Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

33.Domethënia e ngritjes është e njohur dhe mënyra se si është e panjohur

Autor: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)

Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdil-lah bin Baz (v. 1420)

Burimi: Sherh el-Akidah el-Uasitijeh, fq. 48

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Pra ngritja mbi arsh është e njohur. Ngritje do të thotë lartësim. Ndërsa mënyra se si është e panjohur. Është vetëm Allahu (subhanehu ue te ala) që e di mënyrën e cilësive të Tij. Ai u ngrit mbi arsh dhe kjo është diçka që nuk duhet të imagjinohet. Ai zbret në qiellin më të ulët dhe kjo është diçka që nuk duhet të imagjinohet. Ai zemërohet, kënaqet dhe qesh dhe këto janë diçka që nuk duhet të imagjinohen. Ai do të vijë në ditën e gjykimit dhe kjo nuk duhet të imagjinohet. Ky është besimi i Ehl-us-Sunnetit. Vetëm Allahu (subhanehu ue te ala) e di si janë cilësitë e Tij. Ato janë cilësi të vërteta dhe të pohuara. Është e detyrueshme për t’i pohuar ashtu sikurse i përket Allahut. Cilësitë e Allahut (xhela ue ala) nuk u ngjajnë cilësive të krijesave të Tij. Ai (subhaneh) ka thënë:

لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ البَصِيرُ

”Asgjë nuk i shëmbëllen Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” 1

فَلاَ تَضْرِبُواْ لِلّهِ الأَمْثَالَ

”Pra, mos i përshkruani Allahut shembuj!” 2

Mos thuaj se Ai është i ngjashëm me diçka tjetër. Ai (te ala) ka thënë:

هَلْ تَعْلَمُ لَهُ سَمِيًّا

A di për Të ndonjë emnak (adash)?!” 3

Allahu (subhanehu ue te ala) nuk ka emnak, askush nuk i ngjan Atij, nuk ka të barabartë me Të. Kështu thonë pasuesit e së vërtetës; Ai është lart, mbi arsh, Ai është ngritur mbi arsh në një mënyrë sikurse i përket Madhështisë dhe Madhërisë së Tij. Ngritja e Tij nuk i ngjan ngritjes së krijesave. Zbritja e Tij nuk i ngjan zbritjes së krijesave. Të qeshurit e Tij nuk i ngjan të qeshurit të krijesave. Zemërimi i tij nuk i ngjan zemërimit të krijesave. E njëjta gjë vlen për të gjitha cilësitë e tjera.


1 Esh-Shura 42:11.

2 En-Nahl16:74.

3 Merjem 19:65.

Shpërndaje: