Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Sherhu es-Sunneh 151-156 (fundi i librit)

Ebu Muhamed el-Hasen ibn Ali ibn Halef el-Berbahari (i lindur në v. 253 h)

Burimi: Sherhu es-Sunneh

Me komentet e imam Feuzanit marrë nga libri i tij “Itihaful karij bitalikati ala Sherhis Sunneh”, dhe të alameh Ahmed en Nexhmit nga libri i tij “Irshadu es Sarij”, dhe me komente të alameh Abdul-Aziz er-Raxhihit dhe disa dijetarëve të tjerë

 www.perlatmuslimane.com

Imam Berbahari ka thënë:

[151] Mos veço askënd me salavat përveç të dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, dhe familjes së tij.

[152] Dije se Uthman ibn Afani është vrarë padrejtësisht, kurse ai që e vrau është zullumqar.

[153] Kushdo që e aprovon atë që ndodhet në këtë libër, beson në të, e merr si udhërrëfyes, nuk dyshon dhe nuk mohon asnjë germë të vetme të tij, ky person është pasues i Sunnetit dhe Xhematit, i plotë, tek ai është kompletuar sunneti.

Ndërsa kush mohon ndonjë germë prej këtij libri apo dyshon te ndonjë germë e tij apo qëndron neutral, ai është ndjekës i epshit.

Kush mohon apo dyshon në ndonjërën prej germave të Kuranit apo te ndonjëra prej gjërave me të cilat ka ardhur i dërguari i Allahut ﷺ, ka për ta takuar Allahun si përgënjeshtrues. Prandaj kije frikë Allahun, bëj kujdes dhe ruaj besimin tënd!

Shpjegim

Ndërsa kush mohon ndonjë germë prej këtij libri apo dyshon te ndonjë germë e tij apo qëndron neutral, ai është ndjekës i epshit.

Kjo është fjalë e madhe dhe thuhet vetëm në lidhje me Kuranin, sunnetin e të dërguarit të Allahut dhe gjërat thelbësore që dihen prej fesë; Kurse dijetari i nderuar Salih el-Feuzani, në lidhje me fjalën e mësipërme të autorit tek pika 153, thotë se autori nuk ka për qëllim ngritjen e librit të tij, Sherhu-Sunneh, mbi Kuranin dhe sunnetin, porse ka për qëllim ato që ka përmendur prej argumenteve nga Kurani dhe Sunneti në librin e tij. El-Feuzani vazhdon dhe thotë se disa shpjegues të këtij libri e kanë keqkuptuar fjalën e autorit tek pika 153 duke menduar se autori i jep më shumë rëndësi librit të tij sesa Kuranit dhe sunnetit, porse ai ka pasur për qëllim atë që përmendëm pak më lart.

[154] Prej sunnetit është që të mos ndihmosh askënd në bërjen e gjynahut, të mos ndihmosh askënd të shkelë ligjet e Allahut edhe nëse ata konsiderohen njerëz të mirë. Nuk ka bindje ndaj krijesës në shkelje të dispozitave të Allahut. Mos ia bëj askujt të dashur dhe të pranueshëm gjynahun, por urreje atë vetëm për hir të Allahut të Lartmadhëruar.

[155] Besimi se pendimi është detyrë. Prandaj është detyrë për të gjithë njerëzit që të pendohen tek Allahu i Lartësuar, prej gjynaheve të mëdha dhe të vogla.

Shpjegim

Besimi se pendimi është detyrë. Prandaj është detyrë për të gjithë njerëzit që të pendohen tek Allahu i Lartësuar, prej gjynaheve të mëdha dhe të vogla.

Allahu thotë:

 “Ata të cilët nuk pendohen, me të vërtetë që ata janë zullumqarë.” ( El-Huxhurat: 11)

[156] Kush nuk dëshmon për atë për të cilin i dërguari i Allahut ﷺ ka dëshmuar se është prej banorëve të xhenetit, ky person është bidatçi, i humbur dhe dyshues në atë që ka thënë i dërguari i Allahut ﷺ.

Malik ibn Enesi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Kush kapet fort pas sunnetit dhe shokët e të dërguarit të Allahut ﷺ janë të qetë prej gjuhës së tij dhe vdes në këtë gjendje, ai ka për të qenë me profetët, besnikët, dëshmorët dhe vepërmirët edhe nëse në punët e tij ka mangësi.”

Bishru ibn el-Harith ka thënë: “Islami është sunneti dhe sunneti është Islami.” Fudejl ibn Ijadi ka thënë: “Kur shoh ndonjë person prej pasuesve të sunnetit më duket sikur po shoh ndonjërin prej shokëve të të dërguarit të Allahut ﷺ, ndërsa kur shoh ndonjë person prej pasuesve të bidatit më duket sikur po shoh ndonjë person prej munafikëve.”

Junus ibn Ubejdi ka thënë: “Është për t’u çuditur me atë që fton sot në sunnet, por çudi më e madhe se kjo është ajo e atij që i përgjigjet sunnetit dhe e pranon atë.”

Ibn Auni në momentet e fundit të jetës thoshte: “Sunneti, sunneti dhe ruhuni prej bidateve!” E tha këtë gjë derisa vdiq.

Ahmed ibn Hanbeli ka thënë: “Vdiq njëri prej shokëve të mi dhe e panë në ëndërr. Ai tha: “Thuani Ebu Abdullahut (imam Ahmedit): “Kapu fort pas sunnetit sepse gjëja e parë për të cilën Allahu më pyeti ishte sunneti.”

Ebu el-Alijeh ka thënë: “Kush vdes duke qenë në sunnet dhe duke mos u bërë e qartë ndonjë gjë që e kundërshton atë, ai është i sinqertë.” 

Kanë thënë: “Të kapurit pas sunnetit është shpëtim.”

Sufjan eth-Theuri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Kush dëgjon me veshët e tij pasuesin e bidatit, ai ka dalë prej mbrojtjes së Allahut dhe është lënë në të”, d.m.th. te bidati.

Daud ibn ebi Hindi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Allahu i Lartmadhëruar i shpalli Musait birit të Imranit ﷺ: “Mos qëndro me pasuesit e bidateve, ngase qëndrimi me ta do të ngjallë dyshim në zemrën tënde prej asaj që thonë, ndërsa Unë do të të hedh në zjarrin e xhehenemit.”

Kjo nuk është fjalë e Daud ibn ebi Hindit. Shejkh Ahmed ibn Jahja en-Nexhmi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kjo fjalë është e ekzagjeruar, ndoshta ai e ka marrë nga Teurati.”

Fudejl ibn Ijadi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Kush ulet me pasuesit e bidatit nuk ka për t’iu dhënë urtësia.” (E ka nxjerrë Bejhakiu në Shubel Ijman (7/64, me nr. 9482); El-Lalekai në Sherhu Itikad (4/638, me nr. 1149); Ebu Abdurr-Rrahman es-Sulemij në Tabekatus Sufijeh (fq. 9-10, me nr. 2) etj.)

Fudejl ibn Ijadi ka thënë: “Mos u ul me pasuesin e bidatit ngase frikësohem se mbi ty do të zbresë mallkimi.”(E ka nxjerrë Bejhakiu në Shubel Ijman (7/63-64), dhe prej rrugës së tij Ibn Asakiri në Historinë e tij (48/398), El-Lalekai në Sherhu Itikad (1/137, me nr. 262) dhe Ibn Batah në Ibanetul Kubra (441 dhe 451).

Fudejl ibn Ijadi ka thënë: “Kush e do pasuesin e bidatit, Allahu ia ka shkatërruar punën dhe ia ka nxjerrë dritën e Islamit nga zemra.”(El-Lalikai në Sherhu Itikad (1/138, me nr. 262), Ibn Batah në Ibanetul Kubra (440) etj.)

Fudejl ibn Ijadi ka thënë: “Kush ulet me pasuesin e bidatit ka për të trashëguar verbëri.”

(El-Lalekai në Sherhu Itikad (1/138, me nr. 264) etj. Imam Salih el-Feuzani (Allahu e ruajt) thotë: “Fjala e Fudejl ibn Ijadit: “Kush ulet me pasuesin e bidatit ka për të trashëguar verbëri”, do të thotë verbëri në shikim dhe në zemër.”)

Fudejl ibn Ijadi ka thënë: “Kur të shohësh pasuesin e bidatit në rrugë, atëherë merr rrugë tjetër nga ajo ku kalon ai.”(Ibn Batah në Ibanetul Kubra (493) etj.)

Fudejl ibn Ijadi ka thënë: “Kush e lavdëron dhe nderon bidatçiun vetëm se ka ndihmuar në shkatërrimin e Islamit. Kush i buzëqesh në fytyrë bidatçiut ka nënçmuar atë që Allahu i Lartmadhëruar i shpalli Muhamedit ﷺ. Kush e marton të shtrenjtën (bijën, motrën apo çdo femër që ka nën kujdesin e tij) e tij me një bidatçi, ai i ka ndërprerë lidhjet familjare me të. E kush përcjell xhenazen e ndonjë bidatçiu, ai ka për të qenë në zemërimin e Allahut derisa të kthehet.”

Fudejl ibn Ijadi ka thënë: “Unë ha me një çifut dhe nasrani (të krishterë) dhe nuk ha me një bidatçi. Dëshiroj që ndërmjet meje dhe ndjekësit të bidatit të jetë një pengesë prej hekuri.”

Fudejl ibn Ijadi ka thënë: “Kur Allahu e di se personi e urren pasuesin e bidatit, Ai e fal atë edhe nëse puna e tij është e paktë.” (Shih El-Hiljetul Eulija (8/103) dhe Telbis Iblis (1/124, me nr. 50) etj.)

Pasuesi i sunnetit nuk e ndihmon pasuesin e bidatit, vetëm sa për sy e faqe. (El-Lalikai në Sherhu Itikad (1/138, me nr. 266) si dhe Ibn Batah në Ibanetul Kubra, (429).)

Kush largohet nga pasuesi i bidatit, Allahu ka për t’ia mbushur zemrën me besim. Kush e përbuz dhe qorton pasuesin e bidatit, ka për ta siguruar Allahu në ditën e shtangies së madhe. Kush e ofendon pasuesin e bidatit, Allahu ka për ta ngritur atë në xhenet njëqind shkallë.

Kurrë mos u bëj nga ata që e duan pasuesin e bidatit!

Shpjegim

”Kush nuk dëshmon për atë për të cilin i dërguari i Allahut ﷺ ka dëshmuar se është prej banorëve të xhenetit, ky person është bidatçi, i humbur dhe dyshues në atë që ka thënë i dërguari i Allahut ﷺ.”

Imam Salih el-Feuzan (Allahu e ruajt) në lidhje me fjalën e autorit: “Kush nuk dëshmon për atë për të cilin ka dëshmuar i dërguari i Allahut ﷺ se është prej banorëve të xhenetit, ky person është bidatçi, i humbur” thotë se të dëshmuarit se personi është prej banorëve të xhenetit dhe se filani është prej banorëve të zjarrit te pasuesit e Sunnetit dhe Xhematit ka sqarime. Për atë që i dërguari i Allahut ka dëshmuar se është banor i xhenetit apo zjarrit, edhe ne e dëshmojmë atë gjë, pasi i dërguari i Allahut

“Nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij.” (En-Nexhm: 3-4)

ndërsa për atë person që s’ka ardhur argumenti se është prej banorëve të xhenetit apo të zjarrit, ne nuk dëshmojmë, por shpresojmë tek Allahu për vepërmirët dhe frikësohemi për mëkatarin. Kjo sa u përket personave në veçanti, kurse për sa i përket aspektit të përgjithshëm, ne besojmë se besimtarët do të jenë në xhenet dhe të gjithë kufarët do të jenë në zjarr.

Alameh Abdul-Aziz ibn Abdullah er-Raxhihi (Allahu e ruajt) thotë se është detyrë për çdo musliman që të dëshmojë me xhenet për atë që ka dëshmuar profeti , siç janë dhjetë të përgëzuarit me xhenet, Hasani dhe Husejni. Kush nuk dëshmon për këta persona se janë banorë të xhenetit, ai është bidatçi dhe i humbur, dyshues në atë që ka thënë i dërguari i Allahut ; vetëm në rast se atij nuk i ka arritur kjo gjë, atëherë ai është i justifikuar. Por nëse atij i arrin teksti është detyrë për të që të dëshmojë me xhenet për atë njeri që kanë dëshmuar tekstet.

”Malik ibn Enesi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Kush kapet fort pas sunnetit dhe shokët e të dërguarit të Allahut ﷺ janë të qetë prej gjuhës së tij dhe vdes në këtë gjendje, ai ka për të qenë me profetët, besnikët, dëshmorët dhe vepërmirët edhe nëse në punët e tij ka mangësi.”

Imam Salih el-Feuzan thotë: “Fjala e imam Malik ibn Enesit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij): “Kush kapet fort pas sunnetit dhe shokët e të dërguarit të Allahut janë të qetë prej gjuhës së tij dhe vdes në këtë gjendje, ai ka për të qenë me profetët, besnikët, dëshmorët dhe vepërmirët”, do të thotë se kushdo që kapet fort pas sunnetit të të dërguarit të Allahut me dije, punë dhe besim dhe vdes në të dhe shokët e të dërguarit të Allahut janë të qetë prej gjuhës së tij, pasi nuk ka hedhur baltë mbi ndonjërin prej tyre, ai ka për të qenë me profetët, besnikët, dëshmorët dhe vepërmirët sepse i është bindur Allahut dhe të dërguarit të Tij.

Allahu (i Madhëruar) thotë:

“Kushdo që i bindet Allahut dhe të dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë mirësi të madhe: me profetët, të sinqertët, dëshmorët dhe të mirët. Eh sa shokë të mirë janë ata!” (En Nisa: 69)

Fjala e tij “dhe shokët e të dërguarit të Allahut janë të qetë prej gjuhës së tij”, do të thotë se nuk i nënçmon, nuk ua ul vlerën atyre dhe nuk hedh baltë mbi ta.

Allahu (i Lartësuar) thotë:

“Edhe ata që erdhën pas tyre thonë:  “O Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” (El-Hashr: 10)

Shejkhul Islam Ibn Tejmijeh (Allahu e mëshiroftë), në El-Akidetu el-Uasitijjeh ka thënë: “Prej bazave të pasuesve të Sunnetit dhe Xhematit është se zemrat dhe gjuhët e tyre janë të pastra në lidhje me shokët e të dërguarit të Allahut . Pastaj ai përmendi ajetin: “Edhe ata që erdhën pas tyre thonë: “O Zoti ynë, falna ne”, kjo është pastërtia e gjuhëve, “dhe vëllezërit tanë të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve”, ndërsa kjo është pastërtia e zemrave për shokët e të dërguarit të Allahut .

Bishru ibn el-Harith ka thënë: “Islami është sunneti dhe sunneti është Islami.”

Fudejl ibn Ijadi ka thënë: “Kur shoh ndonjë person prej pasuesve të sunnetit më duket sikur po shoh ndonjërin prej shokëve të të dërguarit të Allahut ﷺ, ndërsa kur shoh ndonjë person prej ndjekësve të bidatit më duket sikur po shoh ndonjë person prej munafikëve.”

Kjo është fjalë e madhe dhe me vlerë, pjesa e parë e së cilës është prej fjalës së imam Shafiut (Allahu e mëshiroftë): “Nëse shoh ndonjë person prej dijetarëve të hadithit më duket sikur shoh ndonjë person prej shokëve të të dërguarit të Allahut .”

Junus ibn Ubejdi ka thënë: “Është për t’u çuditur me atë që fton sot në sunnet, por çudi më e madhe se kjo është ajo e atij që i përgjigjet sunnetit dhe e pranon atë.”

E ka nxjerrë Ebu Nuajm në El-Hiljetu (3/21), Ibn Batta në El-Ibanetul Kubra (20), El-Lalekai në Sherh Usulu Itikadi Ehlus-Sunneh (21, 22 dhe 23) si dhe El-Mizi në Tedh’hibul Kemal (32/527), prej rrugëve të transmetuara nga Junus ibn Ubejdi me zinxhirë të mirë (hasen).

Ahmed ibn Hanbeli ka thënë: “Vdiq njëri prej shokëve të mi dhe e panë në ëndërr. Ai tha: “I thoni Ebu Abdullahut (imam Ahmedit): “Kapu fort pas sunnetit sepse gjëja e parë për të cilën Allahu më pyeti ishte sunneti.”

Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) është njëri prej katër imamëve të katër medhhebeve të njohura të Ehlus Sunnetit. Imam Ahmedi lindi në vitin 164 h., në qytetin e Bagdadit, në Irak. Që në fëmijërinë e tij u dallua dhe u shqua nga moshatarët e tij. E mësoi Kuranin përmendësh në moshë shumë të re dhe që në moshë të re filloi të kërkonte dituri. Në fillim mori dituri nga dijetarët e vendit të tij dhe më pas filloi të udhëtojë në kërkimin e diturisë nga dijetarët e vendeve të tjera Islame, si në Mekë, Medinë, Basra, Jemen e kështu me radhë. Ai udhëtoi për në Basra më shumë se pesë herë duke kërkuar dituri nga dijetarët e hadithit, kurse drejt Hixhazit udhëtoi disa herë. Nga dijetarët më të dalluar që takoi aty ishte imam Shafiu. Prej tij mori bazat në fushën e hadithit, fikhut dhe shumë njohuri të tjera. Ai përfitoi shumë nga Ibn Ujejneh, Allahu e mëshiroftë, i cili ishte nga dijetarët më të dalluar në kohën e tij. Shkoi të kërkojë dituri edhe në Jemen, në qytetin San’a, ku dëgjoi hadithe nga dijetari i nderuar Abdurr-Rrazak ibn Hemami. Udhëtimet e tij në kërkim të diturisë ishin të shumta, por edhe të mundimshme. Imam Ahmedi u përball me vështirësi të shumta në kërkimin e diturisë, në veçanti kur udhëtoi për në Jemen, mirëpo dashuria e tij për diturinë dhe në veçanti për kërkimin e hadithit e bëri të jetë i paluhatshëm në këtë qëllim dhe të përballojë çdo vështirësi që i paraqitej në rrugën drejt diturisë. Këto vështirësi me të cilat përballej imam Ahmedi ishin si parapërgatitje për një të ardhme të afërt, kur u sprovua me një sprovë shumë të madhe. Kjo sprovë ishte dalja në shesh e mendimit të grupimit të Mutezilive, i cili përkrahej nga prijësi i muslimanëve në atë kohë. Mendimi i tyre ishte se Kurani nuk është fjala e Allahut të Lartësuar, por është i krijuar. Kjo vendosmëri e paluhatshme e imam Ahmedit bëri që i gjithë umeti i Muhamedit të mbështetej tek ai kur u kaplua nga kjo sprovë e madhe dhe e pabazë e cila nuk ishte tjetër vetëm se pjellë e atyre që pasonin logjikën dhe epshet e tyre duke lënë anash sunnetin e pastër të të dërguarit . Kërkuesit e dijes udhëtonin me kilometra të tëra për të dëgjuar nga imam Ahmedi qoftë edhe një hadith sepse ishte nder për ta. Nga ai transmetonin hadithe edhe dijetarët me eminentë që njihte bota Islame në atë kohë, si: Ueki ibn Xherrah, imam Shafiu, Alij ibn Medini, Kutejbe ibn Seidi etj. Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) ndërroi jetë në ditën e xhuma të muajit Rrebiul Euel të vitit 241 h.

“Të kapurit pas sunnetit është shpëtim.”

E ka nxjerrë Ed-Daramiu në Sunenin e tij (1/58, me nr. 96), El-Lalekai në Sherhu Itikad (1/94-95 me nr. 136-137) etj., nga Ez-Zuhri se ka thënë: “Ka pasur prej dijetarëve tanë të kaluar që thoshin: “Të kapurit pas sunnetit është shpëtim.”

Imam Salih el-Feuzan (Allahu e ruajt) thotë: “Fjala e tij “të kapurit pas sunnetit është shpëtim”, ka kuptimin se të kapurit fort pas sunnetit është shpëtim nga sprovat dhe nga dënimi. I dërguari i Allahut ka thënë:

“Kush do jetojë prej jush do të shoh kundërshtime të shumta, prandaj ju këshilloj që të kapeni fort pas sunnetit tim dhe të prijësve të udhëzuar drejt.”

Allahu (i Lartmadhëruar) thotë:

“Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!” (Al- Imran: 103)

Po ashtu Ai thotë:

“Kjo është rruga Ime e drejtë, prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij.” (El-En’am: 153).

Kjo është porosia e Allahut dhe porosia e të dërguarit të Tij dhe ajo është të kapurit pas sunnetit.

Fudejl ibn Ijadi ka thënë: “Kush e lavdëron dhe nderon bidatçiun vetëm se ka ndihmuar në shkatërrimin e Islamit. Kush i buzëqesh në fytyrë bidatçiut ka nënçmuar atë që Allahu i Lartmadhëruar i shpalli Muhamedit ﷺ. Kush e marton të shtrenjtën (bijën, motrën apo çdo femër që ka nën kujdesin e tij) e tij me një bidatçi, ai i ka ndërprerë lidhjet familjare me të. E kush përcjell xhenazen e ndonjë bidatçiu, ai ka për të qenë në zemërimin e Allahut derisa të kthehet.”

Fudejl ibn Ijadi ka thënë: “Unë ha me një çifut dhe nasrani (të krishterë) dhe nuk ha me një bidatçi. Dëshiroj që ndërmjet meje dhe pasuesit të bidatit të jetë një pengesë prej hekuri.” (El-Lalekai në Sherhu Itikad (4/ 638, me nr. 1149) etj.)

Imam Feuzan (Allahu e ruajt) thotë: “Fjala e Fudejl ibn Ijadit: “Unë ha me një çifut dhe nasrani (të krishterë) dhe nuk ha me një bidatçi” ka kuptimin që çifuti dhe nasrani dihet se janë pasues të një feje që e kundërshton fenë tonë, por janë ehlul kitabë, kurse bidatçiu pretendon se është në Islam. Çifuti dhe nasari nuk pretendojnë se janë në Islam dhe ti e di se ai është çifut ose nasrani, por problemi qëndron tek ai që pretendon se është në Islam dhe ti i beson atij, ulesh me të, kurse ai të tërheq për në sherr dhe rreziku i tij është shumë më i madh sesa armiku, i cili njihet për armiqësinë e tij.” Fjala e autorit: “Dëshiroj që ndërmjet meje dhe pasuesit të bidatit të jetë një pengesë prej hekuri”, do të thotë se ndalohet përzierja me të (bidatçiun).

”Kush largohet nga pasuesi i bidatit, Allahu ka për t’ia mbushur zemrën me besim. Kush e përbuz dhe qorton pasuesin e bidatit, ka për ta siguruar Allahu në ditën e shtangies së madhe. Kush e ofendon pasuesin e bidatit, Allahu ka për ta ngritur atë në xhenet njëqind shkallë.”

Kjo nuk është prej fjalëve të Fudejl ibn Ijadit, por ka ardhur edhe merfuan (i ngritur) tek profeti dhe e ka nxjerrë Ibn Asakiri në Historinë e tij (54/199), El-Khatabi në Historinë e tij (10/ 263) etj., por nuk saktësohet.

Libri përfundoi

Shpërndaje: