Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Sherhu es-Sunneh 101-110

Ebu Muhamed el-Hasen ibn Ali ibn Halef el-Berbahari (i lindur në v. 253 h)

Burimi: Sherhu es-Sunneh

Me komentet e imam Feuzanit marrë nga libri i tij “Itihaful karij bitalikati ala Sherhis Sunneh”, dhe të alameh Ahmed en Nexhmit nga libri i tij “Irshadu es Sarij”, dhe me komente të alameh Abdul-Aziz er-Raxhihit dhe disa dijetarëve të tjerë

www.perlatmuslimane.com

Imam Berbahari ka thënë:

[101] Dijeni, Allahu ju mëshiroftë, se bazat e bidatit janë katër porta dhe prej tyre kanë dalë shtatëdhjetë e dy rryma. Pastaj secili bidat degëzohet derisa bëhen të gjitha së bashku 2800 thënie. Të gjitha këto janë humbje, të gjithë janë në zjarr, përveç njërit, grupit që beson atë që gjendet në këtë libër pa pasur dyshim në zemrën e tij. Ai është sunnij, ai është i shpëtuar nëse do Allahu.

Shpjegimi

Imam Salih el-Feuzani (Allahu e ruajt) thotë: “Fjala e autorit “ai është sunnij, ai është i shpëtuar nëse do Allahu”, do të thotë se kush pason Kuranin dhe sunnetin me vendosmëri dhe me besim në zemrën e tij, ai është prej grupit të shpëtuar sepse përputhet plotësisht me atë që ka thënë i dërguari i Allahut kur u pyet në lidhje me grupin e shpëtuar.

“Janë ata që ndodhen në atë që jam unë dhe shokët e mi.”

Kurse në një transmetim tjetër thuhet:

“Kush është në atë që jam unë sot dhe shokët e mi.”

[102] Dije, Allahu të mëshiroftë, se sikur njerëzit të ndalonin para shpikjeve, duke mos e kaluar kufirin e tyre dhe të mos nxirrnin fjalë me të cilat nuk ka ardhur ether nga i dërguari i Allahut ﷺ apo nga shokët e tij, bidati nuk do të ekzistonte.

[103] Dije, Allahu të mëshiroftë, se njeriu besimtar nuk bëhet kafir pa mohuar ndonjë gjë prej asaj që ka shpallur Allahu i Madhëruar. Po ashtu edhe nëse shton apo heq diçka nga fjala e Allahut apo mohon ndonjë gjë prej asaj që Allahu ka thënë apo ndonjë gjë prej asaj që ka thënë dërguari i Tij ﷺ. Prandaj frikësoju Allahut, Allahu të mëshiroftë! Ruaje veten dhe ki kujdes prej ekstremizmit në fe sepse ai nuk është prej udhëzimit të drejtë.

[104] Gjithçka që të përshkrova në këtë libër ka ardhur nga Allahu, nga i dërguari i Tij ﷺ, nga shokët e tij, nga tebiinët dhe nga brezi i tretë deri në brezin e katërt. Prandaj kije frikë Allahun, o rob i Allahut, dhe është detyrë për ty që të besosh, të dorëzohesh, ta lësh çështjen në dorë të Allahut dhe të jesh i kënaqur me çdo gjë që përmendet në këtë libër. Po ashtu, mos ia mbaj të fshehur këtë libër asnjë muslimani se ndoshta Allahu me anë të tij kthen të pavendosurin nga ajo që e ka kapluar, bidatçiun nga bidati i tij apo të humburin nga humbja e tij dhe i shpëton me anë të këtij libri. Ki frikë Allahun dhe kapu fort pas çështjes së parë e të lashtë që është çdo gjë të cilën ta përshkrova në këtë libër. Allahu e mëshiroftë atë person që e lexon këtë libër, e përhap, punon me të, fton tek ai dhe argumentohet me të, ngase në të gjendet feja e Allahut dhe e të dërguarit të Allahut ﷺ.  Kush ndjek drejtim tjetër, që bie ndesh me atë që është në këtë libër, ai nuk e adhuron Allahun me fenë e drejtë dhe e ka kthyer mbrapsht atë. Ashtu sikurse njeriu beson te të gjitha ato që ka thënë Allahu i Lartmadhëruar, por dyshon vetëm te një shkronjë e vetme, atëherë ai ka hedhur poshtë gjithçka që ka thënë Allahu i Lartmadhëruar dhe është kafir.  Po ashtu, edhe dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut pranohet vetëm nga ai që e ka qëllimin e sinqertë dhe bindjen e patundshme. Allahu nuk pranon asgjë prej sunnetit nëse lihet diçka prej tij. Kush lë diçka prej sunnetit, ai e ka lënë të gjithë atë. Detyra jote është të pranosh dhe të mos bëhesh refuzues e kryeneç sepse të qenët i tillë nuk është aspak prej fesë. E sidomos në këtë kohë, e cila është kohë e keqe (për shkak të shumimit të grupacioneve dhe njerëzve që ftojnë në humbje). Pra, frikësoju Allahut!

[105] Kur të ndodhin trazirat, qëndro në shtëpinë tënde, largohu prej sprovës dhe ruhu nga fanatizmi. Çdo përplasje që ka ndodhur dhe ndodh në këtë botë ndërmjet muslimanëve është sprovë. Prandaj ki frikë Allahun një e të vetëm dhe pa rival, mos dilë në luftë, mos lufto, mos merr pjesë në luftë, mos lakmo, mos merr anën e ndonjërit, mos ano kah asnjëri dhe mos duaj asgjë prej çështjeve të tyre ngase siç kanë thënë: Kush e pëlqen veprimin e një populli, qoftë i mirë apo i keq, ai është si ai që e vepron atë. Allahu na forcoftë ne dhe ju në kënaqësinë e Tij dhe na largoftë prej shkeljeve të ligjeve të Tij!

[106] Pakësoje shikimin tek yjet, me përjashtim të rasteve kur e bën këtë për të llogaritur kohët e namazit dhe lër çdo gjë tjetër përveç kësaj, ngase ajo të fton në mohim (zendeka).

Shpjegimi

Duke u bazuar në fjalën e profetit :

“Kush mëson ndonjë dije nga yjet ai ka përvetësuar njërën prej degëve të magjisë, shton sa të shtojë.”

Transmeton Ebu Daudi (3905) dhe Ibn Maxheh (3726) prej hadithit të Abdullah ibn Abbasit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy ata). E ka saktësuar Albani në Sahihu et-Tergib uet-Terhib (3051) dhe në Silsiletu es-Sahihah (2/420 me nr. 793).

[107] Ki kujdes nga studimi i skolastikës dhe nga uljet në kuvendet e skolastikëve. Kapu fort pas ethereve (gjurmëve të parëve tanë të sinqertë), pas pasuesve të ethereve, vetëm ata pyet, me ata ulu dhe prej tyre merr!

[108] Dije se Allahu nuk është adhuruar ndonjëherë me ndonjë adhurim më të mirë sesa me devotshmërinë ndaj Tij, me frikërespekt, bindje, përulje si dhe me ndjenjën e turpit ndaj të Lartmadhëruarit.

[109] Ruhu nga të qëndruarit me atë që fton në çështje të tilla si dashuria e zjarrtë dhe mallëngjimi për Allahun, nga ata të cilët veçohen me gratë e huaja dhe nga kokat e grupacioneve, ngase të gjithë ata janë në humbje.

[110] Dije, Allahu të mëshiroftë, se Allahu i Lartmadhëruar i ka ftuar të gjitha krijesat në adhurimin e Tij, e pas kësaj me mirësinë e Tij atë që dëshiron e udhëzon në Islam.

Shpërndaje: