Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Sherhu es-Sunneh 61-70

Ebu Muhammed el-Hasen ibn Ali ibn Halef el-Berbahari (i lindur në v. 253 h)

Burimi: Sherhu es-Sunneh

Me komentet e imam Feuzanit marrë nga libri i tij “Itihaful karij bitalikati ala Sherhis Sunneh”, dhe të alameh Ahmed en Nexhmit nga libri i tij “Irshadu es Sarij”, dhe me komente të alameh Abdul-Aziz er-Raxhihit dhe disa dijetarëve të tjerë

 www.perlatmuslimane.com

Imam Berbahari ka thënë:

[61] Besimi se i dërguari i Allahut ﷺ në momentin që u foli të hedhurve në pus ditën e Bedrit, mushrikët i dëgjonin fjalët e tij ﷺ.

Shpjegimi

E ka nxjerrë Bukhariu (3976) dhe Muslimi (2875) prej hadithit të Ebu Talhatu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij). Po ashtu e ka nxjerrë Muslimi (2873) prej hadithit të Enes ibn Malikut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij). Gjithashtu e ka nxjerrë Bukhariu (1370) prej hadithit të Ibn Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy ata).

[62] Besimi se kur personi sëmuret, Allahu e shpërblen për sëmundjen e tij.

Shpjegimi

E ka nxjerrë Bukhariu (5647) dhe Muslimi (2571) prej hadithit të Abdullah ibn Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij).

[63] Dëshmori shpërblehet kur vritet.

Shpjegimi

Allahu i Madhëruar thotë:

“Ata që besojnë Allahun dhe të dërguarit e Tij, pikërisht ata janë njerëzit e sinqertë. Dëshmorët do të kenë te Zoti i vet shpërblimin dhe dritën e tyre…” (El-Hadid: 19).

Kurse profeti ka thënë:

“Dëshmorit i falet çdo gjynah përveç borxhit.”

E ka nxjerrë Muslimi (1886) prej hadithit të Abdullah ibn Amr el-Asit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij).

[64] Besimi se nëse fëmijët i godet ndonjë gjë në dynja, ata ndiejnë dhimbje, ndërsa Bekër ibn Uhti Abdul-Uahid ka thënë: “Nuk ndiejnë dhimbje.” Dhe ka gënjyer.

Shpjegimi

”…ndërsa Bekër ibn Uhti Abdul-Uahid ka thënë.”

Ky është Bekër ibn Uhti Abdul-Uahid ibn Zejd el-Basriez Zahid (asketi). Këtë e ka përmendur Ibn Hazmi në mesin e Khauarixhëve. Ky thoshte në lidhje me çdo gjynah, qoftë edhe të vogël, madje edhe për gënjeshtrën e thjeshtë që thuhet me shaka, se personi është kafir që i ka bërë shirk Allahut dhe është prej banorëve të zjarrit. Nëse është prej pjesëmarrësve të luftës së Bedrit, ai është kafir mushrik dhe prej banorëve të xhehnemit. Shih Lisanul Mizan (2/60) me nr. 228

[65] Dije se askush nuk futet në xhenet vetëm se me mëshirën e Allahut dhe se Allahu nuk dënon askënd vetëm se për gjynahet e tij. Në masën e gjynaheve është edhe dënimi. E sikur Allahu t’i dënonte banorët e qiejve dhe të tokës, të devotshmit dhe mëkatarët prej tyre, dënimi i tyre nuk do të ishte padrejtësi. Nuk lejohet të thuhet për Allahun e Lartmadhëruar se Ai bën padrejtësi, pasi zullumqar është ai që merr diçka që nuk është e tij. Të Allahut të Lartësuar janë krijimi dhe urdhri. Krijesat janë të Tij dhe kjo botë është e Tij. Ai nuk pyetet për atë që bën me krijesat e Tij dhe nuk thuhet “si?” dhe “pse?”. Askush nuk mund të futet ndërmjet Allahut dhe krijesave të Tij.

Shpjegimi

Allahu ( Madhëruar thotë):

“Ai nuk mund të pyetet për atë që punon, kurse ata do të pyeten.” (El-Enbija: 23)

[66] Nëse dëgjon ndonjë person i cili hedh baltë mbi etheret dhe nuk i pranon ato, apo urren ndonjë gjë prej lajmeve të të dërguarit të Allahut ﷺ, atëherë akuzoje për Islamin e tij ngase ai është person me ideologji dhe fjalë të keqe dhe hedh baltë ndaj të dërguarit të Allahut ﷺ dhe shokëve të tij, pasi ne e kemi njohur Allahun, e kemi njohur të dërguarin e Allahut ﷺ, e kemi njohur Kuranin, të mirën dhe të keqen, dynjanë dhe ahiretin me anë të ethereve. Kurani ka më shumë nevojë për sunnetin sesa sunneti për Kuranin.

[67] Fjalët, polemikat dhe grindjet në lidhje me kaderin, në veçanti, janë të ndaluara në të gjithë grupet, ngase kaderi është e fshehta e Allahut. Allahu i Lartmadhëruar i ka ndaluar profetët nga fjalët në lidhje me kaderin e po ashtu edhe i dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar nga grindjet në lidhje të. Dijetarët dhe njerëzit e ruajtur e të devotshëm e kanë urryer këtë gjë dhe kanë ndaluar nga polemika në lidhje me kaderin. Prandaj është detyrë për ty që ta pranosh, ta shqiptosh me gjuhë si dhe të besosh. Të jesh i bindur në të gjitha ato gjëra për të cilat ka folur i dërguari i Allahut ﷺ dhe të heshtësh në lidhje me ato gjëra për të cilat ai nuk ka folur.

[68] Besimi se i dërguari i Allahut ﷺ u ngrit lart në qiell dhe mbërriti tek arshi, ku i foli Allahu i Lartmadhëruar. Ai hyri në xhenet, gjithashtu e pa zjarrin, i pa engjëjt, dëgjoi fjalën e Allahut të Lartësuar, i pa tendat e mëdha të arshit dhe el-kursi;n si dhe çdo gjë që mund të shihte në qiej dhe në tokë. E gjithë kjo ndodhi duke qenë i zgjuar. Atë e mbajti Xhibrili në el-burak derisa kaloi përmes qiejve. Në këtë natë atij iu kumtua obligueshmëria e namazit. Po në të njëjtën natë ai u kthye në Mekë dhe kjo ndodhi para hixhretit.

Shpjegimi

”…i pa tendat e mëdha të arshit.”

Alameh Abdul-Aziz ibn Abdullah er-Raxhihi (Allahu e ruajtë) thotë se fjala e autorit: “i pa tendat e mëdha të arshit”, ka nevojë për argument.

[69] Dije se shpirtrat e dëshmorëve janë në kandila nën arsh duke shëtitur në xhenet, po ashtu edhe shpirtrat e besimtarëve janë nën arsh, ndërsa shpirtrat e kufarëve dhe mëkatarëve janë në berahut (emër pusi), i cili ndodhet në sixhin.

Shpjegimi

Ashtu siç ka thënë (i Madhëruari):

“Sigurisht (që do të ringjallen) dhe libri i punëmbrapshtëve do të jetë në sixhin! E kush do të ta shpjegojë ty se ç’është sixhin?! Është një libër i shkruar!” (El-Mutafifin: 7-9) 

Po ashtu në lidhje me këtë ka ardhur ether nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), të cilin e ka nxjerrë Abdurr-Rrazaku në Musanef (3/267-269) me nr. 6703 dhe e ka bërë hasen Albani në El-Ajatul Bejinat, fq. 101.

[70] Besimi se i vdekuri merret dhe ulet në varrin e tij, pastaj Allahu ia kthen atij shpirtin për t’u pyetur nga Munkeri dhe Nekiri për besimin dhe degët e tij, e pastaj (nëse përgjigjet saktë) e nxjerrin shpirtin e tij pa dhimbje.

Shpjegimi

E ka nxjerrë Bukhariu (1369 dhe 4699) dhe Muslimi prej hadithit të El-Berau ibn Azibit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), nga i dërguari i Allahut , i cili tha për ajetin: “Allahu i forcon ata të cilët besuan me fjalën e qëndrueshme në jetën e kësaj botë ashtu edhe në ahiret.” Ka thënë: “Ky ajet ka zbritur në lidhje me dënimin e varrit. Të vdekurit i thuhet: “Kush është Zoti yt? Kush është profeti yt? Çfarë feja ke? “Ai thotë: ”Zoti im është Allahu, feja ime është Islami dhe i dërguari im është Muhammedi ﷺ.“Për këtë është edhe fjala e Tij.” Ky është teksti i Muslimit. “Allahu i forcon ata të cilët besuan me fjalën e qëndrueshme në jetën e kësaj botë ashtu edhe në ahiret.”

Shpërndaje: