Ebu Muhammed el-Hasen ibn Ali ibn Halef el-Berbahari (i lindur në v. 253 h)
Burimi: Sherhu es-Sunneh
Me komentet e imam Feuzanit marrë nga libri i tij “Itihaful karij bitalikati ala Sherhis Sunneh”, dhe të alameh Ahmed en Nexhmit nga libri i tij “Irshadu es Sarij”, dhe me komente të alameh Abdul-Aziz er-Raxhihit dhe disa dijetarëve të tjerë
Imam Berbahari ka thënë:
[81] Besimi se Allahu i Lartmadhëruar do t’i dënojë krijesat e tij në zjarr me el-eglal apo vargonj në qafë, me el-enkal dhe me zinxhirë, kurse zjarri është në brendësinë e tyre, sipër tyre dhe poshtë tyre. Xhehmijet, prej të cilëve Hisham el-Futiju, kanë thënë: “Porse Allahu ka për ta dënuar te zjarri”, duke kundërshtuar kështu Allahun dhe të dërguarin e Tij.
Shpjegimi
”Besimi se Allahu i Lartmadhëruar do t’i dënojë krijesat e tij në zjarr me el-eglal.”
Janë pranga me të cilat lidhen duart në qafë.
”…apo vargonj në qafë, me el-enkal.”
135 Është hekur i rëndë.
”…dhe me zinxhirë, kurse zjarri është në brendësinë e tyre, sipër tyre dhe poshtë tyre.”
Ashtu siç është në fjalët e të Madhëruarit:
“Kur t’u vihen vargonj në qafë dhe të sillen me zinxhirë në ujë të valë e pastaj të digjen në zjarr.” (Gafir: 71-71)
“Pa dyshim, Ne kemi përgatitur për kufarët zinxhirë, pranga dhe zjarr flakërues.” (El-Insan: 4)
“Ata do të mbulohen me shtresa zjarri nga sipër dhe nga poshtë. Me këtë, Allahu i frikëson robërit e Vet. “O robërit e Mi, më kini frikë Mua!” (Ez-Zumer: 16)
“Me të cilin do t’u shkrihen ç’kanë në barqe dhe lëkura.” (El-Haxh: 20)
[82] Dije se namazet e detyrueshme janë pesë, nuk shtohet mbi to dhe nuk pakësohet, kurse në udhëtim namazi janë nga dy rekate përveç akshamit (i cili i ka tre rekate). Kush thotë se namazet janë më shumë se pesë, atëherë ai ka shpikur. Po ashtu edhe ai që thotë se janë më pak se pesë. Allahu nuk pranon asnjë prej tyre (namazeve) vetëm se në kohën e tyre, përjashto rastet kur harron, atëherë personi është i arsyetuar dhe e fal atë në momentin që kujtohet, ose kur është udhëtar dhe bashkon dy namazet nëse dëshiron.
Shpjegimi
”Dije se namazet e detyrueshme janë pesë, nuk shtohet mbi to dhe nuk pakësohet.”
Ashtu siç ka ardhur në hadithin e israsë dhe miraxhit, të cilin e ka nxjerrë Bukhariu (3570) dhe Muslimi (162) prej hadithit të Enes ibn Malikut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij). Ky është teksti i Muslimit, se Allahu i Lartmadhëruar tha:
“O Muhammed, këto janë pesë namaze në ditë-natë.”
”Allahu nuk pranon asnjë prej tyre (namazeve) vetëm se në kohën e tyre.”
Ashtu siç është në fjalën e të Madhëruarit:
“ Namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar.” (En-Nisa: 103)
”…përjashto rastet kur harron, atëherë personi është i arsyetuar dhe e fal atë në momentin që kujtohet.”
Siç ka ardhur në hadithin e transmetuar nga Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij): Profeti i Allahut ﷺ ka thënë:
“Kush e harron një namaz apo fle, atëherë shpagimi i tij është që ta falë atë kur t’i kujtohe.”
Transmeton Bukhariu (597) dhe Muslimi (684) dhe ky është teksti i tij.
”…ose kur është udhëtar dhe bashkon dy namazet nëse dëshiron.”
Transmeton Bukhariu (1111) dhe Muslimi (703), e ky është teksti i tij, prej hadithit të Enes ibn Malikut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), se tha:
“Profeti ﷺ nëse dëshironte të bashkonte dy namazet në udhëtim, atëherë e vononte drekën derisa të hynte koha e parë e ikindisë e pastaj i bashkonte.”
[83] Zekati jepet prej arit, argjendit, frutave, drithërave (sepse jo për të gjitha të mbjellat jepet zekat) dhe kafshëve për të cilat ka treguar i dërguari i Allahut ﷺ. Nëse ai e ndan vetë atë lejohet, po ashtu edhe nëse ia jep imamit lejohet.
[84] Dije se gjëja (shtylla) e parë e Islamit është dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
Shpjegimi
Siç ka ardhur në hadithin e Xhibrilit (alejhis selam) kur ai e pyeti të dërguarin e Allahut ﷺ në lidhje me Islamin dhe ai tha: “Islam është të dëshmosh se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhammedi është robi i Tij dhe i dërguari i Tij…” Hadithin e transmeton Muslimi (8) prej hadithit të Umer ibn el-Khatabit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij).
[85] S’ka dyshim se ajo që ka thënë Allahu është ashtu siç e ka thënë dhe nuk ka kundërthënie në atë që ka thënë. Ajo është siç e ka thënë.
Shpjegimi
I (Madhëruari) thotë:
“Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira Ne do t’i shpiem në kopshte të xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Aty do të qëndrojnë vazhdimisht dhe përgjithmonë. Ky është premtimi i vërtetë i Allahut. E kush është më i vërtetë se Allahu në fjalë?!” (En-Nisa: 122)
“Allahu! Nuk nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij. Ai do t’ju mbledhë në ditën e kijiametit, për të cilën nuk ka dyshim aspak! E kush është në fjalë më i vërtetë se Allahu?” (En-Nisa: 87)
“Fjala Ime nuk ndryshohet dhe Unë nuk jam i padrejtë me robërit e Mi.” (Kaf: 29)
[86] Besimi në të gjitha legjislacionet.
[87] Dije se shitblerja që bëhet në tregjet e muslimanëve është e lejuar nëse veprohet sipas dispozitave të Kuranit, Islamit dhe sunnetit, pa u cenuar nga ndonjë ndryshim, padrejtësi apo diçka që bie në kundërshtim me Kuranin apo me dijen.
[88] Dije, Allahu të mëshiroftë, se prej njeriut kërkohet që të jetë i prirë gjithmonë nga mëshira derisa të jetë në dynja, ngase ai nuk e di se në ç’gjendje do vdesë, cili do jetë përfundimi i tij dhe se në ç’gjendje ka për ta takuar Allahun edhe nëse i bën të gjitha veprat e mira. Kërkohet nga personi i cili e ka tepruar që të mos e humbë shpresën tek Allahu i Madhëruar në momentet e vdekjes, të ketë mendimin më të mirë për Allahun e Lartmadhëruar dhe të ketë frikë për gjynahet e veta. Nëse Allahu e mëshiron atë, e bën këtë si mirësi prej Tij dhe nëse Ai e dënon atë, e dënon për shkak të gjynaheve që ai ka bërë.
Shpjegimi
Dije, Allahu të mëshiroftë, se prej njeriut kërkohet që të jetë i prirë gjithmonë nga mëshira derisa të jetë në dynja, ngase ai nuk e di se në ç’gjendje do vdesë, cili do jetë përfundimi i tij dhe se në ç’gjendje ka për ta takuar Allahun edhe nëse i bën të gjitha veprat e mira. Kërkohet nga personi i cili e ka tepruar që të mos e humbë shpresën tek Allahu i Madhëruar në momentet e vdekjes, të ketë mendimin më të mirë për Allahun e Lartmadhëruar.
Transmeton Muslimi (2877) prej hadithit të Xhabirit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), i cili ka thënë:
“Kam dëgjuar profetin ﷺ tri ditë para se të ndërronte jetë duke thënë: “Mos të vdesë askush prej jush vetëm se duke pasur mendimin më të mirë për Allahun.”
”…dhe të ketë frikë për gjynahet e veta.”
Transmeton Ibn Maxheh (4261), En-Nesaiu në El Kubra (10901) etj., prej hadithit të Enesit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), se profeti ﷺ hyri për vizitë tek një djalosh i cili ishte në momentet e vdekjes dhe i tha: “Si po të gjej?” Tha: “O i dërguari i Allahut, shpresoj tek Allahu dhe kam frikë për gjynahet e mia.” I dërguari i Allahut ﷺ tha: “Nuk bashkohen këto të dyja tek zemra e robit në këto momente vetëm se Allahu do t’i japë atij çfarë shpreson dhe do e sigurojë nga ajo që ai frikësohet.” E ka bërë hasen shejkh Albani (Allahu e mëshiroftë) në Silsiletu es Sahihah (3/41) me nr. 1051.
”Nëse Allahu e mëshiron atë, e bën këtë si mirësi prej Tij dhe nëse Ai e dënon atë, e dënon për shkak të gjynaheve që ai ka bërë.”
Shejkh Ahmed ibn Jahja en Nexhmi (Allahu e mëshiroftë) në lidhje me fjalën e autorit: “Dije, Allahu të mëshiroftë, se prej njeriut kërkohet që të jetë i prirë gjithmonë nga mëshira, ngase ai nuk e di se në ç’gjendje do vdesë, cili do jetë përfundimi i tij”, thotë se është detyrë për personin që në këtë dynja të jetë ndërmjet frikës dhe shpresës. Dijetarët kanë thënë se nga muslimani kërkohet që tek ai të mbizotërojë më shumë frika në momentet kur është në gjendje të mirë nga ana shëndetësore, ndërsa në momentet e vdekjes të mbizotërojë më shumë shpresa. Në hadithin që transmeton Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka ardhur se profeti ﷺ hyri te një djalosh, i cili ishte në momentet e fundit të jetës. I tha atij: “Si po të gjej?” Tha: “Pasha Allahun, o i dërguari i Allahut, unë shpresoj tek Allahu dhe kam frikë për gjynahet e mia!” I dërguari i Allahut ﷺ tha: “Nuk bashkohen këto të dyja në zemrën e personit duke qenë në këtë gjendje vetëm se Allahu ka për t’i dhënë atij atë që shpreson dhe do e ruajë nga ajo që frikësohet.” Transmeton Ibn Maxheh dhe Et-Tirmidhiu dhe teksti është i tij. Et Tirmidhiu ka thënë: “Ky hadith është hasen garib. Disa të tjerë e kanë transmetuar këtë hadith prej Thabitit e ky nga profeti ﷺ mursel.
[89] Besimi se Allahu i Lartmadhëruar ia ka treguar profetit të Tij ﷺ se çfarë do të ndodhë në popullin e tij deri në ditën e kijametit.
[90] Dije se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ka për t’u ndarë populli im në shtatëdhjetë e tre grupe, të gjitha do të jenë në zjarr përveç njërit. Ai është Xhemati.” I thanë atij: “O i dërguar i Allahut, kush janë ata?” Tha: “Janë ata që ndodhen në atë që jam sot unë dhe shokët e mi.”
Kështu ishte feja në kohën e sundimit të Umerit, po kështu edhe në sundimin e Uthmanit. Kur u vra Uthmani, filluan kundërshtimet dhe bidatet dhe njerëzit u ndanë në parti dhe grupacione. Disa njerëz qëndruan me vendosmëri në të vërtetën që në fillim të ndryshimeve, e shprehën të vërtetën dhe i ftuan njerëzit në të. Populli vazhdoi të ishte në rrugën e drejtë deri në brezin e katërt të sundimit të Benu Fulan, kur koha u përmbys dhe njerëzit ndryshuan, u përhapën bidatet dhe u shtuan thirrësit e rrugës së gabuar, larg rrugës së xhematit. Ndodhën sprovime të vështira në gjëra për të cilat nuk kishte folur as i dërguari i Allahut ﷺ, as shokët e tij. Autorët e këtyre sprovave ftuan në përçarje, ndërkohë që i dërguari i Allahut kishte ndaluar nga kjo gjë. E quajtën njëri-tjetrin kafir dhe secili ftonte në idenë e tij dhe në konsiderimin si mohues të kundërshtarit. Injorantët, udhëheqësit dhe ata që nuk kishin dije u ofruan njerëzve gjërat e dynjasë dhe i kërcënuan me dënim. E kështu njerëzit filluan t’i ndjekin prej frikës së ndëshkimit në dynja dhe lakmisë ndaj të mirave që u ofronin. Sunneti dhe ndjekësit e tij po fshiheshin, u shfaqën dhe u përhapën bidatet dhe njerëzit filluan të mohonin në forma të ndryshme pa e ndier. Themeluan analogjinë (kijasin) dhe e interpretuan fuqinë e Allahut në shenjat, ligjet, urdhrat dhe ndalesat e Tij sipas logjikës së tyre. Atë që përputhej me logjikën e tyre, e pranonin, ndërsa atë që nuk përputhej, e refuzonin. Islami u bë i huaj, sunneti po ashtu, ndërsa ndjekësit e tij u bënë të huaj edhe brenda shtëpive të tyre.
Shpjegimi
“Ka për t’u ndarë populli im në shtatëdhjetë e tre grupe, të gjitha do të jenë në zjarr përveç njërit. Ai është Xhemati.” I thanë atij: “O i dërguar i Allahut, kush janë ata?” Tha: “Janë ata që ndodhen në atë që jam sot unë dhe shokët e mi.”
Transmeton Et-Tirmidhiu (2640), Daudi (4596), Ibn Maxheh (3991) dhe të tjerët prej hadithit të Abdullah ibn Amrit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij). Hadithin e ka saktësuar shejkh Albani (Allahu e mëshiroftë) në Silsiletu es-Sahihah (203, 204 dhe 1492) dhe në Sahihul Xhami (5343).
I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Islami ka filluar i huaj (i panjohur) dhe do të kthehet i huaj ashtu si ka filluar dhe lum (përgëzim) për ata të huajt.”
Sufjan eth-Theuri ka thënë:
“Silluni mirë me pasuesit e sunnetit sepse me të vërtetë ata janë el-gurabau – të huajt.”