Imam Ali bin Ala-id-Din bin Ebil-´Izz el-Hanefi (v. 792)
Burimi: “Sherh Akidetit-Tahauijjeh” fq.174-175
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Ehlus-Sunneti thonë: Dëshira në Librin e Allahut është dy llojesh: Dëshira e caktuar, universale, e krijuar, dhe dëshira fetare, urdhërore e sheriatike.
Dëshira sheriatike është ajo përfshinë dashurinë dhe kënaqësinë.
Ndërsa, ajo universale është dëshira gjithëpërfshirëse mbi ndodhinë e gjithçkaje. Kjo është çfarë gjendet në fjalët e Allahut:
“Allahu ia hap zemrën për (të pranuar) Islamin atij që dëshiron ta udhëzojë, ndërsa atij që dëshiron ta lërë në humbje, (ia mbyll zemrën e) ia shtrëngon gjoksin si të jetë duke u ngjitur në qiell.” 6:125
Dhe thotë Allahu Te’ala në lidhje me Nuhun alejhis-selam:
“Këshilla ime nuk do t’ju bëjë dobi edhe sikur të doja t’ju këshilloja, nëse vullneti i Allahut është që t’ju shkatërrojë.” 11:34
Dhe, gjithashtu fjala e Allahut:
“…por Allahu vepron si të dojë Vet.” 2:253
Ndërsa kur jemi tek dëshira sheriatike, ajo është në fjalët e Allahut Te’ala:
“Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.” El-Bekare, 2:185
Dhe thotë Allahu:
“Allahu dëshiron që t’ju sqarojë, t’ju udhëzojë në rrugën e të dërguarve të mëparshëm dhe t’jua pranojë pendimet tuaja. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Allahu dëshiron që t’jua pranojë pendimet tuaja, por ata që jepen pas epsheve, dëshirojnë që të largoheni krejtësisht nga udha e drejtë. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë (barrët), pasi njeriu është krijuar si një qenie e pafuqishme.” 4:26-28
Dhe thotë Allahu:
“Allahu nuk dëshiron t’ju krijojë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush.” 5:6
Dhe thotë Allahu:
“Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastrojë plotësisht.” 33:33
Kjo në këtë kuptim përdoret në fjalët e njerëzve kundruall atyre që bëjnë vepra të liga: “Ai po vepron atë që nuk e do Allahu.” Do të thotë ai po vepron atë që Allahu nuk e do, nuk është i kënaqur me atë vepër dhe nuk kërkon nga njeriu të veproj ashtu. Ndërsa, dëshira universale, është ajo që përdoret në fjalët e njerëzve: “Ajo që do Allahu ka për të ndodhur, dhe ajo që nuk do Allahu nuk do të ndodh kurrë.”
Dallimi është më se i qartë në atë se, kur vepruesi dëshiron të veproj në një formë dhe atëherë kur dëshira për të vepruar varet nga dikush tjetër. Kur kryesi i veprës dëshiron të veproj diçka, atëherë dëshira është e lidhur me veprën e tij. Ndërsa, kur dikush tjetër dëshiron që të veproj diçka, atëherë kjo dëshirë ka të bëj me veprën e dikujt tjetër.
Që të dy këto llojet janë të kuptueshme në mesin e njerëzve. Çështja është se, dëshira e parë është obligative (pa mundësi zgjedhjeje (v.p.)) ndryshe nga kjo e dyta. Atëherë kur Allahu i urdhëron robërit e Tij me ndonjë urdhër, nënkupton se Ai dëshiron t’i ndihmoj atij në kryerjen e asaj vepre. Por, ka mundësi që edhe nuk dëshiron T’i ndihmojë në këtë gjë, edhe pse Ai kërkon nga ai ta veproj një vepër të tillë.