Alameh Rabi ibn Hadi el-Medkhali
Burimi: Libri ”Hadithe profetike rreth akides dhe pasimit”
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
“Feja është sinqeriteti”
Nga Temim ed-Dari (radijAllahu anhu) përcillet se profeti ﷺ ka thënë tri herë:
”Feja është sinqeriteti!”
Ne i tham: ndaj kujt?
Ai tha: Ndaj Allahut, librit të Tij, profetit të Tij, udhëheqësit të muslimanëve dhe popullit.”
Transmetuesi i hadithit:
Temim ibn Eus ibn Kharixheh ed-Dari. Llagapi i tij është Ebu Rukajjeh. Sahabi i njohur i cili vdiq në vitin 40 hixhri.
Kuptimi i përgjithshëm i hadithit:
Ky hadith është shumë i rëndësishëm, është prej fjalëve të shkurtëra por përmbledhëse të profetit ﷺ. Dhe rreth këtij hadithi sillet i tërë Islami. Nëse muslimanët si individ dhe si grup do të kishin vepruar në përputhje me atë që ky përmban do të arrinin lumturinë në këtë jetë dhe në jetën tjetër, do të jetonin si vëllezër të cilët e duan njëri-tjetrin, të bashkuar në një besim, një qëllim dhe një metodologji në jetën e tyre.
Pra, Sinqeriteti (nasihah) ndaj Allahut do të thotë:
Ta besosh Atë dhe gjithçka që është në Kuran dhe në sunnet në aspektin e emrave të Tij të bukër dhe cilësive të Tij të larta. Në një mënyrë të drejtë dhe të vërtetë, pa i ngjasuar emrat dhe cilësitë e Tij me të tjerëve, pa i mohuar Atij ndonjë prej emrave dhe cilësive të Tij, dhe pa i shtrembëruar ato. Kjo është e bazuar në ajetin:
”Asgjë nuk i përngjason Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” [42: 11]
Dhe të adhurohet vetëm Ai duke e mohuar çdo adhurim ndaj dikujt tjetër. Dhe t’i bindesh Atij dhe t’i shmangesh mosbindjes. Dhe të duash për hir të Tij dhe të urrehesh për hir të Tij, të marrësh miq dhe aleatë ata që i binden Atij dhe të qëndrosh larg nga ata që i shfaqin Atij mosbindjen.
Të luftosh kundër atyre që e mohojnë Atë dhe të pranosh mirësitë e Tij dhe ta falënderosh Atë për to. Dhe të jesh i sinqertë ndaj Tij në çdo veprim.
Sa për sinqeritetin ndaj librit të Tij do të thotë:
Të besosh se ai është fjala e Allahut që ka zbritur nga Ai, nuk është e krijuar, asnjë gënjeshtër nuk mund t’i afrohet atij, qoftë haptazi apo në rrugë të fshehtë. Nëse njerëzit dhe xhinët do të mblidheshin ata nuk mund të sjellin një gjë të tillë edhe në qoftë se ata ndihmojnë njëri-tjetrin, as dhjetë sure të ngjashme, e as edhe një sure të vetme.
Përveç kësaj, ta nderosh atë dhe ta recitosh atë në mënyrë korrekte dhe të bukur me ndjeshmëri (khushu) dhe të shqiptosh germat e tij korrekt kur e lexon atë, ta mbrosh atë duke kundërshtuar keqinterpretimet e devijuara dhe të gabuara, ndryshimet e ekzagjeruara dhe supozime të pasakta të gënjeshtarëve. Të besosh në atë që është në të dhe t’i përmbahesh ligjeve të tij dhe rregulloreve të tij, ti kuptosh shkencat, dispozitat, përngjasimet dhe dënimet. Të marrësh mësime nga këshillat e tij dhe të meditosh mbi mrekullitë e tij.
Të veprosh në përputhje me dispozitat e tij, t’i nënshtrohesh ajeteve që mund të jenë të vështira për t’i kuptuar ose që kanë disa domethënie. Të hulumtosh në ajetet që janë shfuqizuar dhe të cilat shfuqizojnë, të përhapësh këto mësime dhe të thërrasësh në to.
Dhe domethënia e sinqeritetit për të dërguarin e Allahut do të thotë:
Ta besosh atë si të dërguar dhe të gjithë atë që e solli ai, t’i bindesh atij në urdhëresat dhe ndalesat e tij, të përkrahet ai si kur ishte gjallë ashtu dhe pas vdekjes së tij, t’i konsiderosh armiqtë e tij si armiq dhe miqtë e tij si miq.
Të nderosh të drejtat e tij, të nderosh, të respektosh dhe të ringjallësh metodogjinë dhe sunnetin e tij, të përhapësh thirrjen tij, të mohoshë dhe t’i luftosh akuzat kundër tij, t’i mësosh shkencat e tij, ta kuptosh atë, të thërrasësh në të, ta nderosh atë, të sillesh me edukatë kur ai lexohet, të mos flasësh pa dije në lidhje me të.
Dhe ta pasosh këtë profet fisnik në sjelljet dhe shembullin e tij, të duash familjen dhe sahabët e tij, të qëndrosh larg nga ai që fut diçka të re në sunnetin e tij apo që kundërshton ndonjë prej shokëve të tij.
Kurse sa i përket sinqeritetit me udhëheqësin muslimanë dhe ata në pozita të larta, kjo është sqaruar në hadithin e mëparshëm.
Kurse sa i përket sinqeritetit me popullin musliman – kjo do të thotë:
T’i udhëzosh ata në atë që është e mirë për ta në jetën tjetër dhe në këtë jetë, të mos i shqetësosh ata. Pra, ua mëson atë që nuk e dinë në lidhje me fenë e tyre, i ndihmon në të me fjalë dhe vepra duke i urdhëruar në të mirë dhe t’i ndalosh nga e keqja në një mënyrë të butë dhe të sinqertë duke fshehur të metat e tyre, të evitosh dëmin prej tyre, t’ua sjellësh të mirat, të keshë ndjeshmëri për ta, t’i respektosh të moshuarit e tyre dhe të jesh i mëshirshëm ndaj të rinjve.
T’ua përkujtosh Allahun dhe t’i këshillosh në mënyrën më të mirë, të mos i tradhtosh ata dhe të mos jeshë ziliqar. T’ua duash atyre të mirën që e do për veten tuaj dhe të urresh që ata të goditen nga e keqja ashtu siç e urren që ti të goditesh nga ajo.
Të mbrosh pasuritë dhe nderin e tyre, t’i nxitësh ata që të formësojnë veten me të, të realizojnë gjithçka që është përmendur nga sinqeriteti dhe t’i inkurajosh përpjekjet e tyre për në bindje.
Mësimet që nxirren nga ky hadith:
1.Se nasihah (sinqeriteti) quhet fe dhe Islam.
2.Se feja përbëhet nga veprat ashtu siç përbëhet nga fjalët.
3.Nuk ja fe ai që nuk është i sinqertë ndaj Allahut, librit të Tij, të dërguarit të Tij, ndaj udhëheqësit të muslimanëve dhe popullit. Dhe ai që e mashtron ata në ndonjë nga këto nuk është prej tyre.
4.Se sinqeriteti është i detyrueshëm në të gjitha format e përmendura për të gjithë muslimanët, të gjithë në përputhje me mundësitë e tyre, diturinë dhe pozitën në shoqëri.