Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Çfarë nënkupton thënia e Allahut: “Vepruesi i gjithçkaje që dëshiron”?

Imam el-Kadii Ali bin Ali bin Muhamed bin Ebil-‘Izz ed-Dimeshki (v. 792)

Burimi: “Sherh Akidetut-Tahauijjeh” fq. 200-201

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Thotë Allahu Te ala:

فَعَّالٌ لِّمَا يُرِيدُ

“Vepruesi i gjithçkaje që dëshiron.” 85:16

Ky ajet aludon në disa gjëra:

Allahu Te’ala vepron me dëshirën dhe vullnetin e Tij,

Kjo cilësi është e vazhdueshme për Allahun, ngase përmendet si lëvdatë dhe ngritje e Allahut për Vetveten ashtu siç Ai e meriton. Kjo cilësi i përket përsosmërisë së Allahut Subhaneh, prandaj në asnjë kohë nuk mund të jetë mos-posedues i kësaj, siç thotë Allahu Te’ala:

أَفَمَن يَخْلُقُ كَمَن لاَّ يَخْلُقُ أَفَلا تَذَكَّرُونَ

“Atëherë, a është njësoj si Ai që krijon, si ai që nuk krijon?! A nuk po merrni vesh?”16:17

Pasi që kjo është prej Cilësive të Tij, nuk mund të ketë ardhur rishtazi tek Allahu.

Kur Allahu dëshiron të bëjë diçka, Ai e bën, ngase “…që dëshiron” përfshin do gjë që Ai dëshiron të veprojë.

Kjo ka të bëjë me dëshirën e Allahut, e cila ka të bëjë me veprën e Tij, ndërsa kur jemi tek dëshira e Allahut që ka të bëjë me veprën e njeriut, kjo është diçka tjetër:

Nëse Allahu dëshiron që robi të veprojë, por nuk dëshiron që t’i ndihmojë atij e ta bëjë veprues të asaj vepre, nuk ka mundësi që të ndodhë vepra. Këtu është problemi që Xheberitë nuk e kanë kuptuar Kaderin, prandaj për shkak të këtij keqkuptimi ata kanë lajthitur në çështjen e kaderit (caktimit të Allahut). Pra, ekziston një dallim i qartë në mes të dëshirës së Allahut që të veprojë robi dhe dëshirës së Allahut për ta bërë atë që të veprojë.

Vepra dhe Dëshira e Allahut janë të lidhura njëra me tjetrën. Kur Allahu dëshiron të veprojë diçka, ai vepron, e atë që e ka vepruar, atë e ka dashur. E kundërta e asaj që është tek krijesat, kështu ata e duan atë që nuk e veprojnë, e ka mundësi që mos ta duan atë që e veprojnë. Dhe Veprues i gjithçkaje që dëshiron është vetëm Allahu Subhanehu ue Te’ala.

Konfirmimi i dëshirave të ndryshme në bazë të asaj që Ai vepron dhe se çdo vepre i paraprinë dëshira e veçantë e Tij. Kjo është diçka e logjikshme në natyrshmëri. Allahu ka mundësi të dëshirojë çdo gjë në çdo kohë dhe në vazhdimësi dhe vepron atë që Ai do.

Çdo gjë për të cilën mund të ketë lidhje me dëshirën e Allahut, mund edhe të ndodhë ajo gjë. Pra, nëse Allahu do që të zbresë çdo natë në qiellin e tokës, nëse do që të vjen në Ditën e Kiametit për të gjykuar, nëse dëshiron që t’ua shfaq Veten e Tij besimtarëve, e ta bëjë Madhëria e Tij ashtu siç dëshiron Ai, pastaj u flet, qeshë me ta, e veprime të tjera që Ai i do, atëherë veprimi i Tij nuk ka mundësi që të pengohet, sepse Allahu është Veprues i gjithçkaje që Ai dëshiron. Nuk ka mundësi që vepra e Tij të ketë pengesa.

Shpërndaje: