“Të besuarit në kaderin që ka caktuar Allahu ka disa dobi, ne do t’i përmendim ato edhe pse autori (Ibn Tejmijeh) nuk i ka përmendur, prej këtyre dobive janë:
1-Është prej plotësimit të imanit pasi imani nuk mund të plotësohet veçse me të.
2-Është prej plotësimit të imanit në Teuhidin Rububijeh sepse nëse ti beson në kaderin që ka caktuar Allahu (azze ue xhel) dhe kaderi i Allahut është prej veprave dhe ligjeve të Tij, në këtë mënyrë do të plotësohet imani në Teuhidin Rububijeh.
3-Prej dobive gjithashtu është se personi do të kthehet tek Zoti i tij, sepse nëse personi e di se gjithçka ndodh me kadanë dhe kaderin që ka caktuar Ai, atëherë nëse do sprovohet do të kthehet tek Allahu i Lartësuar që t’ia lehtësojë dhe t’ia largojë fatkeqësinë, nëse përjeton mirëqenie, këtë do t’ia atribuojë Allahut dhe do ta kuptojë se kjo është prej mirësive të Allahut që i ka dhënë atij.
4-Gjithashtu prej dobive të besimit në kader është se e bën njeriun ta kuptojë dhe ta dijë vlerën e vetes së tij, kështu që ai nuk do të bëhet krenar nëse kryen vepra të mira. A nuk është kështu?! Pasi nëse personi e di se kjo ishte prej caktimit të Allahut, ai do të thotë:
”Kjo nuk është prej meje, kjo është prej Allahut, prej begative dhe mirësive të Tij”
ndërsa ai që nuk beson në kaderin e Allahut çfarë do thotë?! Ai do të thotë se kjo është prej meje, prej punës time, prej mundit tim apo do thotë gjëra të ngjashme si këto.
5-Prej dobive gjithashtu është lehtësimi i fatkeqësisë për robin pasi nëse e di se kjo fatkeqësi është (sprovë) prej Allahut, kjo do të jetë lehtësim për të. Siç ka thënë Allahu (te ala):
وَمَن يُؤۡمِنۢ بِٱللَّهِ يَهۡدِ قَلۡبَهُۥۚ
“Kush beson në Allahun, Allahu do t’ia udhëzojë zemrën e tij.” [Tegabun: 11]
Ka thënë Alkameh (Allahu e mëshiroftë):
”Bëhet për fjalë për atë person që i bie një fatkeqësi dhe ai e di se kjo fatkeqësi është (sprovë) prej Allahut dhe ai kënaqet dhe dorëzohet plotësisht.”
6-Prej dobive gjithashtu është se personi do t’ia atribuojë dhënien e asaj mirësie Dhuruesit të vërtetë, pasi nëse ti nuk beson në kader, ti do t’ia atribuosh dhënien e kësaj mirësie njeriut që ta dha drejtpërdrejtë dhe do të harrosh t’ia atribuosh këtë mirësi të parit (Dhuruesit të vërtetë).
Shembull për këtë. Nëse dikush të ofron diçka ose të jep një dhuratë dhe nëse ti beson në kader, do të mendosh dhe do të thuash se Ai që ma dha këtë dhuratë, është Allahu (azze ue xhel), pra kujt do t’ia atribuosh këtë mirësi?! Do t’ia atribuosh këtë mirësi Allahut (azze ue xhel) dhe do mendosh se ky person që ta dha këtë mirësi ishte vetëm një shkak, ndërsa ai që nuk beson në kader, do të mbështetet tek shkaqet materiale dhe çdo lloj mirësie do t’ia atribuojë personit që ia dha atë mirësi apo që i bëri atë dhuratë dhe kjo gjendet shumë, sidomos tek ata që janë afër mbretërve, pushtetarëve dhe ministrave pasi sa herë që marrin prej këtyre dhurata, harrojnë se është Allahu ai që bëri që kjo mirësi t’u vinte atyre, kështu që kujt ia dedikojnë arsyen kryesore për këtë mirësi dhe begati?! Ia atribuojnë njeriut që ia dha.!
Ndërsa nëse njeriu do të besonte në kader, këtë mirësi do t’ia atribuonte Allahut (azze ue xhel) dhe jo personit që ia dha. Është e vërtetë që njeriu duhet të jetë falenderues ndaj njerëzve sepse i dërguari i Allahut (ﷺ) ka thënë:
”Atë që ju bën një të mirë, shpërblejeni.”
Porse njeriu duhet ta dijë se origjina dhe në themel të gjithë kësaj, është mirësia e Allahut (azze ue xhel) që këtë mirësi e vuri në posedim tek dora e këtij personi.
7-Gjithashtu prej dobive të besimit në kader është se personi arrin të kuptojë urtësinë e Allahut (azze ue xhel), sepse kur ai shikon në këtë univers se çfarë ndodh në të nga ndryshimet dhe lëvizjet e mahnitshme, prej gëzimit dhe vuajtjeve, shterpësisë dhe pjellorisë, dhe gjërave të ngjashme si këto, atëherë nëpërmjet kësaj, ai e kupton urtësinë e Allahut (azze ue xhel), ndryshe nga ai që e ka harruar kadanë dhe kaderin e Allahut dhe kështu që nuk përfiton prej kësaj dobie.”