Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

35.Munker dhe Nekir

Imam Ebu Bekr Muhammed bin el-Husajn el-Axhurri (v. 360)

Një përmbledhje nga libri “esh-Shari’ah”

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

301. Transmeton Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) se i dërguari i Allahut ka thënë:

“Kur dikush prej jush të futet në varrë, i vijnë dy engjëj të zinj me sy blu. Njëri quhet Munkir dhe tjetri Nekir. Ata i thonë të vdekurit: ”Çfarë thoshe për këtë njeri?” Ai do të thotë atë që e kishte zakon të thoshte: ”Ai është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij. Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Allahut dhe se Muhammedi është rob dhe i dërguari i Tij.” Ata (du melekët) thonë: Ne e dinim se ti e thoshe këtë. Pastaj këtij njeriu i zgjerohet varri shtatëdhjetë krahë në gjerësi dhe shtatëdhjetë krahë gjatësi.” 1

302 – El-A’la Ibn A’ta ka thënë:
Një burrë erdhi tek Ebu Derda dhe i tha: ”Ti je njeri i ditur të cilit iu ka afruar vdekja. Më mëso diçka të mirë me të cilën Allahu i Lartësuar do të më sjell dobi me të.”

Ai i tha: ”Si do të jesh kur toka e vetme që do të jetë rreth teje është një pjesë nga katër herë dy krah? Të afërmit e tu të cilët vajtojnë për vdekjen tënde do të vijnë, vëllezërit e tu të cilët e kanë pasur zakon që të flisnin për ty të hedhin poshtë në varr, më pas të mbulojnë me dhe, dhe më pas të lënë të vetmuar.

Më pas vijnë dy melekët, ngjyrë blu dhe flokët i kanë kaçurrela, ata quhen Munker dhe Nekir. Ata do të pyesin; Kush është Zoti yt? Cila është feja jote? Dhe kush është i dërguari i yt?

Nëse ti i përgjigjesh se Allahu është Zoti yt, se Islami është feja jote dhe se Muhammedi është i dërguari yt, atëherë ti je i udhëzuar dhe ke shpëtuar, në të kundërtën, nëse thua se nuk e di, atëherë je prej të humburve.”

303 –Bera Ibn Azib (radijAllahu anhu) ka thënë në lidhje me ajetin:

يُثَبِّتُ اللّهُ الَّذِينَ آمَنُواْ بِالْقَوْلِ الثَّابِتِ فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَفِي الآخِرَةِ

”Allahu i forcon ata që besuan në fjalën e fortë (të mirë) në jetën e kësaj bote edhe në botën tjetër.”2

”Të qenurit i qëndrueshëm në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër, është atëherë kur dy melekët i vijnë tek varri dhe i thonë të vdekurit: ”Kush është Zoti yt?” Ai do të thotë: ”Allahu është Zoti im.” Pastaj e pyesin: ”Cila është feja jote?”Ai do të thotë: ”Islami është feja ime.” Pastaj e pyesin:”Kush është i dërguari yt?” Ai do të thotë: ”Muhammedi ﷺ është i dërguari im.” 

Kjo do të thotë që të forcohesh në këtë jetë.3


1 Tirmidhi (1077) dhe Ibn Hibani (780). Albani tha se hadithi është i mirë në (Sahih el-Xhami es-Saghir (1/724)).

2 Ibrahim 14:27

3 Bukhari (4699)

Shpërndaje: