Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Sherh Fet’h Rabb-il-Berijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijje (kaseta nr 6)
www.perlatmuslimane.com
Kjo lloj meije (që Allahu të shikon dhe që asgjë nuk i fshihet Atij) e obligon besimtarin që beson në të, ta ketë të plotë dhe të përsosur besimin në lidhje me mbikqyrjen e Allahut të Plotfuqishëm dhe të Madhëruar, prandaj ka thënë i dërguari i Allahut ﷺ:
“Imani më i mirë është që ta dish se Allahu është me ty kudo që të jesh.”
Nëse një person beson në këtë, atëherë kjo i obligon atij besimin e plotë dhe të përsosur në lidhje me mbikqyrjen e Allahut.
Për shembull, le të supozojmë se një person është në shtëpinë e tij dhe nuk ka njeri tjetër me të, dhe ai dëshiron të bëjë një mëkat. Nëse ai e di që Allahu është me të, d.m.th. që Allahu e shikon dhe asgjë prej çështjeve nuk i fshihet Atij, a do ta bëjë ky person këtë mëkat apo nuk do ta bëjë?
Ai nuk do ta bëjë dhe nuk mundet ta bëjë pasi ai i frikësohet Allahut dhe turpërohet prej Allahut të Plotfuqishëm e të Madhëruar. Allahu i Lartësuar, është më meritori prej të cilit njeriu duhet të ketë turp. Për këtë arsye disa prej njerëzve thanë, për ta bërë çështjen më të qartë: Ç’mendon nëse njeriu yt më i afërt ndodhet pranë teje dhe ti dëshiron të bësh një mëkat, a do ta bëje këtë mëkat? Cila është përgjigjia? Nuk do ta bëje. Nëse ti ke turp prej krijesave, atëherë ndjenja e turpit prej Krijuesit duhet të jetë akoma më e madhe, më e madhe, më e madhe. Për këtë arsye, Allahu i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar i lavdëron ata të cilët i frikësohen Atij kur janë në fshehtësi (kur janë vetëm), sepse ata të cilët i frikësohen Zotit të tyre në fshehtësi, këta janë ata të cilët i frikësohen me një frikë të vërtetë Allahut të Plotfuqishëm e të Madhëruar, pa patur as më të voglin dyshim.