Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

13.A nuk është xhihadi për hir të Allahut vepra më e mirë?

Alameh Rab ibn Hadi el-Medkhali 

Burimi: Libri ”Hadithe profetike rreth akides dhe pasimit” 

Përktheu: Valdet Gashi

 www.perlatmuslimane.com

“A nuk është xhihadi për hir të Allahut vepra më e mirë?”

Nga Ebu Hurejra(radijAllahu anhu) i cili ka thënë: ”E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut të thotë:

”Njerëzit e parë që do të gjykohen në ditën e gjykimit janë: një njeri i cili luftoi deri sa vdiq [dhe njerëzit e konsideruan atë të jetë shehid]. Pra, ai sillet përpara dhe i shfaqen të mirat që i janë dhënë atij dhe ai do t’i pranoj ato. I thuhet atij: ”Prandaj, çfarë bëre me këto të mira?”

Ai thotë: ”Luftova për hir Tënd derisa rashë shehid.”

I thuhet atij: ”Ti po gënjen. Ti luftove që të thuhej se ishe trim dhe ashtu u tha për ty.”

Pastaj u urdhëruan që ta tërheqin zvarrë me fytyrë përtokë derisa të hidhet në zjarr.

Dhe një njeri i cili mësoi dijen dhe ua mësoi atë të tjerëve. Dhe ai lexoi Kuranin. Pra, ai sillet përpara dhe i shfaqen të mirat që i janë dhënë atij dhe ai do t’i pranoj ato. I thuhet atij: ”Prandaj, çfarë bëre me këto të mira?”

Ai thotë: ”Mësova dijen dhe ua mësova atë të tjerëve. Dhe lexova Kuranin për hir Tënd.”

I thuhet: ”Ti po gënjen. Ti ke mësuar dijen që të thuhet për ty; ”ai është një njeri i dijshëm”. Dhe e lexove Kuranin që të thuhet: ”ai është recitues.” dhe ashtu u tha për ty.”

Pastaj u urdhëruan që ta tërheqin zvarrë me fytyrë përtokë derisa të hidhet në zjarr.

Dhe një njeri të cilin e kishte furnizuar Allahu shumë dhe atij ju dhanë nga të gjitha llojet e pasurisë. Pra, ai sillet përpara dhe i shfaqen të mirat që i janë dhënë dhe ai do t’i pranoj ato. I thuhet atij: ”Prandaj, çfarë bëre me këto të mira?”

Ai thotë: ”Unë nuk kam lënë diçka për të cilën Ti dëshiron që të shpenzohej, vetëm se unë shpenzova për hir Tënd.”

I thuhet: ”Ti po gënjen! Ti e bëre këtë që të thuhet: ”ai është bujar” dhe ashtu u tha për ty.”

Pastaj u urdhëruan që ta tërheqin zvarrë me fytyrë përtokë derisa të hidhet në zjarr.

Transmetuar nga Muslimi, Ahmedi dhe Nesai.

Transmetuesi i hadithit:

Biografia e tij u përmendet në hadithin e njëmbëdhjetë.

Kuptimi i përgjithshëm i hadithit:

Në përfundimin e këtyre tre njerëzve të banorëve të zjarrit gjendet një mësim dhe këshillë për atë që ka zemër apo dëgjon dhe dëshmon.

Çfarë gabimi kishin ata dhe çfarë ishte ajo që i goditi ata? A nuk është xhihadi për hir të Allahut vepra më e mirë? A nuk është xhihadi maja e Islamit? A nuk janë nivelet e shehidëve njëqind nivele dhe mes dy niveleve është sikur se në mes qiellit dhe tokës? A nuk janë shehidët të gjallë tek Zoti i tyre i Cili i ushqen ata dhe a nuk bredhin ata të lirë në xhenet?

A nuk janë dijetarët trashëgimtarët e profetëve? A nuk thotë Allahu:

“Allahu lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri.” [58:11]

Dhe kjo mirëbërësi që nuk ka lënë asgjë që Allahu do për tu shpenzuar në të veçse ai shpenzoi pasurinë e tij në të. A nuk shpërblen Allahu për veprat e mira dhjetë herë deri në shtatëqind herë ose edhe më shumë veçanërisht në qoftë se ajo që shpenzohet bëhet për hir të Allahut?

Pra, çfarë ishte ajo që i goditi ata dhe i bëri ata prej të parëve që do të dënohen dhe do të hidhen në xhehenem? Allahu na ruajt nga ky përfundim.

Profeti e bëri të qartë arsyen e përfundimit të keq të tyre dhe kjo është për shkak se ata nuk ishin të sinqertë ndaj Allahut në këto vepra që në sytë e njerëzve duken si vepra madhështore. Dhe ata nuk e donin shpërblimin e Allahut përmes tyre por qëllimet e tyre ishin të këqija dhe të gabuara, qëllim i tyre ishte dashuria për të marrë lavdata të mëdha nga ana e njerëzve.

Pra, ky luftëtari nuk e dëshiroi shpërblimin e Allahut dhe as që të ngris fjalën e Allahut por qëllimi i tij ishte ai vet dhe ai dëshiroi që të ngritë reputacionin e tij dhe të bëhet i njohur në mesin e njerëzve si një hero, trim dhe i patrembur.

Dhe kjo ndodhi. Pra shpërblimi i tij ishte në këtë jetë por në jetën tjetër shpërblim i tij u bë që sekreti i tij u zbulua dhe i doli në shesh dhe pastaj hidhet në zjarr.

Sa i përket dijetarit, ai nuk kërkonte dije për ta kuptuar fenë e Allahut dhe për të ditur se cilat janë obligimet ndaj Allahut, ndaj librit të Tij, të dërguarit të Tij dhe njerëzve në mënyrë që ai t’i praktikojë ato.

Dhe ai nuk i mësoi të tjerët për tu shpërblyer me shikimin në fytyrën e Allahut, për të marrë shpërblimin e përhapjes së dijes dhe thirrjes tek Allahu. Por ai e bëri këtë që të thuhet: ”Ky njeri është dijetar dhe dijetar i kohës së tij, hafidhi i kohës tonë, dhe recituesi i Kuranit tek muslimanët.

Pra shpërblimi i tij ishte se qëllimet e tij u zbuluan dhe u shfaqën në ditën e gjykimit si shpërblim për qëllimet e tij të këqija, pastaj ai u hodh në zjarr.

Sa i përket njeriut të pasur, ai nuk e falenderoi Allahun i Cili ja kishte dhuruar atij ato të mira dhe nuk ishte një prej tyre për të cilët Allahu ka thënë:

“Dhe ata që në pasurinë e vet kanë ndarë një pjesë të caktuar për lypësin dhe për nevojtarin që nuk lyp.” [70: 24-25]

Dhe ai nuk e ka kuptuar se pasuria është e Allahut për të cilat Ai e bëri atë përgjegjës për ta parë se si ai vepron. Për shkak të kësaj ai nuk dëshiroi shpërblimin e Allahut për atë që ai e shpenzon dhe ai nuk e di se si të arrijë sinqeritetin ndaj Allahut.

Në vend të kësaj ai dëshiron që njerëzit ta lavdërojnë atë dhe që poetët duhet vazhdimisht ta lavdërojnë atë dhe se lajmi i bujarisë dhe zemërgjerësisë së tij të përhapet në mesin e njerëzve.

Dhe kështu u bë dhe e arriti atë që ai kishte si qëllim në këtë jetë. Por sa për jetën e ardhshme për të cilën ai nuk u përpoq, shpërblimi i tij aty është një llogri e saktë dhe një shpërblim i drejtë. Dhe engjëj të varzhdë të ashpër që nuk tregojnë mosbindje ndaj Allahut në atë që Ai i urdhëron por e bëjnë atë që janë urdhëruar, e presin atë për ta tërhequr atë në fytyrën e tij dhe pastaj ta hedhin në zjarr.

Me të vërtetë, këtu gjendet një mësim madhështor për ta mësuar dhe një paralajmërim për luftëtarët, dijetarët dhe të pasurit që shpenzojnë paratë e tyre, që ata ndoshta të marrin mësim dhe të bëhen të sinqertë ndaj Allahut në veprimet e tyre në mënyrë që të arrisin premtimet e Allahut dhe të shpëtojnë nga dënimi i Allahut që i godet ata që kryejnë vepra në mënyrë që njerëzit t’i shohin ata dhe hipokritët.

Shpërndaje: