Ebu Muhamed el-Hasen ibn Ali ibn Halef el-Berbahari (i lindur në v. 253 h)
Burimi: Sherhu es-Sunneh
Me komentet e imam Feuzanit marrë nga libri i tij “Itihaful karij bitalikati ala Sherhis Sunneh”, dhe të alameh Ahmed en Nexhmit nga libri i tij “Irshadu es Sarij”, dhe me komente të alameh Abdul-Aziz er-Raxhihit dhe disa dijetarëve të tjerë
[51] Besimi në lidhje me hakmarrjen (el-kisas) në ditën e kijametit që do të ndodhë ndërmjet të gjitha krijesave, ndërmjet bijve të Ademit, egërsirave, bagëtive, derisa të ndodhë edhe ndërmjet milingonave, derisa Allahu të marrë nga disa të drejtën që ua kanë marrë të tjerëve dhe t’ua kthejë atyre; banorët e xhenetit prej banorëve të zjarrit dhe banorët e zjarrit nga banorët e xhenetit, banorët e xhenetit ndërmjet tyre po ashtu edhe banorët e zjarrit ndërmjet tyre.
[52] Sinqeriteti në punë për hir të Allahut.
[53] Të kënaqesh me kadanë e Allahut.
[54] Të durosh në gjykimin e Allahut.
[55] Besimi në atë që Allahu i Lartmadhëruar ka thënë.
[56] Besimi në të gjitha përcaktimet e Allahut, të mirat dhe të këqijat, të ëmblat dhe të hidhurat. Allahu e ka ditur çfarë kanë për të punuar njerëzit dhe ku do të shkojnë. Ata nuk dalin prej dijes së Allahut. Nuk ka asgjë në tokë dhe në qiej që Allahu i Lartmadhëruar të mos e përfshijë me dijen e Tij absolute.
Shpjegimi
[56] Besimi në të gjitha përcaktimet e Allahut, të mirat dhe të këqijat, të ëmblat dhe të hidhurat. Allahu e ka ditur çfarë kanë për të punuar njerëzit dhe ku do të shkojnë. Ata nuk dalin prej dijes së Allahut. Nuk ka asgjë në tokë dhe në qiej që Allahu i Lartmadhëruar të mos e përfshijë me dijen e Tij absolute.
Allahu (i Madhëruar) thotë:
“Ai di çfarë hyn në tokë dhe çfarë del prej saj, çfarë zbret nga qielli dhe çfarë ngrihet drejt tij. Ai është Mëshirëploti dhe Falësi.” (Sebe: 2)
[57] Ti duhet ta dish se ajo që të ka goditur nuk mund të mos të të godiste dhe ajo që nuk të ka goditur nuk mund të të godiste.
[58] Nuk ka krijues tjetër bashkë me Allahun.
Shpjegimi
Allahu (i Madhëruar) thotë:
“Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje.” (Ez-Zumer: 62).
Po ashtu thotë:
“Ja, ky është Allahu, Zoti juaj, Krijues i gjithçkaje. Nuk meriton të adhurohet askush përveç Tij. Atëherë, si largoheni prej Tij?!” (Gafir: 62).
Po ashtu thotë:
“Ky është Allahu, Zoti juaj. Nuk meriton të adhurohet askush përveç Tij, Krijuesit të çdo gjëje, andaj adhuroni vetëm Atë! Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje!” (El-Enam: 102)
[59] Tekbiret në namazin e xhenazes janë katër. Kjo është fjala e Malik ibn Enesit, Sufjan eth-Theurit, el-Hasen ibn Salih, Ahmed ibn Hanbelit dhe fukahave. Kështu ka thënë edhe i dërguari i Allahut ﷺ.
Shpjegimi
”Tekbiret në namazin e xhenazes janë katër.”
E ka nxjerrë Bukhariu (1245) dhe Muslimi (951) prej hadithit të Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), se i dërguari i Allahut ﷺ i lajmëroi njerëzit për vdekjen e Nexhashit. Doli me ta në vendin e faljes dhe bëri katër tekbire”. Ky është teksti i Muslimit. Po ashtu ka ardhur prej hadithit të Xhabirit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), të cilin e kanë nxjerrë Bukhariu (1334) dhe Muslimi (952), ku tregon për katër tekbire. Kanë ardhur edhe transmetime që tregojnë se tekbiret në namazin e xhenazes janë pesë. Transmetohet nga Abdurr-Rrahman ibn Ebi Lejla se ka thënë: “Zejd ibn Erkami e falte namazin e xhenazes së të vdekurve tanë me katër tekbire. Por namazin e një xhenazeje ai e fali me pesë rekate dhe unë e pyeta e ai tha: “I dërguari i Allahut ﷺ kështu ka bërë.” E transmeton grupi, përveç Bukhariut. Transmetohet nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se “ai e fali xhenazen e Sehl ibn Hunejfit me gjashtë tekbire dhe tha: “Ai ka qenë i pranishëm në luftën e Bedrit.” E transmeton Bukhariu. Gjithashtu kanë ardhur transmetime se tekbiret në namazin e xhenazes janë shtatë. Për më shumë në lidhje me këtë shih librin e Albanit Ahkamul Xhenaiz.
”Kjo është fjala e Malik ibn Enesit.”
Shih El-Mudeueneh. Ai është imam Malik ibn Enes ibn Malik ibn Amir ibn ebi Amir el-Esbahi, njëri prej prijësve të katër medhhebeve. Ka lindur në vitin 94 apo 97 h. dhe ka vdekur në vitin 179 h.
”Sufjan eth-Theuri.”
Shih Sunenu Et-Tirmidhi pas hadithit me nr. 1022 si dhe El-Mexhmu të Neveviut (5/185) e më pas. Ai është Sufjan ibn Seid ibn Mesruk eth-Theuri.
”El-Hasen ibn Salih.”
Ai është El-Hasen ibn Salih Hajij el-Hemdanij, fekihu i Kufes. Ka lindur në vitin 100 h. dhe ka vdekur në vitin 167 h.
[60] Besimi se me çdo pikë shiu që bie bashkë me të është një engjëll, i cili zbret nga qielli derisa ta vendosë atë (pikën e shiut) atje ku e ka urdhëruar Allahu i Lartmadhëruar.
Shpjegimi
Në lidhje me këtë transmetohen disa ethere prej disa tebi’inëve. Shih tefsirin e Tabariut (14/19-20), tefsirin e Ibn Kethirit (3/322 dhe 4/305) etj.