti, e as mes më pak vetave dhe as mes më shumë vetave, e të mos jetë Ai me ta, kudo që të jenë.”.”1

Pastaj ti përmende hadithin e Ebu Musës nga profetit (salAllahu alejhi ue selem) i cili tha:

“O njerëz! Qetësohuni! Ju nuk po i luteni dikujt që është i shurdhër ose që mungon. Ju po i luteni Atij që dëgjon, sheh dhe është afër. Vërtetë, Atij të cilit po iu luteni është më afër jush se sa qafat shtazëve (kalorëse) tuaja.”2

Këtij kundërshtuesi i thuhet se Allahu është ashtu siç Ai e ka përshkruar Veten e Tij dhe ashtu siq i dërguari (salAllahu alejhi ue selem) e ka përshkruar Atë. Ai është më afër krijesave se sa arteriet e tyre janë. Ai është më afër tyre me dituri, shikim dhe dëgjim ndërsa njëkohësisht Ai është mbi Arsh. Asgjë nga ajo që ata bëjnë nuk është e fshehur për Të. Ai është mbi Arshin e Tij dhe e di me diturinë e Tij të gjerë se çfarë ata veprojnë. Ai është mbi arshin e Tij dhe sheh gjithçka që ata bëjnë.

Nëse ata janë tre, Ai është i katërti. Nëse ata janë katër, Ai është i pesti. Nëse ata janë pesë, Ai është i gjashti. Ai e di çdo gjë që ata veprojnë dhe në Ditën e Gjykimit Ai do t’i njoftoj lidhur me atë që e kishin zakon të vepronin. Në të njejtën mënyrë Ai është me të gjithë ata që mblidhen për diskutim të fshehtë. Por nuk është sikurse thoni ju se Ai është me secilin që urinon, zbrazë zorrët dhe kanë marrëdhënie seksuale në tualetet e tyre, në dhomat e gjumit.

Madhështia e zotërimit të Tij dhe madhështia e aftësisë së Tij njihet vetëm nga ajo se Allahu (te ala) është mbi arshin e Tij dhe e di ç’ka në qiej e në tokë dhe nën tokë dhe është me të gjitha diskutimet e fshehta. Ai (te ala) tha:

عَالِمُ الْغَيْبِ وَالشَّهَادَةِ

”Ai është që di të fshehtën dhe të dukshmen, Ai është i Madhëruari e i Lartësuari.”3

Po të kishte qenë Ai në tokë, siç pohoni ju, në krah të të gjitha diskutimeve të fshehta, nuk do të ishte e çuditshme që në Ditën e Gjykimit Ai tu tregojë atyre atë që ata vepruan. Po të kishim pasur të njëjtën lidhje me ta edhe ne gjithashtu do tu tregonim atyre atë që ata vepronin, thoshin dhe e fshihnin. Atëherë si dallon Ai që e di të fshehurën nga krijesat të cilët nuk e dinë të fshehurën, sipas jush?


1 El-Muxhadilah 58:7

2 Bukhari (2992).

3 Er-Rad 13:9

Shpërndaje: