Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Cili është rregulli bazë mbi akiden e saktë dhe atë të gabuar?

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: “Nurun ‘aled-Derb 2/8
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Pyetje: “Cila është arsyeja që ka Akide të saktë dhe të gabueshme?”

Përgjigje: “Kjo është një pyetje e çuditshme. Kjo është sikurse të pyesësh: “cila është arsyeja që ka mysliman dhe jobesimtarë?!”

Apo të pyesësh: “Cila është arsyeja që ka mëkatarë dhe njerëz që bëjnë vepra të mira?!”

Por, ajo që ne themi në lidhje me këtë, është se, kjo është urtësia e Allahut ‘Azze ue Xhel. Thotë Allahu Te’ala:

هُوَ الَّذِي خَلَقَكُمْ فَمِنكُمْ كَافِرٌ وَمِنكُم مُّؤْمِنٌ

“Është Ai që ju krijoi juve, e megjithatë, disa prej jush janë mohues e disa besimtarë.” 64:2

Dhe

وَلَوْ شَاء رَبُّكَ لَجَعَلَ النَّاسَ أُمَّةً وَاحِدَةً وَلاَ يَزَالُونَ مُخْتَلِفِينَ

“Sikur të kishte dashur Zoti yt, të gjithë njerëzit do t’i bashkonte në një bashkësi të vetme, por ata vazhdojnë të jenë të përçarë.” 11:118

Do të thotë në një fe të njëjtën fe dhe një besim. Pastaj vazhdon ajeti tjetër në vijim:

إِلاَّ مَن رَّحِمَ رَبُّكَ وَلِذَلِكَ خَلَقَهُمْ

“Përveç atyre, që i ka mëshiruar Zoti yt. Për këtë qëllim Ai i krijoi ata.” 11:119

Po të mos ishte kjo ndarje, atëherë krijimi i Xhenetit dhe Xhehenemit do të ishte i pakuptimtë. Kjo, sepse Xhehenemi dhe Xheneti kanë nevojë për banorët e tyre, prandaj duhet të jetë një ndarje.

Ndërsa pyetja do të duhej të ishte: “Cili është rregulli bazë mbi akiden e saktë dhe atë të gabuar?”

Kurse, përgjigja jonë në këtë pyetje është: “Ajo që përputhet me atë në të cilën ishte Profeti salallahu alejhi ue selem dhe shokët e tij ajo është besimi e saktë. Kurse ai besim që devijon nga ky rregull që e përmendëm, ai është besim i gabuar.”

E njëjta gjë vlen edhe për veprat e gjymtyrëve të jashtme të trupit: Ato që janë në përputhje me atë në të cilën ishte Profeti salAllahu alejhi ue selem dhe shokët e tij është një vepër e saktë dhe ajo që nuk është kështu, ajo është veprim i gabuar dhe devijim.

Kjo është pyetja që ne duhet t’i bëjmë vetes sonë, dhe secili nga ne ta gjykojmë vetveten: A është besimi ynë dhe veprat tona në përputhje me atë në të cilën ishte Profeti salallahu alejhi ue selem, apo jemi në kundërshtim me të?!”

Shpërndaje: