Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

2.Vlera e teuhidit

Alameh Rabi ibn Hadi el-Medkhali 

Burimi: Libri ”Hadithe profetike rreth akides dhe pasimit” 

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

 “Vlera e teuhidit”

Nga Ubadeh ibn es-Samit i cili ka thënë se profeti ﷺ ka thënë:

”Ai që dëshmon se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Allahut, të Vetimit, i Cili nuk ka asnjë ndihmës, dhe se Isai është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij dhe fjala e Tij të cilën ia shpalli Merjemes dhe një shpirt i krijuar prej Tij. Dhe se xheneti është i vërtetë dhe se zjarri është i vërtetë, Allahu do ta fus në xhenet sido që t’i ketë veprat.”

Transmetuar nga Bukhari, Muslimi dhe Ahmedi.

Transmetuesi i hadithit:

Ubadeh ibn es-Samit el-Ansari. Ai ishte një nga ata që ishte i pranishëm me profetin në dy rastet kur i premtuan besnikërin dhe bindjen ndaj profetit ﷺ,  e që quhen Akabe e parë dhe e dytë. Dhe ai ishte i pranishëm në të gjitha betejat. Ai ua mësonte të tjerëve Kuranin në Medine dhe pastaj në Sham. Ai vdiq në Bejt el-Makdis në vitin 32 hixhri.

Kuptimi i përgjithshëm i hadithit:

Ky hadith përfshin pesë gjëra. Ai që beson në to dhe vepron sipas tyre, si nga pamja e jashtme dhe nga ajo e brendshme hynë në xhenet.

E para: Thënia e tij ﷺ: ”Ai që dëshmon se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Allahut, të Vetimit, i Cili nuk ka asnjë ndihmës.”

Pra:

Ai beson në Allahun bazuar në sinqeritet dhe bindje dhe njëkohësisht ai pohon të drejtën ekskluzive për ta adhuruar Allahun të Vetëm dhe largohet nga adhurimi i dikujt tjetër pos Tij.

Dhe ai vepron si në fjalë ashtu edhe në vepër mbi atë që dëshmia ”askush nuk ka të drejtë të adhurohet përveç Allahut” do të thotë në lidhje me praktikimin e urdhëresave të Tij dhe duke qëndruar larg ndalesave të Tij.

E dyta: Dëshmia se ”Muhammedi është i dërguari i Allahut.”

Pra:

Ai i cili me bindje të fortë pa asnjë dyshim beson se Muhammedi është i dërguari i Allahut që Ai e dërgoi tek xhinët dhe njerëzimi me një mesazh të përgjithshëm, të plotë. Dhe ai është profeti i fundit dhe se mesazhi i tij është mesazhi i fundit. Dhe se beson se ai ﷺ është një nga robërit e Allahut, të cilin Allahu e nderoi me kumtimin e mesazhit të Tij tek kjo botë.

Pra ky person beson në atë që ai ﷺ na informoi dhe i bindet atij në atë që ai e urdhëroi, dhe qëndron larg nga ajo që ai e ndaloi dhe e parandaloi.

E treta: Besimi se Isai ﷺ është një nga robërit e Allahut dhe një nga të dërguarit e Tij dhe se ai nuk është një fëmijë i paligjshëm siç pretendojnë jehudët. Dhe ai nuk është Allahu, e as bir i Allahut dhe nuk është i treti në një trinitet sikurse pretendojnë nasarat, por ai është një nga robërit e Allahut, të cilin Allahu e dërgoi tek izraelitët për t’i thirrur ata që ta adhurojnë vetëm Allahun.

Dhe Allahu e krijoi Isain me fjalën ”Bëhu” e cila aludon në krijim dhe se ai [Isai] është një prej shpirtrave që Allahu ka krijuar.

”Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) tek Allahu është sikurse çështja e Ademit. Atë e krijoi Ai nga dheu, e pastaj atij i tha: ”Bëhu!” dhe ai u bë. ” [3:59]

E katërta: ”Xheneti është i vërtetë”.

Kështu ai me bindje beson se xheneti që Allahu e ka përgatitur për robërit e Tij të bindur është konfirmuar, ekziston dhe është një realitet për të cilën nuk ka dyshim. Dhe se ai është shtëpia përfundimtare, e përjetshme për ata që i besojnë Atij dhe pasojnë profetët e Tij.

E pesta: ”Zjarri është i vërtetë”.

Kështu ai me bindje beson se zjarri me të cilin Allahu i kërcënon kufarët dhe hipokritët është i vërtetë, i konfirmuar dhe nuk ka asnjë dyshim për këtë. Allahu e ka përgatitur atë për atë që e mohoi Allahun dhe ishte mosmirënjohës dhe i pabindur ndaj Tij.

Këto pesë gjëra, ai që i verifikon dhe beson në to dhe ka vepruar në përputhje me kuptimin e tyre, Allahu do ta fus në xhenet edhe nëse ai do të jetë i pakujdesshëm dhe do të ketë mëkate, dhe kjo për shkak të teuhidit të tij dhe se ai e adhuronte vetëm Allahun.

Mësimet që nxirren nga ky hadith.

  1. Vlera e të adhuruarit vetëm Allahun, dhe se Allahu fal mëkatet për shkak të saj.
  2. Mëshira madhështore e Allahut, mirësia dhe mëshira ndaj robërve të Tij.
  3. Nga ajo që autori tha në lidhje me Muhammedin ﷺ, ”rob dhe i dërguari i Tij” mësojmë se: cilat janë të drejtat e profetëve dhe veçanërisht të Muhammedit pa e tepruar dhe pa qenë neglizhentë ndaj tij.
  4. Që monoteistët mëkatare nuk do të qëndrojnë përgjithmonë në zjarr.
  5. Se është e detyrueshme për ta besuar xhenetin dhe xhehnemin.

Shpërndaje: